Letra të nxehta jo vetëm për dashurinë

0
900

Një histori dashurie transatlantike mes një shkrimtari amerikan dhe një shkrimtareje franceze, e cila është dokumentuar në një seri letrash të jashtëzakonshme, të cilat përshkruajnë me detaje jetën dhe ndjenjat e një prej shkrimtareve më me ndikim në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.

Kopertina e Një dashuri transatlantike nga Simone de Beauvoir

Shtëpia e Librit

Në vitin 1947, Jean-Paul Sartre ndryshoi planet e tij dhe për rrjedhojë, Simone de Beauvoir e zgjati qëndrimin e saj në Amerikë, ku ajo kishte përfunduar së fundmi një turne leksionesh, turne që ishte mjaftueshëm i gjatë për të nisur një histori dashurie me Nelson Algren, histori që u dokumentua në letrat që ajo i dërgoi atij dhe që u botuan në librin “Një Dashuri Transatlantike.” Marrëdhënia Algren-Beauvoir, e cila vijoi në një formë apo një tjetër për gati dy dekada, filloi disintegrimin e vet të gjatë dhe episodik afro një vit pasi filloi. Ndoshta i keqkuptuar nga mënyra se si ajo i drejtohej atij, psh: “burri im i dashur” apo mënyra se si përshkruante ajo veten “gruaja jote që të do” dhe në një rast, “gruaja jote lakuriq që po ofshan”), Algren i kërkoi Beavoir që të martohej me të. Dhe megjithëse është shumë e ndershme të vëresh se ai nuk ishte aq shumë i gatshëm që të zhvendosej për në Paris, e akoma më pak, të mësonte frëngjisht, dhe po gjithashtu ajo nuk ishte e gatshme të zhvendosej në Çikago, është gjithashtu e qartë se megjithëse ajo teknikisht ishte ajo që refuzoi, në fakt dukej se ajo dëshironte t’i vinin rrotull ndërsa ai po kërkonte martesë.

Në një mënyrë, sjellja e Beauvoir dhe shpjegimi që ajo dha për refuzimin e propozimit të Algren, imiton (dhe përbën po aq pak sens logjik) sa edhe justifikimet e një burri të martuar ndaj dashnores së tij: Shpirt, të dua më shumë se çdo gjë, por angazhimet e mija aktuale e bëjnë të pamundur që ne të jemi bashkë; gjithsesi, ti je gjëja më e rëndësishme në jetën time (me përjashtim të Sartrit). Pasi Beauvoir kaloi një vit duke shkruar gjëra të tilla si: “kur mendoj se do të të shoh, se do të të ndjej, mua më merren mendtë… fyti më ngushtohet dhe më thahet goja. Unë do të bëhen reale, në më pak se një muaj,” ajo sërish ndryshoi planet e saj në minutën e fundit për shkak se Sartri ndryshoi planet e tij. Rrjedhimisht koha që ajo planifikoi të kalonte me Algren u ul nga tre në dy muaj.

Marrëdhënia e Beauvoir me Algren mund të thuhet se ka ekzistuar diku në një pikë të caktuar mes të qenit dhe të mosqenit: ata i shkruan njëri-tjetrit nga viti 1947 deri në vitin 1863, por kaluan sëbashku në totak më pak se një vit e gjysmë, më së shumti në periudha pushimesh, të cilat shpesh ishin – sipas përshkrimit të vetë Beauvoir në shkrime të tjera autobiografike – të mbushura me ankth, frustrim dhe pakënaqësi të vogla.

Simone de Beauvoir shkroi gjerësisht jetën e saj në librat Forca e Rrethanës, Kujtimet e një vajze të mirë, apo Les Manderins, në të cilin përshkroi në mënyrë të hapur eksperiencat seksuale me Algren duke e zemëruar shumë këtë të fundit. Megjithatë, letrat e saj private për Algren, të cilat u publikuan fillimisht në frëngjisht por u shkruan të gjitha drejtpërsëdrejti në anglisht, hapin një dritare të plotë dhe veçanërisht të sinqertë në botën e Simonës, gruas më shumë se sa de Beauvoir, shkrimtares.

Në fund të fundit, këto janë letra dashurie, por kushdo që mendon se janë thjeshtë letra dashurie gabohet rëndë. Në këto 560 faqe me format të madh mund të ndiqet jeta, ndjenjat dhe mendimet e një prej shkrimtareve më vendimtare të shekullit të njëzetë siç ato rrodhën ditë pas dite, përfshirë aventurat e udhëtimeve anekënd botës.

“Ata habiten që një grua ekzistencialiste nuk është tepër e shëmtuar,” shkruan de Beauvoir më 31 Janar 1948. “Kudo thonë, se unë dhe Sartri jemi të martuar; e dinë që s’është e vërtetë, por bëjnë sikur besojnë që jemi, sepse po të mos ishim do të ishte e pamoralshme të na ftonin,” shton ajo.

“Trazirat në Indokinë po krijojnë një situatë po aq të frikshme sa historia me linçime dikur në Amerikë. Njerëzit me lëkurë të verdhë nuk guxojnë më të dalin natën rrugëve, sepse mund të rrihen për vdekje. Ky është Parisi,” shkruan ajo më 17 Mars 1949, ndërsa Franca luftonte në Vietnam një nga luftërat e fundit dhe më të përgjakshmet në historinë e saj si perandori kolonialiste.

Dhe pastaj disa detaje jo shumë të këndshme mbi kostot personale që ka të angazhuarit në politikë publike edhe në një vend të supozuar demokratik si Franca:

“I shkreti Sartër tani merr njëzet letra çdo ditë, të cilat thonë se ai duhet rrahur për vdekje,” shkroi de Beauvoir në tetor ’47. “Të enjten dy duzina oficerësh të rinj që do të shkonin në Indokinë të nesërmen, e kërkuan në të gjitha klubet e natës të Saint–Germain–des–Pres, duke dashur t’i jepnin atij një dru të mirë”.

Dhe pastaj detaje jo shumë të këndshme mbi marrëdhëniet e një prej feministeve më të mëdha të shekullit të njëzetë me burrat. Ajo informon Algren se Sartri nuk ishte i mirë në shtrat ndërsa ai kishte ngritur “dëshirën dhe lumturinë e saj seksuale.”

Dhe më tutje ajo këshillon Algren se si ai duhet të shohë këtë marrëdhënie në distancë, e cila nuk mund të bëhej dot kurrë martesë sepse Algren nuk pëlqente të jetonte në Francë ndërsa de Beauvoir dëshironte të “shkruante libra të mirë për ta bërë botën pak më të mirë”.

“Dua të them, i dashur, që herën tjetër kur të joshesh nga një grua, bëj si të duash. Merre edhe në Uabansia nëse të pëlqen,” i shkruan ajo Algrenit. “Po flas seriozisht. Nuk ke pse druhesh se mund të më lëndosh. Thjesht uroj që kur të vij unë, ajo të jetë tepër larg dhe kurrë thellë brenda zemrës tënde. Për këtë gjë, çështja kryesore është: të kujdesesh që vajza të jetë sërish e lumtur edhe pasi ta braktisësh. Mos e shpërfill!”

Libri Një dashuri transatlantike nga Simone de Beauvoir pritet të botohet në shqip gjatë muajit nëntor me shqipërimin e Alda Bardhylit nga Shtëpia e Librit.

Simone de Beauvoir njihet mes të tjerash për traktatin e saj me dy vëllime Seksi i dytë, (i) (ii) i sjellë në shqip nga Nasi Lera, si dhe librat Një vdekje shumë e ëmbël, sjellë në shqip nga Edmond Tupja, romanin Mikesha, sjellë në shqip nga Diana Çuli dhe Gruaja e thyer, sjellë në shqip nga Amantia Kapo.