20 Mars, 2021

Mund ta porosisni këtu ose e gjeni në libraritë kryesore

Ndërsa lexon librin Lavdi Katalonisë, (Homage to Catalonia) Spanja të vjen e gjallë para syve me qytete, male dhe njerëz; vuajtjet e gëzimet e shkrimtarit bëhen edhe të tuat. Vuajtjet e tij nga i ftohti në llogore të mbushin trupin me drithërima ndërsa sikleti i mungesës së duhanit në mes të stresit të luftës të hedh në këmbë dhe të bën të ndezësh edhe ti një cigare sa për t’u siguruar se nuk të mungon. Shpresa e tij për një shoqëri të barabartë të mbush me shpresë edhe ty. Ndërsa qëndronte në llogore, kryesisht pa bërë asgjë të vlefshme për demokracinë, siç e përshkruan ai pjesëmarrjen e tij në luftë, Orwell qëllohet në qafë nga një plumb i hedhur nga një snajperist nga llogoret fashiste. Përshkrimi që i bën Orwell plagosjes së tij është i tillë sa të shkon dora instinktivisht në qafë se mos plumbi të ka zënë edhe ty vetë gjatë leximit.

Pavarësisht se ky është libri i shkruar ndërkohë që Lufta Civile e Spanjës nuk kishte përfunduar ende dhe Franko mundej edhe të mposhtej në fushëbetejën për shpirtin e Evropës, Lavdi Katalonisë vijon të lexohet sot në të katër anët e botës si një libër i mrekullueshëm mbi luftën, mbi demokracinë, mbi totalitarizmin, mbi propagandën, mbi bukuritë e Spanjës, mbi Barcelonën dhe mbi Kataloninë. Në vitin 2017, ndërsa bota mbajti sytë nga referendumi i Katalonisë për pavarësi, The New York Times rekomandonte si një nga librat më të vlefshëm për të kuptuar Spanjën, pikërisht librin e Orwell, Lavdi Katalonisë.

Një pafundësi me ese janë shkruar për këtë libër përgjatë 80 e kusur viteve që kur u shkrua, ku shkrimtarë nga më të ndryshmit e kanë parë gjithsecili sipas asaj që ka konsideruar më të rëndësishme.

Unë vetë kam qeshur aq shumë me humorin e tij mbi veten dhe luftën sa pothuajse e gjeta këtë libër të ngjashëm me Ushtarin e mirë Shvejk.

Por ky nuk është një libër për të qeshur.

Në Luftën Civile të Spanjës vdiqën mbi gjysmë milioni njerëz.

Në vitin 1936, gjeneralët e ushtrisë së Spanjës organizuan një grusht shteti kundër qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike. Grushti i shtetit dështoi pasi punëtorët e organizuar në sindikata e ndaluan ushtrinë të merrte kontrollin në qytetet kryesore të vendit, nëpër beteja të pabarabarta të luftuar pëllëmbë më pëllëmbë. Ushtarakëve iu deshën gati tre vjet për të mposhtur rezistencën në një luftë civile të përgjakshme që la pas mbi gjysmë milioni të vdekur në një vend që në atë kohë kishte 25 milionë banorë. Një gjysmë milioni të tjerë u arratisën nga vendi, kryesisht për në Francë.

E zhvilluar pak para Luftës së Dytë Botërore, Spanja u bë vendi i përplasjes së gamës më të gjerë të ideologjive, nga më ekstremistet te më të moderuarat, si dhe vendi ku u eksperimentuan në kushte reale armatimet që më vonë u bënë të njohura në të gjithë kontinentin nga Lufta e Dytë Botërore.

Shkrimtarët më të njohur të kohës, Malraux, Koesler, Hemingway dhe Dos Passos, si dhe qindra të tjerë më pak të njohur, shkuan atje ndërsa ata që nuk shkuan, kishin brejë ndërgjegjeje.

Ishte vendi ku u përplas fashizmi me komunizmin, demokracia me totalitarizmin, realpolitika me politikën e naivëve idealistë. Orwell ra në Barcelonë mes grupimit POUM, i konsideruar si partia më idealiste mes idealistëve të së majtës, e cila kuptueshëm u bë viktimë e idealizmit të vet.

Ishte një luftë aq komplekse sa dekada me radhë historianët janë munduar për t’i dhënë kuptim. Antony Beevor, një nga historianët më të fortë të historisë ushtarake vëren në librin e tij The Battle for Spain (Beteja për Spanjën) se një nga shumë çuditë e kësaj lufte ishte se, ndryshe nga sa ndodh zakonisht në histori, këtu pala humbëse fitoi betejën morale. Ndërsa thuhet se historinë e shkruan gjithmonë fituesi, në rastin e Spanjës ndodhi e kundërta: betejën për të drejtën e fituan pala humbëse. Dhe këtu Beevor thotë se libri Lavdi Katalonisë është “një tablo e pakrahasueshme e thashethemeve, dyshimeve e tradhtisë të Luftës Civile.”

Ai George Orwell që shkoi në Spanjë në fund të vitit 1936 ishte një njeri i aftë për të analizuar se çfarë ndjente kur merrte shënjestër për herë të parë kundër një qenie njerëzore, e megjithatë e mbante shënjestrën mirë; ishte ai që me qetësi llogariste rrezikun në të cilin gjendej dhe nuk pretendonte se nuk kishte frikë; ishte ai që përshkroi me saktësi emocionet që përjetoi kur u plagos me një plumb që dukej se po i merrte jetën. Ai kishte një sy të mprehtë për dobësinë e njeriut, për dobësinë e atij vetë si dhe të të tjerëve. Për shembull, kur u  kthye nga fronti për në Barcelonë në pranverën e vitit 1937, ai shprehu keqardhje për rikthimin e ekstravagancës në qytet pa harruar të shtojë: “ Zoti më dënoftë nëse pretendoj ndonjë lloj superioriteti moral. Pas shumë muajsh parehatie në front, kisha një dëshirë shumë tokësore për ushqim të mirë, verë dhe kokteje, cigare amerikane.”

Libri Lavdi Katalonisë u publikua nga Shtëpia e Librit në mars 2021. E gjeni nëpër librari ose mund ta porosisni online.

Libra të tjerë nga George Orwell

I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër

Në vitin 1928, 25 vjeçari Eric Arthur Blair vendoset në Paris, kryeqyteti i kulturës botërore dhe destinacioni i shumë shkrimtarëve dhe artistëve, të pasur dhe të varfër, nga e gjithë bota. Një incident i pakëndshëm i ndodh shkrimtarit të ri, që e zhyt në mjerim, në uri dhe në kërkim të punëve të rëndomta. Shkrimtari, që më vonë u bë i njohur me pseudonimin George Orwell, nisi në këtë mënyrë të eksploronte Parisin dhe, më pas Londrën, nga statusi i “skllavit të skllavit” dhe prej syve të endacakut.

I botuar fillimisht në vitin 1933, I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër u bë një udhërrëfyes klasik i dy metropoleve të mëdhenj dhe një analizë e mprehtë sociale e politike e viteve ’30. Ky është libri që besohet se caktoi edhe pikën e kthesës së Orwellit, nga fëmija e një familjeje me mirëqenie dhe i arsimuar në shkollën e elitës Eton, në luftëtar për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

236 f., 800 lekë.

Dalje për ajër

Xhorxh Bouling përballet me një krizë të shumëfishtë: ai është mezoburrë, ka lënë veten të shëndoshet dhe tashmë i kanë rënë të gjitha dhëmbët.  Ai ka një jetë të mesme, bën një punë të mërzitshme duke shitur polica sigurimi – për të cilat pranon se janë biznes dallavere – si dhe është një njeri që ka frikë! Frikë nga bombat, nga shkopat e gomës, nga radhët e gjata për të blerë bukë. Gazetat tablloide e sigurojnë se gjërat janë mirë, se teknologjia i ka mposhtur bombat, ndërsa nuk harrojnë të raportojnë me bollëk për vrasje makabre dhe… martesën e mbretit Zog diku atje larg nëpër botë. Ishte pikërisht pankarta e shtypit të ditës, e cila njoftonte dasmën e mbretit shqiptar, ajo që e zhyti personazhin e Orwell në mendime të thella mbi kapitalizmin e egër, banalitetin e shoqërisë së shtresës së mesme dhe medias tablloide. Ai kërkon të shpëtojë nga të gjitha këto duke u kthyer pas në kohë, te një vend ku ishte gjithmonë verë, ku dilte për peshk sepse “peshkimi është e kundërta e luftës” dhe ku nuk kishte rrjete supermarketesh, as bythëlëpirje te shefi, as telendisje të punëtorit, në një botë ku nuk kishte Hitler. Por a do ta gjejë ai shpëtimin?

276 faqe, 900 lekë

Tri ese: Mbi Nacionalizmin, Një varje dhe Pse shkruaj

George Orwell njihet sot si profeti që paralajmëroi njerëzimin nga rreziqet që mbart propaganda dhe dizinformimi për lirinë dhe demokracinë përmes romaneve 1984 dhe Ferma e Kafshëve. Megjithatë, për sa kohë ishte gjallë, Orwell ishte i njohur në veçanti për një numër të lartë esesh, të cilat patën ndikim të stërmadh në formimin e mendimit intelektual gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.

Orwell ka shkruar me qindra ese, ku ka shqyrtuar probleme politike, shoqërore apo letrare. Përzgjedhja e disa prej këtyre eseve për t’u sjellë në gjuhën shqipe ishte një punë aspak e lehtë.

Eseja Mbi Nacionalizmin është botuar fillimisht në tetor të vitit 1945, kur Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar, Orwell e konceptoi këtë ese si një paralajmërim për popullin britanik për rrezikun e fodullëkut të elitave, por eseja u përkthye me shpejtësi në gjuhën frënge dhe u pa me vlerë për shumë vende të tjera të botës, duke hedhur themelet për mënyrën se si nacionalizmi analizohet dhe gjykohet që nga ajo kohë.

Pse shkruaj është një nga esetë më të njohura të Orwell, e botuar në vitin 1946, një ese ku ai tregon shumë për vetveten.

Një varje është një nga esetë më të hershme të Orwell dhe flet për kohën kur ai ishte polic në Burma, (sot Maimar). 64 f., 300 lekë.

Gjithashtu rekomandohet:

Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundur, Peter Pomerantsev

Një producent televiziv eksploron Rusinë e kohës sonë duke depërtuar në shoqërinë ruse nga këndvështrime të ndryshme; nga bota e tetëmbëdhjetë vjeçareve që gjejnë dashnorë pasunarët e rinj dhe që recitojnë Pushkinin si pjesë e recetës së joshjes, te gangsterët nga Siberia që vendosin të shkruajnë libra dhe të xhirojnë filma mbi bëmat e tyre. Por ndërsa vitet e tij në Rusi kalojnë, Pomerantsev-i fillon të vërejë se edhe Rusia po ndryshon, dhe jo për mirë.

Pará nafte, korrupsion dhe oligarkë që vrasin shansin për një shtet të së drejtës dhe krijojnë një vend të keq për të jetuar. Një popullsi që ushqehet me një recetë të bollshme propagande dhe dizinformimi, të përzier me emisione cilësore; art modern, spektakle banale dhe një botë teknologësh politikë, që janë në gjendje të krijojnë një realitet joekzistues përmes kontrollit të televizioneve.

Ky libër është një lexim i domosdoshëm për të kuptuar makiavelizmin politik të shekullit të njëzetë e një dhe teknikat e përdorura nga diktatorët e shekullit tonë. 316 f., 1000 lekë.

Mbi tiraninë, Timothy Snyder

Në një libër konciz ku çdo fjali është një maksimë, Snyder merr përsipër të na japë njëzet leksione nga shekulli i njëzetë mbi atë se si ne dhe bashkëkohësit tanë duhet të përballemi me rrezikun e tiranisë.

Nëse je një polic, një gazetar apo një jurist, këshillon Snyder mes të tjerash, ki parasysh se respektimi i parimeve etike të profesionit tuaj mund të rezultojë një element vendimtar në parandalimin e një tiranie.

Nëse je qytetar, ki parasysh se informacioni që ti lexon dhe informacioni që shpërndan në internet është po kaq i rëndësishëm. Nëse lexon dhe shpërndan informacione të pakonfirmuara, është njësoj si t’i japësh makinës në rrugë dhe të përplasesh me makinën përballë pa e ditur se një qenie tjetër njerëzore përveç teje rrezikon të humbasë jetën nga përplasja.

Dhe nëse do të jesh qytetar i mirë, argumenton ai më tutje, lexo më shumë libra fizikë dhe ndiq më pak internet. 136 f., 500 lekë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>