9 Nëntor, 2022

Në botën moderne, janë të shumtë njerëzit që ankohen se nuk kanë kohë për të lexuar, pavarësisht se sa dëshirë kanë. Koha në fakt është vetëm një nga problemet. Ndërsa ne ngjeshim sytë pas ekraneve dhe peshkohemi nga praktikat që media sociale i ka huazuar industria e bixhozit, është mungesa e përqendrimit ajo që na shqetëson me të vërtetë më shumë se sa mungesa e kohës.

Shtëpia e Librit

Industria e bixhozit në Las Vegas thuhet se nuk e mat suksesin e vet me para por me kohë. Paratë, të cilat njerëzit i humbasin duke luajtur bixhoz, janë pasojë, jo shkak. Shkaku është koha që njerëzit harxhojnë duke luajtur. Rrjedhimisht, në vend që të shohin se sa para njerëzit kanë humbur duke luajtur në kazino, administratorët e kazinove masin se sa kohë lojtarët kalojnë mbi ruleta. Rrjedhimisht e gjithë puna në kazino organizohet në mënyrë të tillë që njerëzit të rrijnë mbi ruleta. Metodat më të njohura janë që t’i mbajnë temperaturat e ajrit të kondicionuar në dhoma gjatë natës tepër të ulëta në mënyrë që njerëzit të nxiten të mos rrijnë në dhomë, (dhe kjo ndodh pa e kuptuar fare), apo që t’i ofrojnë pije falas ndërsa njerëzit rrijnë mbi makineritë. Por frutat dhe numrat në ekranet e makinerive luajnë gjithashtu një rol vendimtar për t’i fiksuar njerëzit. Sa i përket parave, ato vijnë si rrjedhojë e kohës së harxhuar. Bixhozi është një formulë arithmetike e cila i kthen lojtarëve të ndryshëm një pjesë të asaj që ata luajnë, ndërsa u mban një përqindje, fjala vjen, 10 apo 20%, për kazinonë.

Industria e medias sociale ka marrë nga industria e bixhozit pikërisht këto metoda. Ato që ne i quajmë “like” si dhe mesazhet njoftuese të panumërta që mbërrijnë në çdo çast, (ky shok pëlqeu foton tënde një sekondë më parë), këto janë të gjitha me synimin që të të mbajnë pas ekranit.

Njerëzit nëpër botë kalojnë rreth 147 minuta, ose 2 orë e 27 minuta çdo ditë në rrjetet sociale. Rrjetet sociale janë falas sepse koha që ne shpenzojmë mbi to është “produkti” që kompanitë pronare të medias sociale i ofrojnë reklamuesve të tyre. Edhe në këtë rast, paratë janë rrjedhojë e kohës së shpenzuar.

Problemi me mediat sociale nuk është vetëm që ne shpenzojmë 147 minuta në ditë por edhe që ne shpenzojmë disa minuta çdo një gjysmë ore përgjatë të gjithë ditës, e me raste, edhe përgjatë të gjithë natës. Dëmi që ne i shkaktojmë vetes në aftësinë tonë për t’u përqendruar mbi gjëra që kanë rëndësi është i stërmadh.

Tani imagjinoni një alternativë. Njeriu kur lexon për qejf, lexon 200 fjalë në minutë. Kur është student dhe duhet të lexojë volume të mëdha, mund të lexojë 400 apo 500 fjalë në minutë. Është e mundur të lexohet më shpejt se sa kaq, por përtej 500 fjalëve në minutë, cilësia e të nxënit bie.

Librat, fjala vjen, romanet apo esetë, variojnë nga 20 mijë fjalë, një libërth, në 60 mijë – 100 mijë fjalë, një libër i zakonshëm, apo në 200 mijë fjalë e më shumë që janë librat e gjatë. Për shembull, Ferma e Kafshëve është një roman i shkurtër 30 mijë fjalësh. Nëse e lexon me terezi, pra 200 fjalë në minutë, të nevojiten 150 minuta ose 2.5 orë kohë leximi për ta mbaruar. Ose, Dalje për ajër i George Orwell është një roman i gjatë rreth 83 mijë mijë fjalë. Ai kërkon 415 minuta për t’u lexuar ose më pak se shtatë orë. Por edhe nëse lexohet akoma më me terezi, fjala vjen, 100 fjalë për minutë, nevojiten gjithsej 14 orë lexim aktiv për ta përfunduar.

Në anën tjetër, romani Lufta dhe Paqja i Leon Tolstoit, është një nga më voluminozët e shkruar ndonjëherë, gjithsej 570 mijë fjalë i gjatë. Një lexuesi të ngeshëm i nevojiten 2850 minuta ose 47.5 orë për ta lexuar të plotë. Nëse kohën që harxhojmë në një ditë në median sociale, do ta përdornim për të lexuar Lufta dhe Paqja, atëherë romani i gjatë do të përfundonte së lexuari për më pak se 20 ditë.

Këto janë botimet tona të vitit 2022:

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>