24 Tetor, 2021

Shumë shpesh në librari na vijnë pyetje nga shkrimtarë, poetë apo përkthyes që dëshirojnë të botojnë një libër. Ky blog përshkruan rrugën që kalon libri nga ideja deri te lexuesi.

Shtëpia e Librit

Nëse je një shkrimtar që dëshiron të botosh librin tënd të parë, ka gjasa ky blog do t’ju krijojë një ide të përafërt të procesit që kërkohet dhe kostove që mbart ky proces.

Shkurtimisht, libri nis nga shkrimtari që e ka shkruar, (në kohën tonë punohet në kompjuter kryesisht në ëord ndërsa në kohët e vjetra në fletore me shkrim dore ose në makinë shkrimi). Ai kalon në një redaktor, i cili e gjykon nga struktura e fjalisë, struktura e kapitullit apo struktura e të gjithë romanit apo esesë me gjatësi libri, dhe më pas te korrektimi, konceptimi i dizajnit, faqosja dhe shtypshkrimi. Libri në shtypshkronjë kalon në disa procese, prodhimi i lastrave, shtypja, lidhja, ngjitja e kopertinës, prerja dhe paketimi.

Gjatësia

Nëpër shtëpitë botuese gjatësia e shkrimit matet me fjalë ose me karaktere (gërma + hapësira dhe shenja pikësimi) dhe programi word të ndihmon të shohësh në çdo kohë se sa i gjatë është libri. Sa për orientim, libri I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe në Londër është 70 mijë fjalë ndërsa shumica e librave variojnë nga 60 mijë në 100 mijë fjalë dhe kjo është përmasa e librit mesatar. Por ka shumë libra simpatikë që janë 40-60 mijë fjalë dhe që përbëjnë romane të shkurtra ose ese të gjata. Nga ana tjetër kryevepra e Leon Tolstoit, Lufta dhe paqja është një roman masiv me gjatësi rreth 600 mijë fjalë dhe 850 personazhe.

Nga shkrimi te botimi

Industria e botimeve njeh disa procese të domosdoshme në të cilat një libër kalon pasi del nga dora e shkrimtarit ose përkthyesit. Procesi i parë është redaktimi, një punë e specializuar në të cilën fjalitë e autorit shoshiten një më një për të parë nëse janë strukturalisht të shkruara mirë apo nëse mund të shkruhen më mirë. Një libër me gjatësi 50 mijë fjalë mund të kërkojë javë të tëra punë redaktimi, i cili natyrisht kushton. Ka shkrimtarë apo përkthyes të cilët kanë një nivel të caktuar aftësish dhe që rrjedhimisht i hapin pak punë redaktorit. Por në përgjithësi, janë të paktë autorët që nuk kanë nevojë fare për redaktor.

Procesi i radhës është ai i korrektimit. Dikush mund të thotë se ai e njeh gjuhën shqipe dhe është në gjendje të shkruajë pa gabime. Megjithatë, sado mirë ta njohësh një gjuhë, nuk ka absolutisht asnjë autor apo përkthyes që mund të jetë i botueshëm pa korrektor letrar. Gjuha është si puna e algjebrës; çdo fjali mbart ekuacione që duhen zgjidhur dhe vetëm një korrektor letrar shumë i aftë dhe shumë i kujdesshëm është në gjendje të realizojë një detyrë të tillë. Ka disa gabime ortografike që dallohen lehtë, ka disa që kapen nga autokorrektori në ëord por shumica e gabimeve janë të fshehura dh janë të vështira për t’u dalluar edhe nga  një sy i stërvitur. Dhe akoma më tutje, thuhet se autorët nuk janë në gjendje të dallojnë gabimet që kanë bërë vetë për shkak se lexojnë me mendje dhe jo gërmë për gërmë. Në fund të fundit, sado mirë që ta dijë gjuhën një shkrimtar apo përkthyes, njerëzit bëjnë gabime dhe gabimet korrigjohen vetëm nga korrektorët.

Në vendet e zhvilluara, zakonisht një libër i nënshtrohet dhjetë apo më shumë korrektimeve nga korrektues të ndryshëm, me qëllim që asnjë gabim të mos shpëtojë.

Librat akademikë i nënshtrohen procesit të recensës, ku një ekspert i fushësh e sheh me syrin kritik.

Faqosja dhe pajisja me ISBN

Libri i korrektuar i kalon dizajnit, detyra e të cilit është që ta vendosë përmbajtjen në atë format libri që ne shohim kur kemi librin në dorë. Vetëm pasi faqoset, libri dërgohet në Bibliotekën Kombëtare për t’u pajisur me ISBN. ISBN është shkurtesa e International Standard Book Number pra një numër unik që i jepet secilit libër të botuar nëpër botë.

Askush nuk ju ndalon që të botoni një libër pa ISBN dhe ka shumë libra që nuk e kanë një të tillë, por ISBN-ja është shumë e rëndësishme pasi ky është numri që përdorin rrjetet e shpërndarjes, libraritë dhe bibliotekat publike për të identifikuar një libër dhe për ta menaxhuar atë në stokun e tyre, qoftë për shitje, qoftë për lexim.

Biblioteka Kombëtare pajis me ISBN librat sipas kërkesës së shtëpive botuese, shtypshkronjave apo enteve botuese jofitimprurëse, me të cilat ka një kontratë. Një individ nuk lejohet që të pajiset me ISBN. Kjo është arsyeja se pse shumica dërrmuese e autorëve shqiptarë, botojnë libra të paguar nga ata vetë, por me logon e një shtëpie botuese apo një shtypshkronje.

Shtypshkrimi

Kur të mbërrini në shtypshkronjë për të porositur prodhimin e librit, shtypshkronja do t’ju bëjë disa pyetje: lloji i letrës, i cili matet me gramë për metër katror, ngjyra apo cilësia e letrës, volumi i letrës (i ndryshëm nga pesha) apo nëse dëshironi që kopertina të jetë e plastifikuar apo e paplastifikuar, mat apo me shkëlqim. Mund t’ju pyesin nëse librin e dëshironi me ngjitje të thjeshtë apo me qepje si dhe do t’ju pyesin për tirazhin.

Krijoni një ide për të gjitha këto pyetje duke parë libra ekzistues nëse ju pëlqejnë apo jo. Nëse dëshironi që libri të duket voluminoz dhe i rëndë, mund të zgjidhni letër të trashë dhe të rëndë. Një libër tipik 200-300 faqe kushton në shtypshkrim 100-300 lekë për kopje por nëse porosisni pak kopje, fjala vjen, 300 kopje, atëhere kostoja rritet më shumë. Nëse porosisni dy mijë apo tre mijë kopje (gjë shumë e paarsyeshme në Shqipëri sot), atëhere kostoja për njësi do të jetë më e ulët.

Rruga e shkurtër

Ju mund t’i kapërceni një pjesë të këtyre proceseve, fjala vjen, redaktim apo korrektim dhe ta dërgoni librin drejtpërsëdrejti për faqosje dhe shtypshkrim. Ose mundet që në vend që ta redaktoni dhe ta korrektoni librin disa herë, t’i hidhni vetëm një sy për gabimet më të dukshme.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>