22 Tetor, 2020

Të nderuar miq,

Për shkak se Panairi i Librit i vitit 2020 nuk do të zhvillohet për të shmangur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të COVID-19, Shtëpia e Librit po ofron të gjitha librat, të botuar prej nesh apo të botuesve të tjerë, me ulje 10-30%.

Kjo është një nismë për të zëvendësuar sadopak festën e përvitshme të librit që është zhvilluar në Tiranë çdo nëntor përgjatë dy dekadave të fundit, por që këtë herë është anuluar.

Vizitoni Shtepiaelibrit.com për të parë të gjithë katalogun.

Vizitoni botimet e reja për vitin 2020

Vizitoni botimet e reja për vitin 2019

Si zakonisht, pagesat nga jashtë Tiranës pranohen me transfertë bankare ndërsa brenda Tiranës mund të sjellim për dorëzim korrierin tonë, gjë që mundëson pagesë në dorëzim.

Ju faleminderit!

Shtëpia e Librit

Më poshtë po ju ridërgojmë informacion mbi botimet e Shtëpisë së Librit, të cilat do të ofrohen në paketa me ulje.

Shtëpia e librit ka sjellë këtë vit tre libra të karakterit politik/aktualitet:

Mbi Nacionalizmin dhe ese të tjera nga George Orwell erdhën në shqip për herë të parë. Eseja Mbi Nacionalizmin u botua fillimisht në vitin 1945 dhe vjen si surprizë. Shkruar nga një shkrimtar britanik si Orwell, ai flet për nacionalizmin, jo thjeshtë nacionalizmin e lidhur me një etni apo një komb, por nacionalizmin e lidhur me çfarëdolloj grupi identitar. Orwell shpjegon se si njeriu shpesh kundërshton arsyen për të mbrojtur identitetin e vet. Ai vëren gjithashtu se nacionalizmi është një fenomen që nuk duhet të ngatërrohet me patriotizmin apo atdhedashurinë. Që kur doli në librari në janar të këtij viti, ky libër është bërë i shumëshitur absolut nga lista e librave të botuara nga ne.

Mbi tiraninë: Njëzet leksione nga shekulli i njëzetë nga Timothy Snyder është një libër i një historiani bashkëkohor që u shkrua si një paralajmërim për amerikanët në epokën e Trump. Ndërsa Amerika i afrohet zgjedhjeve presidenciale këtë nëntor, libri i Snyder vijon të qëndrojë në listën e librave më të lexuar amerikanë të viteve të fundit. Një libër që ndihmon për të vënë re shenjat që paralajmërojnë rrëshqitjen e një vendi drejt totalitarizmit.

Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundur, Peter Pomerantsev. Një producent televiziv eksploron Rusinë e kohës sonë duke depërtuar në shoqërinë ruse nga këndvështrime të ndryshme; nga bota e tetëmbëdhjetë vjeçareve që gjejnë dashnorë pasunarët e rinj dhe që recitojnë Pushkinin si pjesë e recetës së joshjes, te gangsterët nga Siberia që vendosin të shkruajnë libra dhe të xhirojnë filma mbi bëmat e tyre. Por ndërsa vitet e tij në Rusi kalojnë, Pomerantsev-i fillon të vërejë se edhe Rusia po ndryshon, dhe jo për mirë.

Pará nafte, korrupsion dhe oligarkë që vrasin shansin për një shtet të së drejtës dhe krijojnë një vend të keq për të jetuar. Një popullsi që ushqehet me një recetë të bollshme propagande dhe dizinformimi, të përzier me emisione cilësore; art modern, spektakle banale dhe një botë teknologësh politikë, që janë në gjendje të krijojnë një realitet joekzistues përmes kontrollit të televizioneve.

Ky libër është një lexim i domosdoshëm për të kuptuar makiavelizmin politik të shekullit të njëzetë e një dhe teknikat e përdorura nga diktatorët e shekullit tonë.

Shtëpia e Librit ka edhe pesë tituj të tjerë nga letërsia, të cilët janë vonuar për shkak të pandemisë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>