Dy libra nga George Orwell, shkrimtari kenian Ngugi Wa Thiong’o, apo romani i regjisorit Edmond Budina, janë disa nga librat e rinj të mbërritur në librari gjatë muajit mars.
Shtëpia e Librit
Shkrimtari britanik George Orwell është i mirënjohur mes shqiptarëve për romanet Ferma e Kafshëve dhe 1984. Por pavarësisht kësaj, pjesa më e madhe e veprës së tij nuk gjendet në shqip edhe pse romanet apo reportazhet e tij janë të shumëlexuara në të gjithë botën.
Në përpjekje për të përmbushur këtë boshllëk, Shtëpia e Librit solli gjatë muajit mars dy libra të Orwell: Romanin Dalje për ajër, i cili vjen për herë të parë në shqip dhe kryeveprën Lavdi Katalonisë, reportazhin e gjatë të Orwell nga Lufta Civile e Spanjës.
Dalje për ajër konsiderohet si romani më i arrirë i Orwell sa i përket stilistikës në narrativë dhe ironikisht, konsiderohet edhe si një roman konservator për shkrimtarin e njohur si një socialist i bindur. Personazhi i tij, Xhorxh Bouling, mezoburrë pa pretendime intelektuale që jeton në një lagje periferike në një shtëpi me kredi, pëson një krizë shpirtërore që e shpie në kërkim të një parajse të humbur. Nëse do ta gjejë apo jo, kjo mbetet për t’u parë nga leximi i librit.
Dalje për ajër, George Orwell. 276 faqe, 900 lekë.
Lavdi Katalonisë është një libër që u botua për herë të parë ndërkohë që Lufta Civile e Spanjës vijonte dhe Franko nuk kishte triumfuar ende. Dhe pavarësisht kësaj, ky libër vijon të lexohet sot në të katër anët e botës si një libër i mrekullueshëm mbi luftën, mbi demokracinë, mbi totalitarizmin, mbi propagandën, mbi bukuritë e Spanjës, mbi Barcelonën dhe mbi Kataloninë. Lexo më shumë blogun.
Lavdi Katalonisë, George Orwell. 272 faqe, 900 lekë.
Shkrimtari grek Nikos Kazanxaqis erdhi në shqip me atë që njihet si “ushtrim shpirtëror”, librin Asketika. Ky është libri ku shkrimtari i madh parashtron filozofinë e tij të jetës. “Vijmë nga një abis i errët; përfundojmë në një abis të errët; hapësirën e shndritshme mes tyre, e quajmë jetë,” shkruan Kazanxaqis në fillim të esesë.
Asketika, Nikos Kazanxaqis. Botimet Zenit. 121 faqe, 500 lekë
Shkrimtari bashkëkohor kenian NGŨGĨ WA THIONG’O vjen për herë të parë në shqip me romanin Me lumin midis. Romani rrëfen Kenian para-koloniale dhe atë koloniale, ardhjen e “një populli të veshur me flutura” të cilët ishin britanikët, sjelljen e kulturës së tyre, fetare dhe administrative. Ndërkohë, popullsia jeton ende me zakonet e vjetra që janë shtylla e mbijetesës së tyre, të forcës, besimit dhe pastërtisë. Përplasja midis dy fiseve është gjithashtu ballafaqimi me kolonizatorët, po aq sa dhe vendimi për t’iu nënshtruar atyre apo të qëndruarit të paepur në besimin e lashtë që i ka udhëhequr.
Me lumin midis, Ngugi Wa Thiong’o. Botimet Arka e Noes, 176 faqe, 800 lekë
Përjetime 1936-2021, Bahri Beci.
Gjuhëtari Bahri Beci sjell kujtimet e një jete në këtë libër voluminoz.
Përmes publicistikës, ai sjell ngjarjet vendimtare të kulturës: nga Kongresi i Manastirit deri tek ai i Drejtshkrimit; rrugëtimin e vështirë të një shkencëtari të gjuhës në korridoret e ngushta të doktrinës politike; skicën e formimit të atij që profesor Besi e quan “Homo ideologicus”, sipas tij, dëmi më i madh që i ka bërë shoqërisë shqiptare diktatura komuniste. “Ishte krijuar njeriu ideologjik, që është e keqja më e madhe e këtij vendi në të dyja kohët”, thotë profesori, ndërsa përshkruan kulisat e ndërtimit të “elitës së re” me urdhër dhe bekim politik.
Botimet UET Press. 442 faqe, 1200 lekë
Profesori Gjerak Karaiskaj erdhi me botimin Fortifikimet a Antikitetit të vonë dhe Mesjetës në Shqipëri. Nëpërmjet krahasimeve të shumta dhe shfrytëzimit të burimeve historike përcaktohet vendi që zënë fortifikimet në Shqipëri në kuadrin e perandorive të mëdha, si dhe marrëdhëniet e ndikimet reciproke në rrethana dhe faza të caktuara historike.
Botimet Berk, 278 faqe, 2,000 lekë
Libra të tjerë me interes:
Jeta ime, Demi Moore
Teksa ngjiste shkallët e karrierës në Hollivud, e kaluara dhe fëmijëria e saj e përndiqnin, duke i lënë gjithmonë vend një hijeje dyshimi dhe pasigurie për aftësitë e saj. Pikërisht për këtë, ajo shpesh u përball me beteja të mëdha kundër vesit të drogës, mungesës së vetëvlerësimit etj.
Botimet Living, 312 faqe, 1400 lekë
Jetë imagjinare, Marcel Schëob
“Jetë imagjinare” përmban njëzet e dy portrete mito-poetike dhe letrare nga bota e antikitetit, e historisë së artit dhe nga ajo e krimit. Prej kësaj galerie të mbushur me lloj-lloj personazhesh — nga gjysmëzotat, magjistarët, zjarrvënësit, figura të shquara të antikitetit, te poeti Cecco Angiolieri apo piktori Paolo Uccello, duke u mbyllur me piratët Ëilliam Kidd , Stede-Bonnet dhe vrasësit Burke dhe Hare — Schëob-i ekspozon një aradhë temperamentesh të gjalla, një panair të anëve më të errëta, të poshtra e të frikshme të njerëzve dhe vetë jetës.
Botimet Pika pa sipërfaqe, 192 faqe, 1,000 lekë
Flama, Tom Kuka
Teksa Di Hima heton, na shpaloset përpara syve një mjerim i madh, jo vetëm ekonomik, por edhe shpirtëror. Njerëz që nuk duan të njohin rrënjët e tyre, të shkuarën e tyre; gra që shiten e blihen në pazar për hiçmosgjë, njerëz të kulturës që i kanë duart e lidhura në gjithë atë zallahi, mjekë që përplasen me realitete të paimagjinueshme, njerëz të lirë si banorët e Bregut të Lumit, që prapë mbeten me disa parime brenda për brenda “shthurjes” së tyre.
Botimet Pegi, 120 faqe, 800 lekë
Kokëmushkat, Edmond Budina
Pas një nate pasioni, Enkelejda Borshi zhduket. Në kërkim të së vërtetës, i fejuari i saj italian, Emanuele D, përplaset me një mur të pakapërcyeshëm të një bote të panjohur. A do ta zbulojë vallë enigmën e zhdukjes së saj?
UET Press. 320 faqe, 1,000 lekë