22 Maj, 2019

Del së afërmi në librari “Mendja e robëruar”, nga poeti e shkrimtari nobelist polak Czesław Miłosz (përkthyer nga Bashkim Shehu).

Shkruar në kulmin e stalinizmit në Poloni, teksa autori ishte arratisur nga vendlindja, “Mendja e robëruar” analizon me mprehtësi marrëdhënien komplekse me regjimin e ri të pasluftës të disa figurave kyçe të letrave polake, joshjen e ideologjisë së pushtetit, sukesin, rënien e tyre.

Më poshtë disa fragmente shumë të shkurtra nga vepra:

*

Përvoja i ka mësuar intelektualit të Lindjes artin e të maturit me imtësi të veprimeve të veta. Ai ka parë shumë e shumë njerëz të bien në greminë vetëm për një hap të gabuar, për shkak të një artikulli të shkruar në mënyrë tepër impulsive ose për një fjalë të lëshuar ashtu kot. Nëse Perandoria shembet, mund të kërkosh në rrëmujë e sipër mjete të reja për të mbijetuar e për të vepruar; deri atëherë, mendon ai, duhet punuar me zell për ngadhënjimin e Perandorisë, gjithë duke ushqyer në fshehtësi shpresën se “marrëzia” e Perëndimit, çfarëdo që të thonë, nuk është përnjëmend e pakufi: Ah sikur perëndimorët të mund të kuptonin me të vërtetë mekanizmin e “epokës së madhe staliniane” dhe sikur të bënin atë që duhet! Gjithçka gjer tani tregon se ata nuk e kanë kuptuar. E megjithatë, a do ta kuptojnë, vallë?

[…]

E kam vështirë ta gjykoj Alfën me rreptësi. Edhe unë i kisha hyrë asaj rruge që dukej e pamundur të mos e vazhdoje. Nëse ika, këtë e bëra duke shkelur vlera e detyrime, kështu që edhe veten e gjykoj pa kurrfarë vetëkënaqësie. Mendoj se largimi i mëtejshëm i fateve tona ngërthehej në atë dallim të vogël ndërmjet reagimeve tona teksa vizitonim rrënojat e Varshavës apo kur shikonim të burgosurit. Unë ndjeja se e kisha të pamundur të shkruaja mbi këto gjëra; do të më duhej ta thosha krejt të vërtetën e jo një pjesë të saj. Për më tepër, këtë e kisha ndjerë edhe gjatë pushtimit nazist; asokohe ngjarjet mund të përshkruheshin në çfarëdolloj mënyre, përveçse me stilin e romanit. Më kujtohet se si ndjeheshim çuditërisht ngushtë kur Alfa na lexonte, në mes të atij qyteti të llahtarisur, tregime që shfrytëzonin këtë temë krejt të nxehtë. Kompozicioni i këtyre tregimeve ishte tepër i lëmuar. Përreth nesh me mijëra vetë vdisnin nga torturat. Transformimi i menjëhershëm i vuajtjeve të tyre në tragjizëm teatral na dukej diçka e pandershme. Ndonjëherë më mirë të belbëzosh nga emocioni i tepruar sesa të flasësh me fraza të rrumbullakosura. Ai zë i brendshëm që na ndalon kur ato gjëra që duam të shprehim janë shumë, është zëri i urtësisë. Me gjasë, Alfa nuk e ka njohur atë zë. Vetëm pasioni për të vërtetën do të mund ta ndalonte të bëhej ashtu si u bë. Atëherë ai nuk do ta kishte shkruar romanin mbi komunistin e vjetër dhe mbi rininë e demoralizuar; në këtë roman ai i kishte krijuar mundësi vetes të shprehte mëshirën, brenda atyre caqeve që nuk tërhiqnin vëmendjen e censurës, dhe e kishte kërkuar miratimin duke thjeshtëzuar tablonë e ngjarjeve në përputhje me atë që dëshironte Partia. Kompromisi i parë të shpie në një të dytë dhe në një të tretë, gjer në çastin kur, më së fundi, gjithçka që thua është krejtësisht e rrumbullakosur dhe koherente, porse nuk ka asgjë të përbashkët me mishin dhe gjakun njerëzor. Kjo është, sipas dialektikës, ana tjetër e medaljes. Rehatia mendore që të jep ajo, duhet paguar. Përreth Alfës etonin dhe jetojnë shumë punëtorë e fshatarë, që flasin me fjalë të ngathëta; por, tekembramja, zëri i brendshëm që dëgjojnë ata nuk ndryshon dhe aq nga kjo kërkesë që shpeshherë ia mbyll gojën shkrimtarit dhe i imponohet: o të gjitha, o asgjë. Ku ta dish! Ndoshta ai fshatari i panjohur apo ai postieri i thjeshtë duhet të vendosen më lart në hierarkinë e atyre që i shërbejnë njerëzimit sesa Alfa, moralisti.

[…]

I ndodhte të përfundonte në ndonjë spital për alkoolistë. Në përgjithësi, rezultatet e trajtimit nuk ishin për t’u entuziazmuar. Fitoret e Deltës në luftën e tij me mjekët ishin me nam. Siç thoshin, në njërin nga këto spitale ngadhënjimi i tij qe aq i plotë sa mjekët dhe pacientët, që të gjithë të dehur, bënin gara me biçikleta nëpër korridore. Sharlatan, alkoolist. Megjithatë, Delta ishte poet i shkëlqyer dhe – në kundërshtim me dukjen e jashtme – poet tragjik. Veprimtarinë letrare e kishte filluar në vitet e krizës së madhe ekonomike. Papunësia, qorrsokaku në të cilin gjendej bota, fuqizimi i nazizmit në Gjermaninë fqinje, të gjitha këto ndikonin në karakterin e artit të tij. Me të drejtë e quanin “mbreti i absurdit”. Në poemat e tij shfaqej qartë një vegim i mynxyrshëm, së paku për ata që dinin ta shquanin pa e lënë veten të ngashënjeheshin nga efektet e jashtme prej klouni. Vegim i një qytetërimi që vdes, i epokës së hekurit që afrohet, i katastrofës. Atëherë asgjë nuk kishte më kurrfarë baze racionale; gjithçka dukej e humbur, shumë vite para se kjo humbje të ndodhte dhe Evropa të zhytej në terr e në mizori. Idetë dhe imazhet që përdorte Delta kishin qëndrueshmërinë e ëndrrës: ato të bënin të rijetoje tmerrin dhe bukurinë e shekujve të shkuar, porse nuk përmbanin asnjë çast qetësie.

Lexo më shumë: Pika pa Sipërfaqe

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>