2 Mars, 2023

Përshëndetje miq,

Ky është buletini i librave të rinj të botuar në gjuhën shqipe gjatë muajit shkurt 2023.

Pagagalli i Floberit, Julian Barnes

Konsideruar si kryevepra postmoderniste e Julian Barnes, romani Papagalli i Floberit sfidon kufijtë ndarës mes poezisë dhe filozofisë, mes historisë dhe letërsisë, mes librit dhe jetës, duke shërbyer si ushqim shpirtëror dhe pasuri kulturore.

Botuar fillimisht në vitin 1984, romani rrëfen kërkimin e studiuesit amator Geoffrey Braithwaite mbi disa elementë të jetës së gjeniut francez Gustave Flaubert dhe përballjet e tij me hilet e historisë dhe të kujtesës, disa prej të cilave janë kurthe të thurrur nga vetë Floberi për pasvdekjen.

Ndërsa gjurmon jetën e Floberit, personazhi përballet me disa sekrete të zymta nga e shkuara e vet familjare dhe me rrugëtimin në kërkim të paqes shpirtërore.

Shkrimtari amerikan Joseph Heller e konsideroi këtë vepër “të mrekullueshme dhe të pasur, një libër për t’u dehur” me të, ndërsa The New York Times thotë se romani është: “Një hibrid vezullues i romanit me biografinë, i letërsisë me kritikën letrare, i shkruar i tëri me një saktësi të bukur.”

Botuesi: Shtëpia e Librit. F. 240, çmimi: 1,000 lekë

Supa Miso, Ruy Murakami

Një nga romanet më ngacmuese të letërsisë japoneze të kohës sonë, Supa Miso paraqet një guidë të jetës së natës në Japoni përzjerë me mister dhe krim, në një mënyrë që vetëm shkrimtarët e mëdhenj japonezë dinë ta bëjnë. Murakami ka prodhuar vepra që synojnë të depërtojnë në rrënjët e një kombi gjithnjë e më të përçarë, përmes shqyrtimit të anëtarëve të tij më të poshtëruar, të dhunshëm dhe të dëbuar nga shoqëria.

Botuesi: Berk. F. 196, çmimi: 1000 lekë

Abanozi, Ryszard Kapuscinski

Shkrimtari dhe gazetari polak Ryszard Kapuscinski paraqet në këtë libër udhëtimet e tij në Afrikën postkoloniale, udhëtime për të cilat, u bë legjendë. Një shkrim plot ngjyra me inteligjencë të thellë, këto ese përshkruajnë një eksplorim magjepsës të jetës së kontinentit në udhëtime të shtrira në mbi tre dekada. Këto reportazhe fokusohen në marrëdhënien plot siklete mes Evropës dhe Afrikës.

Leximi i librave të Kapuscinskit është një mënyrë shumë e mirë për të përjetuar udhëtimet magjepsëse të autorit në një botë të rrezikshme luftrash dhe revolucionesh.

Botuesi: Papirus. F. 393, çmimi: 1200 lekë

Gjashtë personazhe në kërkim të autorit, Luigi Pirandello

Gjashtë personazhe në kërkim të autorit është dramë që ia ndërron kursin teatrit, duke ia vënë pasqyrën përballë. Ajo jepet si një ndërhyrje e papritur e jetës mes dy shfaqjeve dhe, njëkohësisht, si një intermezzo metateatrale. Gjashtë personazhe hyjnë në teatër dhe ngjiten në skenë, duke i ndërprerë provat e një shfaqjeje të Pirandello-s, dhe duke sjellë veten si material për një shfaqje tjetër. Kështu, kjo dramë, e shkruar si prishje e provës së një shfaqjeje dhe si nisje provash për një shfaqje tjetër, risjell në skenë diskutimin mbi funksionin e teatrit dhe mbi relacionin mes jetës dhe artit. Tollovia që shkaktohet në skenë nga karakteret që vijnë nga jeta, është tematizim i problematikës së teatrit. Prandaj kjo duhet lexuar, shikuar dhe vlerësuar si drama e dramës nga origjina deri në ditët e sotme.

Botuesi: Bard. Çmimi: 580 lekë

Një takim, Milan Kundera

Kur Paul Valéry u zgjodh të ulej, në vitin 1925, në mes të “të pavdekshmëve” të Akademisë Franceze, u detyrua – ai që nuk kishte ndonjë respekt të veçantë për artin e romanit – të shprehte, në fjalën që mbajti, lëvdatat për Anatol Francin, paraardhës i tij. Në një “panegjirik” që u bë legjendar, jo vetëm që ia doli të fliste për Francin pa ia përmendur kurrë emrin, por, me një pabesi të hollë, i krahasoi veprat e tij me ato të Tolstoit, Ibsenit, Zolasë, duke e akuzuar për lehtësinë e tyre.

Nuk është çudi, na paralajmëron Kundera: vështirë se romancieri hyn në radhët e atyre që mishërojnë shpirtin e një kombi. Pikërisht për hir të artit të vet, romancieri është kryesisht “i fshehtë, i paqartë, ironik” dhe sidomos – i fshehur pas personazheve të tij – ai zor se identifikohet në një bindje, në një qëndrim: ajo që ka rëndësi për të, nuk është Historia (e aq më pak politika), por “misteri i aktorëve të saj”. Ashtu si Beckett-i, ai është i lirë, madje edhe nga ndjenja e virtytshme e detyrës, që do ta donte rob të një vendi a të një gjuhe; ashtu si Danilo Kiš-i, ai nuk pranon çdo etiketë, qoftë edhe atë joshësen e emigrantit apo disidentit… Dhe shpesh përfundon në listat e zeza, që rregullojnë shijet letrare: sidomos kur, si Malaparte, na zbulon bukurinë e zymtë të një realiteti të çmendur, Europës së re, të lindur nga një disfatë e madhe, dhe një mënyre të re, fitimtare dhe fajtore, të të qenit europian.

Me kalimin e viteve, Kundera na ka mësuar ta shikojmë romanin si një krijesë të brishtë dhe të çmuar, që jeton në një histori të vetme: por kurrë nuk na e kishte zbuluar në mënyrë kaq të qartë dhe magjepsëse fizionominë e romancierit dhe fiziologjinë e tij të dhimbshme, jetike, të fshehur.

Botuesi: Dituria. F. 192, çmimi: 1000 lekë

Zgjedhja, Edith Eger

Në vitin 1944, gjashtëmbëdhjetëvjeçaren Edith Eger e dërgojnë në Aushvitz. Natën e parë e detyrojnë të kërcejë për të famshmin Josef Mengele, njohur ndryshe si “Engjëlli i vdekjes”. Më pas, shqetësimi kryesor është mbijetesa. Por, ia del falë kurajës. Dhe falë kësaj kuraje, ia del edhe motra e saj. Të dyja vajzat i mbijetojnë edhe “Marshimit të vdekjes”.

Ditën e çlirimit të kampit, Edith-in arrijnë ta nxjerrin, pothuaj të vdekur, nga një pirg trupash të pajetë. Sot, Dr. Edith Eger është psikologe, e njohur në gjithë botën për arritjet në këtë fushë. Pacientët e saj janë kryesisht njerëz që i kanë mbijetuar abuzimit, si dhe ushtarë që vuajnë nga stresi post-traumatik. Në këtë libër, bazuar në historinë e saj të Holokaustit, si dhe në historitë e jashtë zakonshme të njerëzve që ka ndihmuar falë profesionit që ushtron, tregon se mund të arrijmë të çlirohemi e të fitojmë tërësisht mbi vuajtjet që mbartim me vete, vetëm nëse jemi në gjendje të përballemi me ato që i kanë shkaktuar- njerëz apo kujtime qofshin.

Botuesi: Pema. Çmimi: 1400 lekë

Biseda rreth seksit, Vannesa Marin, Xander Marin

Pse e kemi kaq të vështirë të flasim për seksin, madje edhe me njeriuntonë më intim?

Komunikimi është i rëndësishëm në një marrëdhënie, por njerëzit nuk dinë si t’i qasen e të flasin për një temë kaq delikate. Ka njerëz që nuk kanë folur kurrë për seksin dhe vetëm nga mendimi i një bisede të tillë, mund të mbulohen me djersë të ftohta.

Ose ndihen kaq të shkëputur nga partneri, saqë seksi është gjëja e fundit tek e cila mund t’u shkojë mendja. Ndoshta janë shumë të frikësuar për të qenë tërësisht të sinqertë në lidhje me atë që dëshirojnë vërtet. Ose nuk kanë as idenë më të vogël se çfarë dëshirojnë, ndaj nuk janë të sigurt se si mund t’i vijnë në ndihmë partnerit.

“Biseda rreth seksit” do t’ju udhëheqë drejt pesë bisedave thelbësore që duhet të bëjë çdo çift për të pasur një jetë seksuale të jashtëzakonshme.

Botuesi: Pegi. F. 345, çmimi: 1200 lekë

Libra të tjerë të rinj:

Kockat e zemrës, Colleen Hoover

Tri rrëfenja, Umberto Eco

Në gjurmët e një përralle, Jan-Philipp Sendker

Parfumi të njeh, Cristina Caboni

101 esetë që do t’ju ndryshojnë mënyrën e të menduarit, Brianna Wiest

Ishulli i përbindëshave, Tuutikki Tolonen

I pushtuari dhe nata, Brajan Sukaj

Përrallat e të Dashuruarve Marrëzisht, Jean-Jacques Fdida

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>