17 Mars, 2024

Në vetën e parë, njëjës: Kazuo Ishiguro, fituesi i çmimit Nobel në letërsi, shpjegon se si e shkroi kryeveprën e tij Dita e mbetur.

Shumë njerëzve u duhet të punojnë me orë të gjata. Kur vjen puna te shkrimi i romaneve, gjithsesi, konsensusi duket se është se pas katër orësh shkrimi të vazhdueshëm, fillon të punojë parimi i kthimit margjinal rënës. Gjithmonë pata ecur pak a shumë me këtë mendim, por kur vera e vitit 1987 po afrohej, unë u binda se ishte e nevojshme një përqasje e re drastike. Dhe Lorna, bashkëshortja ime, ishte dakord.

Deri në atë pikë, që kur kisha hequr dorë nga një punë e rregullt pesë vjet më herët, ia kisha dalë goxha mirë të ruaja një ritëm të qëndrueshëm pune dhe produktiviteti. Por sukseset e mija të para publike që ndoqën romanin tim të dytë më kishin shkaktuar shumë çorientime. Propozime të ndryshme me potencial për zhvillim karriere, ftesa për darka dhe për festa, udhëtime të huaja joshëse dhe pirgje me letra, që të gjtiha këto i kishin dhënë fund punës “siç duhet” prej meje. Unë kisha shkruar një kapitull të parë për një roman të ri verën e mëparshme, por tani, gati një vit më vonë, nuk kisha bërë asgjë më tutje.

Kështu Lorna dhe unë dolëm me mnjë plan. Unë, për një periudhë katërjavore, do të fshija pa mëshirë gjithçka që kisha në ditar dhe do t’i hyja diçkaje që në mënyrë disi misterioze quhej: “Thepisje”. Gjatë kësaj thepisjeje unë nuk do të bëja asgjë veç të shkruaja nga ora nëntë e mëngjesit deri më 10.30 të darkës, nga e hëna në të shtunë. Mund të merrja një orë pushim për drekë dhe dy për darkë. Nuk lejohesha të lexoja, e aq më pak, t’i përgjigjegja korrespondencave të mija dhe nuk do t’i përgjigjesha telefonatave as nuk do ta përdorja telefonin. Askush nuk do të lejohej të vinte në shtëpi. Lorna, pavarësisht ditës së saj zakonisht të zënë, për këtë periudhë do të bënte pjesën që më takonte mua në gatim dhe në punët e shtëpisë. Në këtë mënyrë, shpresonim, unë jo vetëm që do të përfundoja punën nga pikëpamja sasiore, por do të arrija në në gjendje mendore në të cilën bota ime letrare do të behej më reale se sa bota ime reale.

Në këtë kohë isha 32 vjeç dhe ne ishim vendosur së fundmi në një shtëpi në Sydenham, në jug të Londrës, ku për herë të parë në jetë kisha një studio të veçantë. (Kisha shkruar dy romanet e para në tavolinën e ngrënies.) Në fakt studioja ishte një lloj kafazi shkallësh i madh në një sheshpushim dhe nuk kishte derë, por unë isha shumë i kënaqur të kisha një hapësirë në të cilën të mund të përhapja letrat rrotull si të më vinte për mbarë dhe të mos më duhej të pastroja në fund të ditës së punës. Unë sajova harta dhe shënime duke i vendosur me ngjitëse nëpër mure dhe u ula të shkruaj.

Kjo ishte në thelb mënyra se si unë shkrova The Remains of the Day (Dita e mbetur). Përmes thepisjes unë shkrova me dorë të lirë, pa u kujdesur për stilin ose sikur diçka që shkroja pasdreke kundërshtonte diçka që kisha caktuar në rrëfenjë para dite. Prioriteti ishte i thjeshtë, të nxirrja idetë në sipërfaqe. Fjali të shëmtuara, dialogje të këqija, skena që shkonin asgjëkundi – le të rrinin këto siç ishin ndërsa unë plugoja më thellë.

Nga dita e tretë, Lorna vërejti gjatë një pushimi në mbrëmje se po sillesha çuditshëm. Të dielën time të parë pushim guxova të dal jashtë, në rrugën kryespre në Sydenham dhe vazhdimisht nënqeshja – më tha Lorna – me faktin se rruga ishte e ndërtuar në një të shpat, kështu që njerëzit që vinin nga  sipër dukej sikur po rrokulliseshin mbi vete, ndërsa ata që po shkonin në të përpjetë po çapiteshin vuajtshëm. Lorna ishte e shqetësuar se unë kisha edhe tre javë të tjera për të vijuar me të njëjtën mënyrë, por ia shpjegova se isha shëndoshë e mirë dhe se java e parë kishte dalë me sukses.

Vijova në këtë mënyrë për katër javë dhe në fund kisha përfunduar pak a shumë të gjithë romanin duke e hedhur lirshëm: natyrisht shumë më tepër kohë këkrohej për ta shkruar siç duhet por të gjitha sukseset imagjinative kishin ardhur përgjatë thepisjes.

Më duhet të them se në kohën kur nisa thepisjen, kisha mbaruar një pjesë të konsiderueshme të “kërkimit”; libra mbi shërbëtorë britanikë, mbi politikën dhe politikën e jashtme mes dy luftërave, shumë pamflete dhe ese nga kjo periudhë, përfshirë një nga Harold Laski me titull: “Rreziqet e të qenit zotëri”. Kisha plaçkitur raftet e librave të përdorur në librarinë e zonës  (Kirkdale Books, ende një librari e pavarur në lulëzim) për doracakë mbi fshatin anglez të periudhës së viteve 1930-’50. Vendimi se kur duhej të filloja të shkruaja romanin – pra kur të filloja të kompozoja rrëfenjën – mua më është dukur gjithmonë se ka rëndësi të madhe. Sa duhet të dish para se të fillosh të shkruash? Nëse nis tepër shpejt, të dëmton dhe po kështu të dëmton po të nisësh tepër vonë. Mendoj se me romanin Dita e mbetur pata fat: thepisja erdhi në pikën e duhur, kur dija mjaftueshëm.

Tani që shoh nga pas, shikoj gjithëfarëlloj ndikimesh dhe burimesh që më frymëzun. Këtu po jap ato që janë më pak lehtësisht të hamendësueshme:

1) Në mesin e viteve ’70, si adoleshent, kisha parë filmin The Conversation, një thriller me regji nga Francis Ford Coppola. Në të, Gene Hackman luan rolin e një eksperti të pavarur të survejimit, njeriu specialist ku njerëzit shkojnë kur duan biseda sekrete të përgjuara. Hackman në mënyrë fanatike dëshiron të jetë më i miri në profesionin e vet – “hafija më i mirë i Amerikës” – por fillon të përndiqet vazhdimisht dhe vazhdimisht nga ideja që përgjimet që ai bën për klientët e tij të fuqishëm mund të sjellin pasoja të zymta, përfshirë vrasje. Besoj se personazhi i Hackman ishte një model i hershëm i Stivenit, shërbyesit te Dita e mbetur.

2) Mendoja se e kisha mbaruar romanin por një ditë në mbrëmje dëgjoba Tom Waits duke kënduar këngën “Ruby’s Arms”. Është një balladë mbi një ushtar që lë dashurinë e tij në gjumë në orët e para të mëngjesit për të kapur trenin për të ikur. Nuk ka asgjë të pazakonshme këtu. Por kënga këndohet në një zë të ashpër të llojit hobo amerikane, shumë e pazakonshme për llojin e emocioneve që ajo përçon. Dhe pastaj vjen një çast, kur këngëtari deklaron se po i thyhet zemra, se kjo është pothuajse e padurueshme për shkak të tensionit mes vetë ndjenjës dhe rezistencës së stërmadhe që nevojitet për të kapërcyer vështirësinë për ta shprehur atë. Waits e këndon vargun me një madhështi tronditëse, dhe ti ndjen njëjetë stoicizmi të çunit të fortë që thyhet përballë trishtimit mbytës. E dëgjova këtë dhe e përmbysa vendimin që pata bërë, atë që Stivensi duhej të mbehej emocionalisht i mbyllur deri në fundin e trishtë. Vendosa se në një pikë, të cilën e zgjodha me shumë kujdez – qëndrimi i tij i prerë do të thyhej dhe një romanticizëm tragjik i fshehur do të mund të vihej re nga lexuesi.

Librat e Kazuo Ishiguro i gjeni këtu:

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>