24 Janar, 2022

Janari i këtij viti ka qenë, në mënyrë surprizuese, i mbarë për libraritë dhe botuesit. Shitjet kanë ecur shumë mire. Këto janë librat më të kërkuar nga lexuesit në librarinë Shtëpia e Librit.

1. Jeta ime, Mahatma Gandi. Me parathënie nga George Orwell

Mahatma Gandi është një nga figurat më frymëzuese të historisë. Në autobiografinë e tij klasike rrëfen historinë e jetës së tij dhe se si zhvilloi konceptin e tij të rezistencës aktive jo të dhunshme, e cila nxiti përpjekjen triumfuese indiane për pavarësi që inspiroi pafund përpjekje të tilla triumfuese për liri e pavarësi gjithandej botës përgjatë shekullit XX. Për realitetin tonë, një histori e tillë është më se e njohur. Madje, për më shumë, e përjetuar!

Mahatma Gandi druante se entuziazmi për idetë e tij mund të priret të tejkalojë një kuptim më të thellë të kërkimit të tij për të vërtetën, të rrënjosur në devotshmërinë ndaj Zotit. Përpjekjet e tij për t’u afruar me këtë fuqi hyjnore bënë që ai të kërkonte pastërtinë përmes jetesës së thjeshtë, praktikave dietike, beqarisë dhe një jete pa dhunë. Kjo nuk është një biografi e drejtpërdrejtë narrative. Në Histori e eksperimenteve të mia me të vërtetën: Një autobiografi, Gandi ofron historinë e jetës së tij si një referencë për ata që duan t’i ndjekin gjurmët e tij. Mund ta porosisësh këtu:

2. Të lirë, Lea Ypi

Një profesore shqiptare në Shkollën Ekonomike të Londrës trazon Britaninë e Madhe dhe, akoma më shumë, vendin e saj të lindjes, me një autobiografi medituese mbi një adoleshente që del në jetë në vitet e fundit të regjimit komunist. I prezantuar në Tiranë në prani të një numri të lartë politikanësh, kjo autobiografi u bë temë debati jo thjeshtë mbi përjetimet personale të Ypit, por edhe mbi kapitalizmin shqiptar të kohës sonë, të qenit intelektual dhe për marrëdhëniet e intelektualëve me pushtetin. Mund ta porosisësh këtu:

3. Arsen Lupen, Maurice Leblanc

Një personazh i krijuar në vitin 1905 fitoi një jetë të dytë në botë dhe në Shqipëri falë një seriali të publikuar së fundmi nga shëbimi televiziv Netflix. Kjo është edhe hera e parë që ky personazh dhe krijuesi i tij, shkrimtari Maurice Leblanc, vjen në gjuhën shqipe. Mund ta porosisësh këtu:

4. Me hapin e gaforres, Gunter Grass

Një prej kryeveprave të Gunter Grass-it, shkrimtarit të madh gjerman, fitues i Çmimit Nobel, romani i fundit që ai shkroi dhe, padyshim, një prej romaneve më të bujshëm të letërsisë gjermane.

Si thuajse në gjithë veprat e tjera të tij, në fokus është sërish historia e trazuar e Gjermanisë. Por jo më ajo e “fajit gjerman”, që e pat bërë atë të famshëm me trilogjinë e Dancingut, por kësaj here historia e viktimave gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Romani ka në qendër mbytjen në detin Baltik nga një nëndetëse sovjetike, në janar të vitit 1945, të anijes “Wilhelm Gustloff”, me 9000 refugjatë gjermanë, kryesisht gra dhe fëmijë. Bëhet fjalë për katastrofën më të madhe të historisë detare, ku humbën katër herë më shumë jetë njerëzore se sa në rastin e Titanikut, e që megjithatë, për shumë dekada me radhë askush s’e përmendte.

Por ndonëse i frymëzuar nga një ngjarje e ndodhur realisht, romani “Me hapin e gaforres”, si gjithë vepra e G.Grassit, ka një strukturë mjaft më komplekse, ku faktet përzihen me fiksionin dhe vetë gazetari që na rrëfen historinë, bashkë me familjen e tij, s’janë veçse persona-zhe të Gjermanisë së viteve 2000. Librin mund ta porosisësh këtu:

5. Ti je Placebo, Joe Dispenza

Të gjithë frymëzohemi nga histori të “shërimeve të magjishme”, por ajo që Joe Dispenza na rrëfen në këtë libër fantastik është se të gjithë kemi potencialin për të ndërmarrë shërime të tilla të mrekullueshme. Joe Dispenza na e dëshmon shkencërisht se përtëritja është e instaluar në secilën pore të trupit tonë, kështu që sëmundjet dhe degjenerimet janë përjashtime, e jo rregulla.

Gjëja më intriguese është se Joe në këtë libër, mbi të gjitha, na e sjell përvojën e vet të shërimit të frakturave të shumëfishta në boshtin kurrizor pa pasur nevojë për ndihmë mjekësore – vetëm me fuqinë e mendjes. Librin mund ta porosisësh këtu:

6. Vdekje ne Venecia, Tomas Man

Vdekje në Venecia na flet për një kërkim shkatërrimtar për dashurinë dhe bukurinë mes shkëlqimit degjenerues. Gustav von Aschenbach, një shkrimtar i suksesshëm por i vetmuar, udhëton për te Mbretëresha e Adriatikut në kërkim të një plotësimi shpirtëror iluziv që kthehet në një katastrofë erotike. Joshur nga një djalosh i bukur polak, ai gjen veten i mbërthyer nga ky qytet hipnotik me sensualitet të pjekur nga dielli dhe një  erë kalbëzimi fizik, ndërsa ai rrënohet nga një epidemi sekrete. Librin mund ta porosisësh këtu:

7. Jetë burgu, Fatos Lubonja

Në këtë pikë të rrugëtimit mendoj se të gjitha këto histori i kam shkruar për t’i pranuar si të miat, si pjesë të vetes sime “të vërtetë” ato rroba dhe ato vuajtje që i kam refuzuar me aq ngulm në krye të herës; për të kuptuar se çeltira ku na duket se do të gjejmë veten tonë të vërtetë duke ecur, për kënaqësinë e trupit dhe shpirtit, me një kuptim jete dhe vdekjeje në zemër, nuk arrihet dot veçse duke bërë inventarin e prangave që lemë prapa. Librin mund ta porosisësh këtu:

8. Imperium, Robert Harris

Një thriller politik plot intriga, por edhe një udhërrëfyes mbi politikëbërjen. Njihuni me Ciceron, politikanin e e parë pragmatist ndërsa ai kalon nga partia në parti dhe arrin majat e politikës duke disponuar vetëm aftësinë e të folurit dhe të bindurit. Manovrimet e tij politike dhe teknikat në oratori kanë frymëzuar politikanë në të gjithë botën që prej 2 mijë vjetësh. Librin mund ta porosisësh këtu:

9. I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër, George Orwell

Në vitin 1928, 25 vjeçari Eric Arthur Blair vendoset në Paris, kryeqyteti i kulturës botërore dhe destinacioni i shumë shkrimtarëve dhe artistëve, të pasur dhe të varfër, nga e gjithë bota. Një incident i pakëndshëm i ndodh shkrimtarit të ri, që e zhyt në mjerim, në uri dhe në kërkim të punëve të rëndomta. Shkrimtari, që më vonë u bë i njohur me pseudonimin George Orwell, nisi në këtë mënyrë të eksploronte Parisin dhe, më pas Londrën, nga statusi i “skllavit të skllavit” dhe prej syve të endacakut.

I botuar fillimisht në vitin 1933, I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër u bë një udhërrëfyes klasik i dy metropoleve të mëdhenj dhe një analizë e mprehtë sociale e politike e viteve ’30. Ky është libri që besohet se caktoi edhe pikën e kthesës së Orwellit, nga fëmija e një familjeje me mirëqenie dhe i arsimuar në shkollën e elitës Eton, në luftëtar për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë. Librin mund ta porosisësh këtu:

10. Kush ishte Esat Pashë Toptani, Xhemal Kusi

Një liber ku ndërthuren kujtimet e një personi i cili ka njohur drejtpërdrejtë ose indirekt protagonistët e kohës, me analizën dhe kritikën historiografike. Intelektual është ai që guxon dhe Xhemal Kusi ka guxuar të thotë të vërtetën pas dy burgimesh dhe në një gjendje të vështirë shëndetësore, ekonomike dhe familjare. Librin  mund ta porosisësh këtu:

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>