16 Janar, 2020

Tre motra në Anglinë e shekullit të 19 transformuan kufizimet e jetës familjare në një epokë të rreptë kundër grave në miell për libra të mrekullueshëm.

Shtëpia e Librit

Motrat Brontë

Sharlota, Ana dhe Emili Brontë ishin tre motra që jetuan në një fshat të vogël në Anglinë e fillimit të shekullit të 19. Ato jetuan një jetë të varfër dhe të vështirë dhe që të gjitha vdiqën të reja. Sharlotë Brontë vdiq e fundit në vitin 1855 në moshën 39 vjeçare. Ana vdiq në moshën 29 vjeçare në vitin 1849 ndërsa Emilia vdiq në moshën 30 vjeçare në vitin 1848.

Që të treja i lanë pas njerëzimit disa nga kryeveprat më mbresëlënëse të letërsisë, përfshirë Lartësi të Stuhishme nga Emilia, Xhejn Eir nga Sharlota dhe Qiramarrësi i Uildfill Hall nga Ana.

Si ia dolën këto tri motra të arrinin një sukses të tillë të jashtëzakonshëm?

Kritikja Judith Shulevitz, shkruan te revista amerikane The Atlantic se asnjë lloj grubulli shkrimesh nuk ka shtyrë njerëzit të shkruajnë më shumë mbi to se sa Bibla, por librat biografikë apo studimorë apo librat e frymëzuar nga romanet e motrave  Brontë i afrohen shumë sasisë së studimeve të bëra mbi Biblën.

“Që nga viti 1857, kur Elizabeth Gaskell publikoi të famshmen Jeta e Charlotte Brontë, vështirë se ka kaluar ndonjë vit në të cilin nuk është botuar ndonjë lloj materiali biografik mbi motrat Brontë  – nga artikujt në gazeta te jetëshkrimet e plota, nga imazhet në takëmet e çajit te dramat, filmat dhe romanizimet”, shkroi Lucasta Miller te libri Miti i Brontë, një histori e Brontëmanisë e publikuar në vitin 2001. Këtë vit (viti 2016), kompleksi letraro-industrial i Brontëve feston dyqindvjetorin e lindjes së Sharlotës (Charlote), dhe kjo i ka bërë botuesit në Britani dhe Amerikë veçanërisht të zënë me punë. Në SHBA ka një biografi të re mbi Sharlotë Brontë nga Claire Harman; një roman letraro-detektiv me temë Brontët; një përmbysje letrare në të cilën Xhejn Eir është një vrasëse seriale; një koleksion tregimesh të shkrurta frymëzuar nga fjalia e famshme e këtij romani, “Lexues, unë u martova me të”; dhe një “autobiografi” e letrarizuar prej një fanseje, Nelly Dean, në të cilin tregimtari është shërbyesi te Lartësi të Stuhishme. Vitin e kaluar panë dritën e botimit edhe një romanizim i adoleshencës së Emilisë dhe një libër me ese të thelluara të quajtur Dhoma e Brontëve: Tri jetë në nëntë objekte, në të cilin objekte që i përkasin Sharlotës Emilisë dhe Anës përdoren si mjete për të depërtuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Nuk po merrem me listën e gjatë të monografive.

Nuk shoh arsye se pse nuk duhet ta konsideroj kultin e Brontëve një religjion. E çfarë janë, në fund të fundit, Popujt e Librit, nëse nuk janë mishëruesh të papërmbajtshëm tekstesh të fetishizuara? Hebrenjtë kanë një fjalë për imazhet drithëruese që përshkrojnë si rreze drite komentarët e Torës: midrash, mënyra e tregimit të rrëfenjave të famshme dhe të çuditshme të cilat ushqehen nga hendeqe gje kontradikta në narrativat e tyre. Mirdashi gjithsesi nuk është vetëm një hermetizim hebre. Dikush me të drejtë mund t’i quajë Ungjijtë si një lloj mirdashi të dalë nga bibla hebraike, jetët e shenjtorëve një lloj mirdashi mbi historinë e krishtit dhe Kuranin një mirdash të të gjitha këtyre të mësipërme.

Disa nga fanzat e Brontëve – lexues, unë jam një prej tyre – do të punonin me kënaqësi me stoqet e mirdashëve të Brontë në kërkim të përgjigjeve të mysterium tremendum*, misterin e mrekullueshëm të shenjtërisë së pagjasë të motrave Brontë. E si ndodhi që një ish-governante e varfër dhe shoqërisht e ngathët me emrin Sharlota dhe motra e saj akoma më e ngathët, Emili, të cilët kujdeseshin për shtëpinë e babait të tyre në një shtëpi famullitari në Jorkshair, shumë larg qarqeve letrare të Londrës, të arrinin të shkruanin romane dhe poema që ia kaluan pothuajse të gjithë bashkëkohësve të vet britanikë? Në një ese mbi Xhejn Eir dhe Lartësi të Stuhishme të publikuar më 1025, Virginia Woolf bëhet dëshmitare e kësaj mrekullie:

“Ndërsa ne hapim edhe një herë Xhejn Eir, ne nuk mund të mbysim dyshimin se do të shohim botën e saj imagjinare si diçka të prapambetur, nga epoka e mesme viktoriane, dhe anakronike nga një famulli në kallamishte, një vend që mund të vizitohet vetëm nga kurreshtarët, që ruhet vetëm nga besimtarët. Pra ne hapim Xhejn Eir; dhe në dy faqet e para çdo dyshim pastrohet nga mendja jonë.”

Nëse romanet e Sharlotës kanë një atmosferë të tillë, romani i vetëm i Emilisë, Lartësi të Stuhishme është si një rrufe e fuqishme. Personazhet e saj, madje edhe fantazmat, shkruan Woolf, kanë :një shije të tillë për jetën sa e kapërcejnë realitetin.” (Si shumica e lexuesve, Woolf injoron montrën e vogël të Brontë, Anën, një poete dhe romanciere më e vogël, si dhe vëllain e Brontëve, Branuellin, një poet të dështuar dhe artist të alkolizuar.) Dhe vetëm mendo, Woolf shkoi të shkruajë në esenë e saj të famshme Një dhomë më vete, se çfarë do të mund të kishte shkruar Sharlota sikur këneta epokës viktoriane nuk do ta kishte mbërthyer atë në korsetat për të cilat mbretëresha Viktoria ishte e famshme.

Woolf merret me një paragraf të Xhejn Eir në të cilën ajo beson se dëgjon Sharlotën të shpërthejë në zërin e Xhejnit për t’i dhënë një leksion lexuesit mbi përjashtimin e grave nga bota e njerëzve “të zënë me punë” dhe “eksperiencave praktike,” dhe për të vajtuar gardhimin e talenteve të tyre “te përgatitja e pudingut dhe thurrja me shtiza apo luajtja e pianos e qëndisja e çantave.” Sipas Woolf, kjo tregon se imagjinata e Sharlotës, sado e fuqishme, ishte gjithashtu e kufizuar – se ajo “nuk do të mund të shpalosë kurrë gjenialitetin e saj të plotë. Librat e saj do të jenë të deformuar dhe të sajuar. Ajo do të shkruajë e zemëruar aty ku duhet të jetë e qetë.” Shkrimet e Sharlotës do të kishin qenë, sipas Woolf, shumë herë më të mira në rast se ajo do të kishte, fjala vjen “nja 300 [paund] në vit.”

Por Woolf e kap këtë saktësisht gabim, rrjedhimisht duke humbur atë aspekt që e bën historinë e Brontëve kaq të kënaqshme. Disavantazhet shoqërore dhe ekonomike të motrave nuk i penguan ato. Sharlota dhe Emilia eksploruan – dhe shfrytëzuan – shtëpinë burg të gjinisë së tyre me një dritëpamje me qartësi të paprecedentë. Gjithashtu ndodhi që motrat të kishin një sasi të mirë të “eksperiencës praktike,” dhe se ata nuk mjaftoheshin me pak. Të shtyra jashtë botës, ata ktheheshin në shtëpi sa më shpejt që të mundeshin dhe në tërheqjen e tyre nga shoqëria gjetën autonominë për të kultivuar zërat e tyre origjinalë. Ato shëtitje në tregun e punës së grave ishte çfarë i dha atyre materialin më të mirë.

Motrat Brontë ishin gra të klasës dhe kohës së tyre – të arsimuara, të varfra, me gjasa të destinuara për mbetur lënesha – megjithëse me një të veçantë. Fëmijëria e tyre ishte sui generis. Pa nënë që kur ishin shumë të vogla, Brontët shijuan neglizhencë pozitive nga babai i tyre i zënë dhe shfrytëzuan mirë lirinë për të zhvilluar botë komplekse në fantazi. Ato lexuan çfarë mundën; kaluan pasdite të gjata në kënetën që fillonte që nga dera e tyre e pasme; ato shpikën mbretëri ekzotike me histori voluminoze dhe intriga politike; vunë në skenë vetëm atë që ato mund të shihnin; shkruan revista që vetëm ato mund të lexonin; dhe qëndisën romane e poema në libra miniaturë të shkruara në gërma kaq të vogla sa asnjë i rritur në shtëpi nuk mund t’i deshifronte. pavarësisht kësaj, për shkak se babai i tyre që po plakej ishte i zënë me ministrinë e tij mbi vuajtjet e grigjës së tij grindavece, ato nuk kishin sigurinë që nevojitej për të gjetur një profesion. Kjo mund të thoshte vetëm që, për Brontët, puna e guvernantes së një shtëpie të madhe apo e mësueses së fëmijëve të zotërinjve ishin opsione të vlefshme.

Sharlota dhe Emilia dhanë mësim për një copë herë në Pensionnat Heger në Bruksel, ku ato ishin gjithashtu studene. Emilia e la punën pas disa muajsh dhe u kthye te shtëpia buzë kënetës, për t’u bërë pastruese shtëpish. Sharlota vijoi edhe për një vit më shumë, më së shumti për shkak se ra në dashuri me mësuesin dhe kolegun e saj Constantin Heger. Një profesor i shkëlqyer dhe karizmatik, ai ishte mashkulli i parë jashtë familjes që njohu fuqitë e tyre dhe i trajtoi si të barabartë në intelekt.

Ai ishte gjithashtu i martuar – me punëdhënësen e Sharlotës, drejtoreshën e shkollës. Heger pëlqente të kishte një afeksion flirtues për nxënëset e tij më të mira, në veçanti për Sharlotën, diçka që “Brontët qafëdrejta mund ta kishin gjetur surprizuese,” shkruan Claire Harman, e cila ka gërmuar në këtë periudhë të ndërmjetme në Sharlotë Brontës: Një Zemër Krenare. Sharlota, shkruan ajo, ishte “e uritur për dashuri,” dhe me siguri e pushtuar nga interesi intensiv i Hegerit për të. Por çfarëdo gjëje që ndodhi mes asaj dhe atij ka gjasa që është zhvilluar “më së shumti vetëm në mendjen e saj”. Por gruaja e Hegerit e vuri re “gjendjen e interesit” të Sharlotës dhe filloi ta monitorojë atë nga afër. Hegeri filloi të mbajë distancë. Pas shumë muajsh të tilla, Sharlota u largua. Pas në shtëpi, ajo luajti me idenë e fillimit të një shkolle te shtëpia e saj bashkë me Eliminë dhe Anën, por i hodhi energjitë e saj në letrat për Hegerin, të cilat u bënë gjithnjë e më të dëshpëruara. Ai u përgjigj me ndërprerje dhe formalisht.

Shkolla e Brontëve nuk u hap kurrë. Në vend të kësaj, Sharlota shkroi romanin e parë që kërkoi ta publikonte Profesori, një kronikë e maskuar (dhe difektoze) e kohës së kaluar në Bruksel, libër që në fakt nuk u botua kurrë për aq sa ajo qe gjallë. Por në romani tjetër të saj, Xhejn Eir, dhe i fundit, Villette, ajo e vuri këtë histori në përdorim në mënyrë spektakolare. Ajo shprehu zemërim për statusin e degraduar të guvernanteve dhe mësueseve. Ajo dënoi izolimin dhe dobësinë e një gruaje që del në botë për të gjetur rrugën e vet. Ajo i lë të lira ndjenjat e saj për Hegerin, duke i elektromagnetizuar romanet e saj me sensualitet.

Është roli ambig i Xhejn Eir në Thornfield Hall si një person thuajse-i-barabartë dhe thuajse kujdestare fëmijësh që e bën atë një vëzhguese të tillë të mprehtë si të klasës së lartë, ashtu edhe të klasës së shërbyesve. Përmes Lusi Snout (Lucy Snoëe), rrëfimtares jetime te romani Villette, i cili jep leksione në shkollën e vajzave në një vend që dukshëm është Belgjika, dhe që ka rënë në dashuri me mësuesin e saj, ne mësojmë se çfarë do të thotë të kesh një punë që kthehet helmuese në çastin kur punëdhënësja e saj fillon të ngrejë skema kundër punëmarrëses. Si Xhejn ashtu edhe Lusia vuajnë për të vendosur një vijë ndarëse me superiorët e tyre joshës që vazhdimisht dhunojnë limitet profesionale, për mirë apo për keq. Me pak fjalë, nëse Sharlota do të kishte 300 paundë të ardhura në vit, ajo nuk do të kishte shkruar kurrë romanet që magjepsën lexuesit në atë kohë me përshkrimet e tyre të sinqerta të kushteve të punës për gratë e shtresës së mesme, romane që vijojnë na ngushëllojnë ne që gjithashtu kemi nevojë të nxjerrim jetesën.

Në letërsinë e tyre, Brontët analizuan më shumë se sa thjeshtë llojin e punës angari që paguhej. Ato i mbushën gjithashtu rrëfenjat e tyre me atë lloj pune angari që nuk shpërblente. Në librin studimor Laboratori Brontë, Deborah Lutz tërheq vëmendjen ndaj kuptimeve të përzjera të punëve shtëpiake të shekullit të 19 në jetët e motrave, veçanërisht punëve me grep, të cilat zonjat pritej se duhej t’i mbanin duart e zëna përgjatë të gjithë kohës. Sharlota u indinjua kur padronia e saj e parë kërkoi që ajo të bënte edhe qëndisje përveç kujdesit për fëmijën, duke i kërkuar asaj të bënte rroba kukullash apo të zbukuronte çarçafët. Megjithatë vërehet gjithashtu se qëndistaria i jep mundësinë personazheve të motrave Brontë të gjejnë kohë për të medituar për çështjet që ato kanë për zemër pa u kritikuar për dembeli apo se rrijnë kot. Ndërsa punonte si guvernante, Xhejn Eir fshihet pas qëndistarisë kur ajo dëshiron të vrojtojë më shumë se sa të flasë.

Në romanin Anjeza Grej të Anne Brontë, personazhi që i jep titullin romanit, një tjetër guvernante, është më e lumtur kur merret me qepje me motrën e saj pranë oxhakut në shtëpi. Motrat Brontë pëlqenin të qëndisnin bashkë gjithashtu, ndërsa diskutonin progresin e romaneve të tyre.

Woolf vlerëson se vetëm Emilia, nga të gjitha shkrimtaret femra me përjashtim të Xhejn Oustin (Jane Austen), u ngrit mbi “kufizimet e seksit” për të shkruar me një indiferencë madhështore ndaj feminitetit të vet. (“Lartësitë e Stuhishme mund të ishin shkruar nga një shqiponjë,” komentoi dikur G. K. Chesteron.) Është e vërtetë se Emilia vrojtonte personazhet e saj meshkuj në botët e tyre me sy të ftohtë dhe me një të kuptuar të pazakontë, duke i dhënë kompleksitet moral dhe momente dashamirësie edhe më të tmerrshmëve prej tyre – dhe burrat te Lartësitë e Stuhishme mund të jenë jashtëzakonisht të këqinj. Por Woolf, krahas kritikëve të një shekulli të tërë, dështoi të dallonte protestat feministe që Emilia i fshihte aspak mirë. Në zemër të romanit të saj është një shërbyese shtëpiake, Nelli Din, e cila, vëren me mençuri Lutz, “ka marrë përgjegjësinë për të vënë kuadrin, për të riorganizuar dhe për të qepur sëbashku jetët dhe narrativat jetësore të personave përreth saj, diçka e ngjashme me atë që ka në dorë vetë shkrimtari.”

Motrat Brontë i botuan romanet dhe poezitë e tyre fillimisht nën pseudonime meshkujsh. Xhejn Eir u publikua nën emrin Currer Bell, ndërsa Lartësitë e Stuhishme u botua nën emrin Ellis Bell. Qiramarrësi i Uildfill Hall u botua nën emrin e njëfarë Acton Bell. Ka një debat të gjerë që vijon që nga ajo kohë se pse të tri motrat përdoren pseudonime meshkujsh në romanet e tyre.

* mysterium tremendum nga latinishtja, term liturgjik që nënkupton një lloj fuqie misterioze e cila njëkohësisht na josh dhe na frikëson.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>