11 Janar, 2020

Foto ilustruese. Kortezi e Flickr

Përshëndetje miq!

Këtë fillim viti menduam t’ju dërgojmë disa të dhëna mbi shkrimet më të reja të botuara në blogun tonë në muajt nëntor dhe dhjetor si dhe përmbledhje mbi disa libra të rinj që kanë mbërritur në librarinë tonë.

Zgjedhja e shkrimtarit austriak Peter Handke për çmimin Nobel të këtij viti zuri të gjithë vëmendjen e botës letrare dhe përtej saj, duke u kthyer në një debat të gjerë mbi politikën e Nobelit dhe limitet e fjalës së lirë.

Sipas New York Times, (kliko këtu për të lexuar shkrimin të përkthyer te blogu ynë), Handke është njëkohësisht një mohues i gjenocidit dhe mbështetës i Milosheviçit dhe po ashtu është një gjeni që ka shtyrë kufijtë e letërsisë. Në një rast të tillë, ai është shkrimtari që shkroi një dramë në të cilën, asnjë nga aktorët nuk flet asnjë fjalë. (Video).

Pavarësisht kësaj, mohimi i gjenocidit nuk është diçka që mund të kapërdihet edhe nëse kjo kryhet nga një shkrimtar gjeni. Mes shumë protestave ndaj zgjedhjes së Handkes si nobelist për këtë vit ne veçuam deklaratën e Shoqatës Amerikane të Poetëve, Eseistëve dhe Novelistëve, PEN America, e cila vendosi të heqë dorë nga praktika e saj e vjetër e mosdhënies së komenteve për çmimet letrare të të tjerëve duke deklaruar se zgjedhja e Handke i kishte shkaktuar një “trishtim të madh” dhe se anëtarët e saj janë të angazhuar në luftë kundër publikimeve të falsiteteve, të tilla si mohimi i krimeve. [Link]

Zgjedhja e Handkes për çmimin Nobel na kujtoi edhe një debat tjetër të këtij lloji: Rasti i një çmimi dhënë për poetin amerikan Ezra Pound në vitin 1949, i cili gjendej në këtë kohë në një spital psikiatrik pasi i kishte shërbyer fashistëve italianë për propagandë gjatë të gjithë Luftës së Dytë Botërore. Blogu i Shtëpisë së Librit solli në këtë rast komentin e shkrimtarit britanik George Orwell, i cili argumentoi se anëtarët e jurisë kishin shumë të drejtë të zgjidhnin pozicionin e “artit për hatër të artit” duke i mbajtur të ndara arritjet artistike nga qëndrimet politike të një personi, por njëkohësisht, ne të tjerët, kemi të gjitha të drejtat të mos justifikojmë karrierën politike të dikujt vetëm për hatër të cilësive të tij si shkrimtar. [Link]

Kjo na sjell ne te një nga botimet e reja. Shtëpia e Librit solli në fund të dhjetorit një libërt me tri ese të George Orëell. Në veçanti, eseja e Orwell Mbi Nacionalizmin na ndihmon për të kuptuar një nga forcat më të fuqishme dhe më negative të shekullit të njëzetë, e madje edhe të kohës sonë dhe se ku dallon nacionalizmi që shoqërohet me urrejtje ndaj tjetrit nga patriotizmi i njerëzve të mirë, të cilët, dëshirojnë përparimin e shoqërisë së tyre pa iu imponuar dhe pa dhunuar të tjerët. [Lexo më shumë].

Dhe këtu mbërrijmë te botimet kryesore të muajve të fundit. Muaji nëntor ishte veçanërisht i zhurmshëm sa i përket botimeve të reja, kryesisht për shkak se shumica e shtëpive botuese zgjedhin ditët e Panairit të Librit për të prezantuar librat e rinj.

Ne kemi përzgjedhur disa prej këtyre botimeve sipas shijes sonë.

Si një rastësi, nobelisti kontrovers Peter Handke u soll në shqip me përkthimin e Sabina Dhrimos me romanin Mëngjarashja. Handke tregon këtu  një grua të vendosur për t’u ndarë me bashkëshortin dhe të shkuarën e saj dhe për të gjetur një jetë të re për veten. Mariana, një nënë dhe shtëpiake në të tridhjetat, fillon të ekzaminojë jetën në rrethinat e një qyteti të madh industrial të Gjermanisë Perëndimore.

Nobelistja tjetër, Olga Tokarczuk, erdhi gjithashtu në shqip për herë të parë këtë vit me përkthimin e Astrit Beqirajt në librin me tregime Sonatë për shumë tamburë.

Një nga shkrimtarët më të fortë të Amerikës së shekullit të njëzetë, nobelisti Ëilliam Faulkner, erdhi në shqip falë përkthimit të Granit Zelës me romanin Duke dhënë shpirt.

Ky është një nga romanet më me ndikim të letërsisë amerikane sa i përket strukturës, stilit dhe dramës dhe konsiderohet si një nga klasikët e shekullit të njëzetë. Romani është një kronikë trishtuese e udhëtimit të familjes Bundren nëpër zonat rurale të Misisimit për të varrosur Adin, gruan dhe nënën. Treguar me rradhë nga secili nga anëtarët e familjes – përfshirë vetë Adin – si dhe nga të tjerë, romani varion në ndjesi, nga komedia e zezë te patosi më i thellë.

Elif Shafak, shkrimtarja bashkëkohore turke vjen në shqip me romanin Çiraku i arkitektit. Kjo është një rrëfenjë epike për gati një shekull jetë në Perandorinë Osmane, një çirak që shërben si drejtues i elefantit dhe që bie të dashuri me vajzën e bukur të sulltanit, pasi hyn në shërbim të kryearkitektit të perandorisë, Sinanit, për të realizuar disa nga kryeveprat më të mëdha arkitekturore të Stambollit. Lexo më shumë: Elif Shafak

Shkrime të tjera nga blogu:

Letra të nxehta jo vetëm për dashurinë

Një histori dashurie transatlantike mes një shkrimtari amerikan dhe një shkrimtareje franceze, e cila është dokumentuar në një seri letrash të jashtëzakonshme, të cilat përshkruajnë me detaje jetën dhe ndjenjat e një prej shkrimtareve më me ndikim në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.

Një tablo e vjedhur e Gustav Klimt mund të jetë gjetur e fshehur në murin e një muzeu në Itali

Tërmeti tmerrues i Durrësit në vitin 1267 sipas një kronikani bizantin

Livi dhe Beard, dy historianë të Romës në 2 mijë vite distancë

“Zgjodha lirinë”, si një gjyq për shpifje në Francë u bë një gjyq për të vërtetën e kampeve të përqendrimit në Bashkimin Sovjetik

Për çfarë është i famshëm Francis Fukuyama?!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>