28 Dhjetor, 2021

Më 1 janar 2021, u mbushën 70 vjet nga vdekja e George Orwell; por pavarësisht se ka kaluar kaq shumë kohë, shkrimtari i vlerësuar si profet paralajmërues për njerëzimin, vijoi të na japë përgjigje për shqetësimet tona.

Shtëpia e Librit

George Orwell

Viti 2021 nisi me publikimin e dy përkthimeve të reja të kryeveprës 1984 dhe ribotimin e një të treti, me botimin e një përkthimi të dytë të Fermës së Kafshëve dhe me ardhjen në shqip për herë të parë të romaneve I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe në Londër dhe Dalje për ajër. Reportazhi magjepsës nga lufta e Spanjës, Lavdi Katalonisë, erdhi në shqip për herë të dytë. Vështirë se mund të ketë ndonjë shkrimtar tjetër që të jetë shqipëruar kaq shumë dhe në kaq pak kohë se sa Orwell gjatë vitit që po lëmë pas.

Moria e botimeve të Orwell lidhet kryesisht me faktin se sipas ligjit shqiptar dhe shumicës së legjislacioneve mbi të drejtën e autorit në botë, pas 70 vjetësh pas vdekjes, vepra e një autori mund të botohet apo përkthehet pa detyrime ndaj trashëgimtarëve të tij. Por Owell rierdhi me forcë në shqip në një vit të pazakontë: ndërsa shqiptarët morën në duar versionin e 1984 me shqipërimin e Sokol Çungës apo atë të sjellë në shqip nga Arben Kallamata, një databazë e stërmadhe me 900 mijë emra qytetarësh u zbulua. Në të, një parti politike kishte marrë përsipër të përgjonte proletarët, siç parashikonte Orwell, për të parë se çfarë bëjnë ata, ku hanë bukë, çfarë problemesh kanë me shtetin dhe si mundet të shtrëngohen për të votuar partinë.

Dhe databaza tregonte gjithashtu se gjithësecili ka patronazhistin e vet, pavarësisht nëse voton për partinë apo kundër saj, pavarësisht nëse ta ndjen për politikën apo jo. Madje edhe vetë vëllai i madh socialist e kishte një patronazhist, i cili nga ana e vet, kishte një patronazhist tjetër.

Patronazhistët, siç quheshin këta spiunë partie në sistemin e Vëllait të Madh socialist, kishin hyrë deri në brekët e proletarëve, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Në një prej shënimeve në databazë, një patronazhist shënonte se një votues ishte në moshë të madhe, aq sa nuk shkonte dot në banjë vetë dhe mbahej me pampers.

Ka një pasazh te 1984 kur personazhi kryesor ka marrë një pusullë dhe po vdes nga kërshëria për ta lexuar, por nuk di se ku mund të jetë i sigurt për ta lexuar pa u vërejtur nga syri i partisë. A mund të shkojë ai në hale për ta lexuar fshehurazi pusullën? Jo, i thotë arsyeja. Haleja është pikërisht vendi i parë që mbahet nën përgjim.

Te Lavdi Katalonisë, Orwell na jep një paralajmërim tjetër. “edhe nëse nuk ta ndjen fare për partitë politike dhe konfliktin mes tyre, konfliktit ia ndjen për ty dhe për të ardhmen tënde.”

Plot 70 vjet pas vdekjes, George Orwell na frymëzon dhe na e bën jetën më gallatë. Romanet e tij kanë një sens humori të njeriut të zakonshëm që përballet me halle të mëdha. Te I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe në Londër, një Orwell i ri bie në varfëri ekstreme dhe lufton për të nxjerrë jetesën nëpër bodrumet skllavëruese të sektorit të restoranteve dhe hoteleve të Parisit ndërsa në Dalje për ajër, i shkruar tetë vite më vonë, një mezoburrë përballet me dilemat jetësore dhe frikën nga lufta dhe vendos të arratiset duke dalë për peshk. Te Ferma e Kafshëve, derri Topi i Dëborës, revolucionari naiv, detyrohet të arratiset nga ferma për të shpëtuar kokën e vet ndërsa te 1984, Uinston Smith nuk ka asnjë vend në planet ku të mund të fshihet.

Po ty cili Orwell të pëlqen?

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>