7 Mars, 2024

Disa libra interesantë mbërritën në librari gjatë ditëve të fundit nga letërsia botërore dhe ajo shqiptare. Zbuloni të rejat nga bota e librit.

Shtëpia e Librit

Shkrimtari kolumbian Gabriel García Márquez la si porosi te ndihmësi i tij që të digjte një dorëshkrim, romanin Shihemi në gusht, në të cilin flitet mbi jetën sekrete seksuale të një gruaje të martuar në moshë të mesme. Márquez, i cili u nda nga jeta në vitin 2014 dhe që frymëzoi miliona lexues në të gjithë botën me kryevepra të tilla si Dashuria në kohërat e kolerës apo Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, hasi vështirësi në përfundimin e këtij romani të fundit të pabotuar, duke fshirë fjali apo duke mbajtur shënime në cepat e dorëshkrimit, duke ndryshuar ndajfolje dhe duke i diktuar shënime asistentit të tij. Në fund, ai hoqi dorë dhe dha vendimin final, duke e dënuar romanin me vdekje.

Gonzalo García Barcha djali më i vogël i shkrimtarit vendosi të mos e zbatojë porosinë. Në vend të shkatërrimit, romani u botua në mbi 30 gjuhë njëherësh, përfshirë edhe gjuhën shqipe, më 6 mars, 2024.

Në roman, Ana Magdalena Bach udhëton çdo vit në një ishull të Karaibeve për të vizituar varrin e së ëmës. Në këto pelegrinazhe të trishta, ajo çlirohet shkurtimisht nga bashkëshorti dhe familja dhe i gjen vetes një dashnor të ri çdo herë. Romani i shton në këtë mënyrë një kthesë të papritur në jetën e veprës së García Márquez, gjigandit letrar që fitoi çmimin Nobel në letërsi, ndërsa botimi ka gjasa do të shkaktojë pikëpyetje dhe debate mbi mënyrën se si trashëgimtarët apo shtëpitë botuese kundërshtojnë direktivat e vetë autorit pas vdekjes së tij.

Shihemi në gusht vjen me shqipërimin e Mira Meksit dhe nga shtëpia botuese Onufri.

Onufri, 144 f., 1500 lekë. Librin mund ta gjeni këtu:

Margaret Atwood, gjigandja e letërsisë feministe erdhi në shqip me romanin e saj të parë Gruaja e ngrënshme. Autorja e kryeveprave Rrëfenja e shërbëtores dhe Testamentet, vjen në shqip me shqipërimin e Jerina Dushkut. Romani është i pasur në metafora, i këndshëm dhe komik dhe i mbushur me informacion të thelluar mbi temën që shqyrton. Romani është një kronikë e disintegrimit fantastik dhe dramatik të egos së personazhes kryesore, e cila në fillim shfaqet si një grua e re tërësisht brenda konvencioneve, me miq dhe një bahskëshort tërheqës e të suksesshëm në jetë si dhe një punë goxha të mirë. Vetëm se papritur çdo gjë në jetën e saj duket sikur doli nga kontrolli pikërisht në çastin kur Mariana dukej e gatshme për të plotësuar “ëndrrën e të gjtiha grave” në shkëmbimin e karrierës për martesë dhe fëmijë. Mënyra e kolapsit dhe përfundimi çuditës e bëjnë këtë libër një lexim të shkëlqyer.

Pegi, 404 f., 1200 lekë. Librin e gjeni këtu:

Sekreti i Helenës, Lucinda Riley

Kanë kaluar më shumë se njëzet vjet qëkur Helena, atëherë pesëmbëdhjetë vjeçe, kaloi një verë të paharrueshme në ishullin e Qipros. Një vend i mahnitshëm, i rrethuar nga parcela të mëdha me ullinj dhe një det ngjyrë smeraldi, ku Helena ra në dashuri për herë të parë. Pas një karriere si balerinë klasike, ajo tani jeton në Londër me bashkëshortin Uilliam dhe tre fëmijët dhe, sigurisht, nuk i shkon nëpër mend se kumbari i saj, pas vdekjes, i ka lënë si trashëgimi “Pandorën”, një shtëpi madhështore dhe e mrekullueshme, që ngrihet në kodrat qipriote. Helena nuk i bën dot ballë tundimit për t’u kthyer në ishull me familjen, edhe pse e di se sekretet e shumta që ruan ai vend, ashtu si kutia e Pandorës në legjendë, mund të shkaktojë një stuhi mbi të gjithë. Dhe sidomos mbi djalin e saj trembëdhjetëvjeçar Aleksin, i ndjeshëm dhe rebel, për të kaluarën e të cilit gjithmonë ka heshtur…

 Këtë herë Lucinda Riley na merr me vete në një nga ishujt më magjepsës të Mesdheut, duke na dhuruar një tjetër histori plot të papritura, sekrete, emocione…

Dituria, 512 faqe, 1500 lekë. Librin e gjeni këtu:

Tregime të moçme shqiptare në italisht

Për të gjithë shqiptarët që kanë një mik apo mikeshë italiane, vjen ky libër si një ide shumë e mirë për t’i prezantuar Shqipërinë. Antichi Raçonti Albanesi, pra kryevepra e Mitrush Kutelit, vjen në gjuhën italiane. Tregime të moçme shqiptare është një nga librat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, që kur u botua në vitet 1960. Një përmbledhje koncize dhe një rrëfim magjepsës i tregimeve kryesore popullore të shqiptarëve, ky është libri që ka frymëzuar gjeneratë pas gjenerate shkrimtarësh dhe artistësh dhe përbën një prezantim shumë të mirë të traditës dhe kulturës shqiptare si për lexuesin vendës, ashtu edhe atë të huaj.

320 faqe, 2500 lekë. Libri gjendet këtu:

Studiuesi Pirro Thomo rikthehet me studimin e tij voluminoz Kishat pasbizantine në Shqipëri, një punë kërkimore intensive që sjell në vëmendje disa nga simbolet më domethënëse të kulturës kishtare në trojet shqiptare.

Botimet Berk, 468 faqe, 2,000 lekë.

Tregime për të rritur, Ervin Qafmolla

Në këtë libër do të gjeni dhjetë tregime befasuese, të cilat e dërgojnë lexuesin në situata shumë të larmishme. Në njërin, një incident i parëndësishëm shkakton një seri me keqkuptime tronditëse dhe gjithashtu, qesharake, ndërsa në një tjetër, çunat dhe gocat e Tiranës fusin veten në një ceremoni pseudofetare, përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, një eksperiment që përfundon me konfirmimin e frikërave të tyre më të këqija. Në një tjetër, mishngrënësi e gjen veten të ngrënë ndërsa akoma më tutje,  qytetërimi perëndimor rrëzohet kur një qen kapet duke ngrënë akullore fshehurazi të zotit.

Është një seri me tregime që përfshijnë fantashkencën, makthin, horrorin dhe gallatën, që të gjitha të shoqëruara me muzikë të përzgjedhur.

Shtëpia e Librit, 136 faqe, 700 lekë. Libri mund të gjendet këtu:

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>