Kategoritë

Prodhuesit

Furnizuesit

Fjalor Etimologjik i gjuhes shqipe, Gustav Meyer Shihe të plotë

Fjalor Etimologjik i gjuhes shqipe, Gustav Meyer

Gustav Meyer-i, profesor gjerman i sanskritishtes dhe i gjuhësisë krahasimtare në Universitetin e Graz-it, e botoi fjalorin e vet etimologjik të shqipes në 1891.

Info shtesë

SKU000293

Disponueshëria: Nuk e kemi më këtë produkt në depo


Më njoftoni kur ta rimerni

$10.82

Me ulje çmimi!

-36%

$16.90

Klientët që blenë këtë libër, blenë edhe...

  • Leterkembim me presidentin, Ismail Kadare

    Leterkembim...


    Ky letërkëmbim midis presidentit Ramiz Alia dhe...

  • Studime etimologjike ne fushe te Shqipes vol. 1, Eqrem Cabej

    Studime...


    Në veprimtarinë shkencore shumë të pasur të...

  • Vepra 2, Faik Konica

    Vepra 2,...


    (Proza e gjatë dhe eseistika) Në vëllimin e...

Titulli: Fjalor Etimologjik i gjuhës shqipe
Autori: Gustav Meyer
Gjinia: Gjuhësi
Shqipëroi: Anila Omari
Shtëpia botuese: Çabej
Viti: 2007
Fq. 596
Pesha: 0.657 kg
ISBN: 978-99927-33-91-8

Mbi autorin dhe veprën

Gustav Meyer-i, profesor gjerman i sanskritishtes dhe i gjuhësisë krahasimtare në Universitetin e Graz-it, e botoi fjalorin e vet etimologjik të shqipes në 1891. Në atë kohë shqipja ishte ende relativisht e panjohur për gjuhëtarët europianë, për shkak të pakësisë së teksteve të shkruara, traditës letrare të pamjaftueshme dhe numrit të vogël të folësve; edhe pse Franz Bopp-i, një prej themeluesve të shkollës krahasimtare, ia kishte njohur e sanksionuar përkatësinë në familjen gjuhësore indo-europiane.

Falë punës kërkimore të palodhur, shkëlqimit profesional dhe shfrytëzimit mjeshtëror të burimeve të folura e të shkruara nga më të shpërndarat e të gjymtuarat, Meyer-i ia doli t'i shndërrojë studimet albanologjike në një degë autonome të gjuhësisë historike-krahasuese. Fjalori i tij Etimologjik, që më në fund po i jepet lexuesit i përkthyer në shqipe, si kurorëzimi i përpjekjeve të këtij dijetari, mbetet sot e kësaj dite një prej veprave themelore në lëmë të albanologjisë.

Para Meyer-it, pothuajse asgjë nuk dihej për historinë e gjuhës shqipe dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera të familjes indo-europiane. Vetë gjuha ishte kaq pak e njohur në rrethet akademike, sa vërejtjet, komentet e analizat për tiparet e saj fonetike, gramatikore e leksikore shpesh kufizoheshin me shënimet në fund të faqes, ose zëvendësoheshin me retorikë romantike të tipit "i vetmi popull...".

Gjuhëtarët dhe filologët në qendrat e mëdha universitare dhe akademike të Europës në shekullin XIX e kishin të vështirë të shtinin në dorë burime të shkruara të shqipes, ndërsa vetë trojet e banuara prej shqiptarëve shtriheshin, në pjesën më të madhe, brenda Perandorisë Otomane, ose përtej vijës ujëndarëse të kulturave.

Megjithatë, Meyer-i ia doli të grumbullojë material gjuhësor të pasur nga ngulimet arbëreshe të Greqisë e të Italisë së Jugut, të themeluara gjatë Mesjetës së vonë; si dhe një numër burimesh të shkruara, tepër të rralla, nga shqipja ballkanike. Njohës me rrënjë i gjuhësisë indo-europiane dhe i metodës krahasimtare të përpunuar kryesisht prej gjuhëtarëve gjermanë, ai gjithashtu zotëronte kënaqshëm shumë prej gjuhëve me të cilat shqipja kish hyrë në kontakt gjatë historisë së vet.

Në ato rrethana, Fjalori Etimologjik nuk mund të mos përfaqësonte një moment kthese në historinë e albanologjisë, çka do t'i sillte autorit edhe çmimin e merituar Volney, të cilin ia blatoi Instituti i Francës, në vitin 1891.Etimologjia është ajo degë e gjuhësisë që i tërheq veçanërisht amatorët e dashamirësit, me gjithë kërkesat e mëdha që ia bën lexuesit.

Etimologu studion prejardhjen e fjalëve të një gjuhe, duke ua qëmtuar historinë hap pas hapi, në tekstet e shkruara, në mbishkrimet ose në gjurmët që kanë lënë në gjuhë të tjera e në dialektet periferike. Nëse për gjuhë si italishtja ose frëngjishtja etimologjia kryesisht ndalet në momentin që një fjale i gjendet prejardhja latine, për gjuhë të tjera si shqipja, të cilave nuk u dokumentohet ndonjë fazë e lashtë, metodat që duhen ndjekur janë më të tërthorta.

Etimologut i lypet kështu të njohë mirë jo vetëm gjuhën e vet dhe gjuhë të tjera, por edhe historinë, historinë e kulturës materiale dhe parahistorinë; sikurse duhet edhe të ketë sensin e masës dhe intuitën e nevojshme, për të mos e tepruar me hipoteza dhe fantazi sugjestive por të pambështetura. Jo rrallë, historia e fjalëve ia çel dyert historisë së kulturës dhe dijetarët janë në gjendje të kuptojnë diçka më tepër nga rrethanat e jetës së të parëve të shqiptarëve, ose për marrëdhëniet e tyre me popuj të tjerë.

Kjo punë prej detektivi të mirëfilltë ka admiruesit e vet, por shpesh i "dënon" autorët me vite, në mos dekada të tëra të kaluara detyrimisht bibliotekave e arkivave, duke marrë në pyetje fjalë e forma gjuhësore që ndonjëherë e kanë humbur zërin prej kohësh.Dihet, gjithashtu, se shqipja është dokumentuar për herë të parë me shkrim gjatë shekullit XV, dhe libri i parë shqip që njihet deri më sot, "Meshari" i Gjon Buzukut, është botuar në vitin 1555.

Deri andej nga gjysma e dytë e shekullit XIX, tradita e shkruar e shqipes ruhej kryesisht nga klerikët katolikë të veriut shqiptar dhe elitat kulturore provinciale në ngulimet arbëreshe në Itali të Jugut. Ata gjuhëtarë që dëshironin të hulumtonin historinë e gjuhës më herët se shekulli i XIV, ishin të detyruar të bënin përpara shumë ngadalë, praktikisht në errësirë. Ndër studiuesit e asaj kohe, Gustav Meyer-i ishte i pari që e rroku leksikun e shqipes në tërësinë e vet të njohur; dhe gjithashtu i pari që ia mati shtrirjen dhe peshën elementit latin në këtë gjuhë.

Falë etimologjive të këtij autori, u qartësua se të parët e shqiptarëve kishin qenë në kontakt të afërt me Romën, madje për një kohë aq të gjatë sa të huazonin prej latinishtes një numër të madh fjalësh e strukturash kuptimore.Elementi latin ka rëndësi të pashoqe për historinë e shqipes dhe të shqiptarëve.

Vetëm falë hipotezave të kujdesshme dhe të mbështetura mirë të Gustav Meyer-it, u bë e mundur të hidheshin bazat e fonetikës historike të shqipes; meqë fjalët me prejardhje latine në këtë gjuhë plotësuan, tërthorazi, çka u mungonte studiuesve: forma të lashta të fjalëve shqipe. Shumë prej arritjeve të dijetarëve të mëpasëm, si Pedersen-i, Jokl-i dhe Çabej, u mbështetën fund e krye në punën udhërrëfyese të Meyer-it.

Për më tepër, rregullsitë historike-fonetike që iu përcaktuan shqipes falë prejardhjes latine të shumë fjalëve shqipe, do të përdoreshin pastaj për të rindërtuar forma të lashta të fjalëve të tjera të gjuhës, e për të zbuluar një numër të madh elementesh indo-europiane të mirëfillta në vetë shqipen, si dhe për të përshkruar më mirë e shkencërisht më saktë vendin e shqipes brenda familjes gjuhësore indo-europiane.

Nga ana tjetër, edhe pse dihej që shqipja kish huazuar një numër fjalësh prej gjuhëve fqinje, Gustav Meyer-i ishte i pari që vlerësoi peshën specifike të elementeve turke, sllave, italiane dhe greke moderne e mesjetare në shqipe, për t'u dhënë studiuesve një numër mjetesh hetuese të domosdoshme për hulumtimin e dinamikës së marrëdhënieve kulturore dhe antropologjike në Ballkanin e lashtë dhe modern.

Profesori prej Graz-it ishte edhe një pionier i studimit të marrëdhënieve shqiptaro-rumune të hershme, dhe puna e tij me elementin latin të shqipes jo vetëm që ndihmoi për të ftilluar çka më pas do të quhej latinishte ballkanike, por edhe shtroi rrugën për përftimin e vetë konceptit të lidhjes gjuhësore ballkanike.

Për lexuesin dhe studiuesin e sotëm, fjalori legjendar i Meyer-it njëkohësisht përfaqëson edhe një dëshmi të mrekullueshme të një faze më të vjetër të shqipes, gjatë së cilës gjuha ende nuk u ishte nënshtruar shndërrimeve programatike të cilat ndodhën gjatë Rilindjes Kombëtare, prej shkrimtarëve, publicistëve dhe ndriçimtarëve; qëmtimit dhe mënjanimit të shumë turqizmave e huazimeve të tjera; hyrjes në përdorim të fjalëve të krijuara rishtas ose neologjizmave; dhe përftimit të një ligjërimi të shkruar shqip që, në thelb, pasqyronte programin e kombëtarizmit shqiptar.

Si përmendore në historinë e studimeve albanologjike dhe si shembull i shkëlqyer i metodës krahasimtare të zbatuar; si thesar fjalësh dhe formash që tashmë praktikisht janë zhdukur prej përdorimit ose janë shtyrë në skajet e ligjërimit; dhe si mjet i domosdoshëm për të kuptuar evolucionin e gjuhës shqipe së paku gjatë 2000 vjetëve të fundit, Fjalori Etimologjik i Meyer-it përfaqëson një ndihmesë të lumtur në bibliotekën e veprave të çmuara albanologjike, të cilat po kujdeset t'i sjellë të përkthyera në shqipe shtëpia botuese Çabej, me gjerdanin e vet të mirënjohur "Excipere", drejtuar me pasion, kompetencë e përkushtim të veçantë nga Ledi Shamku-Shkreli.