5 Janar, 2020

Alber Kamy

Ngjan si asgjë më shumë se sa një teori komploti e mbështetur në një fije shumë të hollë faktesh jo të shëndetshme. Megjithatë, teoria se Kamyja u vra nga KGB na rikthen edhe një herë pas në kohën kur e majta franceze ishte e zënë mes konfliktit të stalinizmit me antistalinistët.

Shtëpia e Librit

Në një segment rrugor të drejtë, në një rrugë 12 metra të gjerë dhe me pak trafik, më 4 janar 1960, botuesi i famshëm francez Michel Gallimard humbi kontrollin e makinës që po drejtonte duke e përplasur atë në një pemë.

Pasagjeri i tij, shkrimtari ekzistencialist Alber Kamy, (Albert Camus) i cili ishte bërë vetëm dy vjet më parë, nobelisti i dytë më i ri në historinë e letërsisë së shekullit të njëzetë, vdiq menjëherë. Gallimard, i cili kishte trashëguar biznesin e botimit nga babai, vdiq dy ditë më vonë në spital.

Për Kamynë, i cili i dha jetë filozofisë së Absurdit, aksidenti nuk ishte se si të ishte më absurd. Aksidenti i dha fund jetës relativisht të shkurtër të një prej intelektualëve më trazues dhe më kokëfortë të Francës së kësaj kohe. Ai ishte vetëm 46 vjeç.

Tani, gjashtëdhjetë vjet më vonë, një libër i ri i botuar në Itali sugjeron se aksidenti ishte një komplot i organizuar nga shërbimi sekret sovjetik KGB si një hakmarrje ndaj retorikës antisovjetike të tij.

Autori italian Giovanni Catelli e hodhi për herë të parë këtë teori në vitin 2011 duke cituar komente nga ditari i një poeti të njohur çek, Jan Zábrana, i cili sugjeronte se vdekja e Kamy mund të mos kishte qenë një aksident. Tani Catelli e ka zgjeruar kërkimin e tij në një libër të tërë, në përpjekje për të vërtetuar teorinë, që për shumë njerëz mbetet vetëm në nivelin e një hamendësimi, një teori komploti.

Sipas ditarit të Zabranës:

“Dëgjova diçka shumë të çuditshme nga goja e një njeriu që dinte shumë gjëra dhe kishte burime të shumëinformuara. SIpas tij, aksidenti që solli vdekjen e Alber Kamysë më 1960 u organizua nga spiunët sovjetikë. Ata dëmtuan një gomë të makinës duke përdorur një pajisje shumë të sofistikuar që preu apo bëri një vrimë në gomë kur makina ishte me shpejtësi”.

Zabrana i shkruajti këto fjalë në vitin 1980 dhe vdiq katër vjet më vonë pa informuar ndokënd se kush ishte burimi i tij. Fjalët e tij të zbuluara më 2011 thjeshtë sa shtojnë pak peshë në një teori që për studiuesit seriozë konsiderohet e pambështetur në fakte të shëndosha.

Alison Flinch, një profesor i letërisë franceze në Kembrixh nuk është i bindur se në teorinë e vrasjes nga KGB ka ndonjë gjë të vërtetë. Ai vëren se mbështetësit e kësaj teorie janë në përgjithësi njerëz pa shumë lidhje, një regjisor filmi, një shkrimtar dhe përkthyes çek dhe një avokat kontrovers francez të viteve ’60.

Pavarësisht kësaj, sugjerimi se KGB kishte armiqësi ekstreme me Kamynë na rikujton diçka më të gjerë se sa supozimi jo shumë i mbështetur në fakte se kjo armiqësi solli vdekjen e tij. Marrëdhënia e intelektualëve francezë me ideologjinë komuniste nga njëra anë dhe me zbatimin e hidhur dhe me pasoja të tmerrshme për miliona njerëz të kësaj ideologjie në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera të kësaj ideologjie.

Ndryshe nga bashkëkohësi i tij Jean-Paul Sartre, Kamyja nuk justifikoi kurrë krimet e Bashkimit Sovjetik: kur ishte i ri pati një flirt me këtë ideologji në vitet ’30, por u etiketua shpejt si Trockist dhe u përjashtua nga Partia Komuniste. Pas kësaj ai u bë anarkist dhe mbrojtës i viktimave të abuzimeve totalitare, të tillë sii revolucionarët hungarezë të shtypur nga sovjetikët në vitin 1956.

Kundërshtitë mbi komunizmin sovjetik ishin pjesërisht përgjegjëse për sherrin e madh mes Kamysë dhe Sartrit. Të dy shkrimtarët ishin takuar për herë të parë më 1943 dhe ishin bërë miq. Mosmarrëveshjet u ashpërsuan pas publikimit nga Kamy të Njeriu i Revoltuar.

Ky ishte libri që i dha zë ‘filozofisë së revoltës’. Ky nuk ishte një sistem filozofik më vete por një përzierje e ideve filozofike me ato politike: çdo njeri është i lirë, por liria në vetvete është relative; dikush duhet të përqafojë limitet, të ushtrojë vetëpërmbatjen, të ‘llogarisë rrezikun’; absolutistët janë anti-njerëzorë. Mbi të gjitha, Kamyja dënoi dhunën revolucionare. Dhuna duhet të përdoret në rrethana ektreme (Kamyja ishte mbështetës i angazhimit të Francës në luftën e dytë botërore) por përdorimi i dhunës revolucionare si mjet për të shtyrë historinë në drejtimin që ti dëshiron është utopi, absolutizëm dhe tradhëti e vetvetes.

“Liria absolute është e drejta e më të fortit për të dominuar,” shkroi Kamyja, ndërsa “drejtësia absolute arrihet nga shtypja e të gjithë kontratiktës. Për rrjedhojë ajo shkatërron lirinë.” Konflikti mes drejtësisë dhe lirisë kërkonte një balancim të vazhdueshëm, vetëpërmbajtje politike, pranim dhe lavdërim të asaj që na kufizon ne më shumë se çdo gjë tjetër: humanizmin tonë.

Kamy e deklaroi veten për një socializëm paqësor, një të tillë që nuk do të përdorë dhunën revolucionare. Në fund të fundit, ai ishte i rrënqethur nga lajmet që vinin nga Bashkimi Sovjetik, vendi i gulagëve, gjyqeve false, ekzekutimeve për asgjë dhe urisë masive.

Sartre (dhe komunistë të tjerë) e panë këtë libër me neveri. Ata mendonin se dhuna revolucionare ishte diçka e domosdoshme, ose e pashmangshme për të arritur atë që ata e përshkruanin si komunizëm.

Vetëm pas vitit 1956, kur tankset sovjetike shtypën Hungarinë, Sartri filloi të distancohet nga komunizmi sovjetik, por mbeti sërish në të njëjtat vija duke kaluar te mbështetja e Maoizmit kinez, një ideologji që gjithashtu shkaktoi miliona viktima në emër të utopisë komuniste.

Lexo më shumë:

Albert Camus – Tri Parakushte për të përballuar Absurditetin e Jetës

Simone de Beauvoir – Letra të nxehta jo vetëm për dashurinë

Zhan Pol Sartri ishte i pari që refuzoi Çmimin Nobel

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>