13 Tetor, 2022

Shtëpia e Librit sjell në gjuhën shqipe një antologji unike të përgatitur nga The New York Times Magazine dhe që përmban 29 tregime nga autorë bashkëkohorë. Një rimishërim i Dekameronit të Boccaccio-s, libri i sjell lexuesve letërsinë e shkruar gjatë disa prej ditëve më të vështira të pandemisë së koronavirusit të ri me autorë që pasqyrojnë ndjenjat dhe këndvështrimet nga të katër anët e botës.

Liu i Cakut

Në fillim të vitit 2020, ndërsa banorët e të gjithë botës u mbyllën nëpër shtëpi, redaktorët e revistës amerikane The New York Times Magazine morën një propozim nga një shkrim. Shkrimtarja Rivka Galchen u tha se dëshironte t’u rekomandonte lexuesve të lexonin apo rilexonin librin Dekameroni të Giovanni Boccaccio-s si shpjegim dhe lehtësim për vuajtjet që po jetonin.

Dekameroni i Boçaçio-s u shkrua gjashtë shekuj më parë në një kohë murtaje dhe ai përmban 100 rrëfenja që një grup të rinjsh ia tregojnë njëri-tjetrit, ndërsa janë arratisur nga murtaja dhe po jetojnë të izoluar në një shtëpi fshati.

Dekameroni modern, shkruar nga 29 autorë të kohës sonë, përfshirë shkrimtarë të mirënjohur si Margaret Atwood, Mia Couto, Mona Awad, Tea Obreht etj, e shpien lexuesi në vende të ndryshme të botës dhe në eksperienca nga më të larmishmet. Tregimet përbëjnë edhe një dritare unike mbi teknikat e letërsisë bashkëkohore, të cilat, shkrimtarët i përdorin për të përçuar mesazhet e tyre te lexuesit.

Margaret Atwood flet për një jashtëtokësor që është dërguar në planetin Tokë si pjesë e një pakete ndihmash ndërgalaktike si mjet për të shpjeguar keqkuptimet që mund të lindin në një përkthim simultan, qoftë si pasojë e gabimeve në përkthim, qoftë si pasojë e ndryshimeve në mënyrën e të konceptuarit të botës ndërsa Mona Awad përdor fjalitë e shkurtra për të përçuar ndjenjën e ankthit te lexuesi. Disa nga shkrimtarët përdorin fabula të thjeshta për të thënë të vërteta të gjithëditura, e megjithatë, tronditëse, mbi varfërinë, pabarazinë, vetminë e njeriut të botës moderne. Disa nga tregimet janë thellësisht intime. Disa janë aluçinante, një është një prozë poetike e pakohë mbi dashurinë. Një prej autorëve përpiqet ta fusë lexuesin në mendësinë e algoritmit të Google ndërsa një tjetër mediton mbi vdekjen e kohës, përjetuar në çastet kur bota u duk se nuk kishte asgjë tjetër veç vdekjes dhe vdekjes dhe vdekjes nga koronavirusi.

Disa prej këtyre shkrimtarëve si Margaret Atwood, janë të mirënjohur edhe për lexuesin shqiptar me shumë libra të përkthyer më herët. Disa kanë një apo dy libra të sjella në shqip më herët ndërsa pjesa më e madhe vijnë për herë të parë.

Ilustrimet e librit janë nga artistja Sophy Hollington ndërsa përkthimi në shqip është bërë nga Gjergj Erebara.

Libri gjendet në librari duke filluar nga data 15 tetor 2022 ose mund të porositet online në platformën tuaj të parapëlqyer.

-> Projekti Dekameron, 29 rrëfenja të reja nga pandemia

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>