14 Janar, 2020

Çfarë të përbashkët kanë ekonomisti John Maynard Keynes me shkrimtaren Virginia Woolf?

“Ne ishim përplot me eksperimente dhe reforma [….] Çdo gjë do të bëhej e re, çdo gjë do të ishte e ndryshme. Çdo gjë ishte në provë.”

— Virginia Woolf, “Old Bloomsbury” (1922)

Kopertina të librave të Virginia Woolf të dizajnuara nga Vanesa Bell

Në parathënien e Orlando, një biografi, atë roman humoristik dhe mbresëlënës të udhëtimit të një poeteshe të maskuar si poet përgjatë historisë së larmishme të Mbretërisë së Bashkuar në shekuj, shkrimtarja britanike Virginia Woolf (1882-1941) falënderon mes të tjerëve edhe Madamë Lopokova. Sipas Woolf, Lopokova e ndihmoi në shkrimin e Orlando duke i korrigjuar rusishten e saj.

Orlando u shkrua në vitet 1930, një periudhë e artë për krijimtarinë artistike dhe letrare, dhe u botua më 1928. Madamë Lopokova ishte një balerinë ruse, e famshme në perëndim nga turnetë e kompanisë Ballets Russes. Por ajo ishte njëkohësisht bashkëshortja e John Maynard Keynes, i cili në këtë kohë ishte në kulmin e famës së tij si ekonomist (në atë kohë jokonvencional) dhe si polemist publik me politikën zyrtare të Britanisë së Madhe, njeriu që argumentonte kundër ngarkesës së Gjermanisë me borxhe të reparacioneve të Luftës së Parë Botërore si një masë jopraktike dhe e dëmshme si dhe njeriut që parapa (në mënyrë jotërësisht të saktë) një të ardhme shumë të pasur dhe po aq të mërzitshme për njeriun e kohës së nipërve të tij.

Keynes dhe Woolf ishin miq. Ata bënin pjesë në grupin Bloomsbury, një grup shokësh, familjarësh e krushqish të cilët jetuan në Britaninë e fillimit të shekullit të njëzetë dhe dhanë një ndikim të stërmadh në letërsi, pikturë, filozofi e natyrisht, ekonomisë dhe politikës.

Grupi Bloomsbury përfshinte edhe piktoren Vanessa Bell, e cila ishte motra e Virginia Woolf, shkrimtarin Leonard Woolf, që ishte bashkëshorti i Virginias, apo kritikun letrar Klive Bell, që ishte bashkëshorti i Vanesës, mes shumë të tjerëve.

Alice Davis Keane, një studiuese amerikane tregon se si mendja prej ekonomiksi e Keynes duket se ka ndikuar mendjen pre shkrimtareje të Woolf dhe anasjelltas.

Sipas saj, një pjesë shumë e madhe e letërsisë së këtij grupi ngre ekonomiksin si shqetësim qendror, si librat Natë e Ditë të Virginia Woolf apo romani anti-imperialist Fshati në Xhungël i Leonard Woolf.

Me ekonominë lidhet edhe shprehja e famshme e Virginia Woolf në esenë Një dhomë më vete që thotë: Një grua duhet të ketë para dhe një dhomë më vete nëse dëshiron të shkruajë letërsi.

Sipas enciklopedisë britanike, grupi diskutonte mbi çështje estetike dhe filozofie nën frymën e agnosticizmit dhe ishin ndikuar shumë nga veprat e filozofëve G.E. Moore’s Principia Ethica (1903) dhe nga libri i A.N. Whitehead e Bertrand Russell Principia Mathematica (1910–13), mbi bazën e të cilave ata kërkuan mbi përkufizimin e asaj që është e mirë, e vërtetë dhe e bukur ndërsa hodhën poshtë apo ngritën pikëpyetje mbi “shpjegimet tërësore” të problemeve duke krijuar një lloj epoke të “gjendjes së mjegullt” të njeriut.

Pothuajse shumica e anëtarëve të grupit ishin arsimuar në  Kembrixh.

Edhe filozofi Bertrand Russel apo shkrimtarët Aldous Huxley dhe T.S. Eliot u shoqëruan me raste me këtë grup. Megjithëse anëtarët e grupit kishin disa ide apo vlera të përbashkëta, Blumsburi nuk përbënte një shkollë mendimi. Sipas enciklopedisë britanike, rëndësia e grupit lidhet me numrin e jashtëzakonshëm të njerëzve të talentuar që bënin pjesë në të. Emri i grupit vjen nga lagjja me të njëjtin emër në Londër ku gjendej shtëpia e Virginia Woolf ku grupi takohej shpesh.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>