Studime letrare

Information

Botuesit

Speciale

Autorët

Ulje çmimi! Publikja Shqiptare, ese Shfaq të madhe

Publikja Shqiptare, ese

2237

Produkt i ri

Janë plot 12 ese kritike, të shkruara nga 12 personalitete të kulturës dhe të mendimit shqiptar, të cilët duke marrë në shqyrtim elementet filozofike, politike, nacionaliste e gjuhësore, na sjellin në vëmendje çështjen kombëtare. Çështja shqiptare dhe shqiptarët 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

Më shumë detaje

Ne gjendje

$6.76

-20%

$8.45

Më shumë informacione

Titulli: Publikja Shqiptare
Origjinali: Publikja Shqiptare
Gjinia: Ese kritike
Autori: Të ndryshëm
Shtëpia botuese: Saras
Viti: 2012
Fq. 212
Pesha: 0.26 kg
ISBN: 978-9928-152-01-5

Mbi librin

"Publikja shqiptare" është libri më i ri që shtëpia botuese "Saras" ka hedhur në treg për lexuesit pas romanit "Shitësit e Apokalipsit" të shkrimtarit Gazmend Krasniqi. Janë plot 12 ese kritike, të shkruara nga 12 personalitete të kulturës dhe të mendimit shqiptar, të cilët duke marrë në shqyrtim elementet filozofike, politike, nacionaliste e gjuhësore, na sjellin në vëmendje çështjen kombëtare.

Çështja shqiptare dhe shqiptarët 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. A është mbyllur kjo çështje? A kemi sot një komb shqiptar? Pse flitet për "Shqipërinë e Madhe"? Cilat janë pozitat e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni? Esetë e përmbledhura në këtë botim nuk janë një konstatim i thjeshtë i çështjes kombëtare shqiptare, por vijnë si një reagim i natyrshëm intelektual, si shkundje për mendësinë shqiptare në kushtet kur nocioni komb është më i rrezikuar se kurrë dhe si një protestë ndaj kompromiseve të lëvizjeve politike qoftë brenda botës shqiptare, ashtu edhe ndërkombëtare.

Gent Carrabregu, studiues i teorisë politike dhe asistent në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Nortwestern-it në SHBA, duke përmendur faktin se çështjes shqiptare i janë kënduar shkrimtarë, novelistë, poetë, historianë, gjeografë linguistë, albanologë, etj., ai nënvizon se në këtë çështje ka munguar zëri i filozofëve dhe shkencëtarëve shoqërorë. Duke e parë çështjen shqiptare mbi të gjitha çështjet politike dhe ekonomike, Carrabregu i referohet filozofisë politike të Ukshin Hotit në çështjen shqiptare.

Ai e sheh atë si "gurin e provës", njeriun që kishte dijen, vullnetin dhe guximin për të folur me mendje të hapur. Carrabregu beson se pikërisht për këtë filozofi Ukshin Hoti pësoi fatin tragjik të zhdukjes së tij. "Si të arrijmë që si komb shqiptar të bëjmë transformimin cilësor dhe revolucionar nga të qenët objekt historivuajtëse (kurban) i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, në subjekt historibërës, që bëhet më në fund autor i çështjes së vet?", pyet Carrabregu. Mendimi vijon me Glauk Konjufcën, studiues i filozofisë dhe deputet i Lëvizjes "Vetëvendosje!". Duke na dhënë që në krye të herës arsyen që nxiti ekzistencën e "Vetëvendosjes!", Konjufca shpjegon se tashmë në themel të ekzistencës së tyre është reaksioni qytetar dhe se viti 2012 do të jetë vendimtar. "Aktualisht populli, ndryshimin e koncepton në dy mënyra: me votë dhe mobilizim masiv protestues. Por në vitin 2012 do të sqarohet përfundimisht kjo dilemë.

Ne duhet t'i bëjmë të dyja, sepse sido që ta bëjmë ndryshimin, ai do t'i përfshijë të dyja", shprehet Konjufca. E ndërsa nuk janë të kënaqur në realitetin e ri të shqiptarëve në Kosovë, ku flitet për pavarësi, por, nga ana tjetër, edhe për një shtet jo funksional, Albin Kurti, kryetar i "Vetëvendosjes!" sheh këtu vendosjen e një neokolonializmi. Me tone rebeluese ai flet për filozofinë e zhvillimit që vjen nga jashtë, për të huaj të zhvilluar që duan të zhvillojnë vendasit e pazhvilluar.

Deklaratat mediatike të Kurtit janë të njohura tashmë, ndërsa në këtë ese ai thotë hapur elementet bazë që duhet të qëndrojnë në themelet e një shteti të vërtetë për Kosovën. "Kësisoj, paradoksalisht del se në Kosovë shtet janë KFOR-i e EULEX-i, që nuk e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur. KFOR-i, sikurse EULEX-i, është neutral karshi statusit", shkruan Kurti. E ndërsa pas pavarësisë së Kosovës, në diskutime publike u hodh e u prit teza e "Shqipërisë së Madhe", propozim që ngjalli reaksionin e ndërkombëtarëve dhe frikën e lëvizjes së kufijve ballkanikë, Enis Sulstarova, pedagog në departamentin e sociologjisë në Universitetin e Tiranës, merr dy anët e medaljes: domosdoshmërinë e hapjes së çështjes kombëtare dhe korrektësia me të cilën duhet folur për të.

"Edhe disa që e dëshirojnë bashkimin e shqiptarëve, e shprehin këtë kërkesë me termin e 'Shqipërisë së Madhe' dhe nuk janë të vetëdijshëm se kjo është një parullë kundërshqiptare për të zhvlerësuar bashkimin e shqiptarëve, se po shqiptojnë gjuhën e shovinizmave sllavo-greke që duan të ruajnë sundimin mbi shqiptarët", shkruan ai. Në një historik të shkurtër të lindjes e zhdukjes së kësaj ideje, Sulstarova merr në analizë qëndrimin e shtetit "amë" dhe politikës shqiptare.

E duke vazhduar në këtë linjë, Hysamedin Feraj, drejtues i departamentit të shkencave politike në Universitetin e Tiranës flet për dinakërinë shqiptare, shkrimtari Idlir Azizi flet për ekzilin e vetvetes ndër shqiptarë, ndërsa poeti Ervin Hatibi, përmes një eseje me një titull simbolik "Pemë dhe këngë", ironizon nënshtrimin shqiptar dhe dashurinë e madhe që kemi për dajakun apo drurin.

Situatës nacionaliste të Ballkanit, Besnik Pula, profesor asistent në Universitetin e Binghamtonit në SHBA, i shton edhe një analizë të krizës financiare dhe ekonomike që ka përfshirë këtë rajon në vitet 2008-2011, Orgest Azizi, lektor i filozofisë politike në Tiranë dhe Paris, sjell një qasje eseistike mbi idenë e universitetit dhe shënjimit të tij si ambient politik, shkrimtari dhe botuesi Krenar Zejno ndalet te gjuha si një element shënjues i identitetit të një popullit, ndërsa Elvis Hoxha, lektor i filozofisë në Universitetin e Tiranës, bën një analizë për ekzistencën e dëshmorëve si dëshmi e dinjitetit të një vendi.

Për të përmbyllur mendimin shqiptar në trekëndëshin Prishtinë-Tiranë-Shkup, shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti bën një panoramë të qartë të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjuha e tij është e qartë dhe e thartë jo vetëm ndaj ambicieve politike të Maqedonisë, por veçanërisht të shqiptarëve ndër veti. "Pas Marrëveshjes së Ohrit dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ata duhet të përballeshin me vetveten e të shihnin me kohë se gjatë tërë të kaluarës së tyre në Maqedoninë e pavarur, elitat politike maqedonase, suksesshëm kishin arritur të blinin kohë dhe shqiptarët t'i bënin peng të projektit të tyre dështues, por që me ngulm donin dhe duan ta realizojnë, që një Maqedoni, ku më shumë se gjysma e popullatës është jomaqedonase, ta shpallnin si pronë të etnitetit të tyre.

Duke mos e hetuar sa lirë ia shisnin të ardhmen e vet palës maqedonase, shqiptarët e Maqedonisë nuk e vunë re se edhe shpresa e tyre më e madhe e quajtur Marrëveshja e Ohrit, më kot u harxhua, se edhe atë, pala maqedonase e kishte nënshkruar vetëm pse e kishte vlerësuar si një instrument që do u mundësonte edhe më tej ta blinin sa më lirë tokën shqiptare". Mehmeti mban qëndrim edhe ndaj politikës së Europës, e cila, sipas tij, është gjithnjë e kujdesshme me Ballkanin, si fytyra më e keqe e saj.

Reviews

Write a review

Publikja Shqiptare, ese

Publikja Shqiptare, ese

Janë plot 12 ese kritike, të shkruara nga 12 personalitete të kulturës dhe të mendimit shqiptar, të cilët duke marrë në shqyrtim elementet filozofike, politike, nacionaliste e gjuhësore, na sjellin në vëmendje çështjen kombëtare. Çështja shqiptare dhe shqiptarët 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

Libra të ngjashëm

Klientët që blenë këtë libër, blenë edhe...

Shkarkime

KATËR HAPA PER TE POROSITUR

Udhëzues i shkurtër mbi procesin e porositjes së librave nëpërmjet faqes tonë.

Shkarkime (0)