11 Dhjetor, 2020

Tzvetan Todorov, një teoricien i letërsisë dhe historian i ideve, lindi në Bullgari më 1939 dhe emigroi në Francë kur komunizmi mbërtheu vendin e tij të lindjes.

Autor i dhjetëra librave, Todorov kishte më për zemër temat e fantazisë në letërsi, pasojat morale të kolonionalizmit, fanatizmin dhe Holokaustin.

Një dishepull i Roland Barthes, Todorov mori famë në vitet 1970 për punën e tij mbi strukturalizmin, një metodë interpretimi – ndikuar nga antropologjia kulturore – e cila fokusohet në tiparet përsëritëse në të menduar dhe në sjellje.

Ai zhvilloi studimin e tij në proceset formale të rrëfimtarisë në një libër të vitit 1974, Hyrje në letërsinë fantastike, në të cilin ekzaminoi tiparet e teksteve me bazë fantazinë, të tilla si Njëmijë e një net, dhe Metamorfoza e Kafkës.

Ai ishte veçanërisht i tërhequr nga ngjarje të trazirave morale. Te libri Konkuista e Amerikës: Çështja e “tjetrit” (1985), ai doli në konkluzionin se popujt indigjenë, ndryshe nga europianët, nuk e kishin konceptin e “tjetrit” dhe ishin të paaftë të mbronin veten kundër  një armiku që mund të manipulonte perceptimin e tyre mbi realitetin.

Libri i Todorov Përballja me ekstremen: jeta morale në kampet e përqendrimit, botuar më 1996, vuri në dukje paradoksin se dinjiteti dhe mirësia njerëzore ekziston edhe në situatat më të këqija. Libri iu përkushtua “një numri të vogël burrash dhe grash të drejtë që treguan njëkohësisht kurajë dhe bujari.”

Studimi i vitit 2001 nga Todorov mbi shpëtimin e shumicës së hebrenjve të Bullgarisë gjatë Holokaustit del në përfundimin se shpëtimtarët kishin motive komplekse: ata kishin simpati për gjermanët dhe autoritarizmin por ishin gjithashtu të neveritur nga anti-semitizmi.

Todorov mbështeti pushtimin amerikan të Irakut më 2003, në kundërshti me qëndrimin e Francës, Gjermanisë dhe shumicës së shteteve të Europës, duke argumentuar se armiqtë e Europës nuk janë më të brendshëm por të jashtëm dhe rrjedhimisht “pacifizmi dhe pasiviteti” nuk është alternativë.

Ai nuk e pa imigrimin drejt Europës si kërcënim. Në librin e vitit 2009, Frika ndaj barbarëve: përtej përplasjes së qytetërimeve, ai shkroi: “Ti mund të kërkosh se të ardhurit në vend të respektojnë ligjet dhe kontratat sociale që mbajnë lidhur të gjithë shtetasit, por nuk mund të kërkosh që ata ta duan vendin: detyrat publike dhe ndjenjat private, vlerat dhe traditat nuk i përkasin të njëjtës sferë. Vetëm në shoqëritë totalitare është e detyrueshme të dashurosh vendin tënd.”

Ai kritikoi shoqërinë franceze duke vënë në dukje se rreziku i terrorizmit sjell rrezikun e mbireagimit nga autoritetet.

“Nëse bombardon sistematikisht një qytet në Lindjen e Mesme, kjo nuk është më pak barbare se sa t’i presësh fytin dikujt në një kishë franceze,” komentoi ai. “Në fakt bombardimi shkatërron më shumë jetë.”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>