27 Janar, 2019

Romani i “Pedro Páramo” (Murmurimat)

RENÉ CEBALLOS

MITI DHE MAGJIA

Romani i “Pedro Páramo” (Murmurimat) është i ngarkuar me zhurma, murmurima, zëra dhe hapa të padukura; me magji dhe me frikë. Kjo botë apo kjo atmosferë pasqyron jo vetëm një Meksikë të shek. XX, por gjithashtu nënkupton edhe një Meksikë që e pa origjinën e vet qysh prej shumë vitesh. Një Meksikë si produkt i ngjarjeve të saj historike, politike dhe shoqërore. Është pasqyrim i një vendi metis, që del nga një poçe me “psikologji kolektive” por me shpirt apo nënvetëdije indigjene, e quajtur Konkuista (pushtim) apo gjithashtu Revolucion Meksikan . Në këtë nënvetëdije indigjene mbahet e gjallë frika ndaj së mbinatyrshmes dhe e përdor fenë katolike jo si frikë për të siguruar një jetë të qetë pas vdekjes, por për të zgjidhur problemet e çastit të jetës mbi tokë. Është një nënvetëdije shoqërore por e heshtur.

Horhe Karrion (Jorge Carrión) mendon se “në shprehjen artistike, në poetikë, ajo çka kërkohet është pikërisht përkthimi në forma të komunikueshme i simboleve, i arketipave, që prehen – të fshehta por të gjalla – në pusin e pavetëdijes kolektive” . Me pavetëdije kolektive, Karrion i referohet pranisë indigjene në Meksikën aktuale, prani imanente dhe e pamohueshme. Veç kësaj, duke iu referuar artistëve meksikanë, Karrion shton se “tek ata nuk është pengesë dykuptimësia e karakterit të saj magjik dhe logjik, duke qenë se nga bashkimi i këtyre antitezave burojnë fushat më të mira të artit” . Kjo është një nga arritjet më të mëdha të Rulfos me romanin e tij “Pedro Paramo”. Aty gjejmë këto tipare dhe nuk jemi në gjendje të dallojmë të gjallët nga të vdekurit, aty, pothuaj, humbasim aftësinë për të perceptuar dhe dalluar kohën dhe hapësirën.

Krijimi i një bote me karakter mitik në roman është përcaktuar pjesërisht nga kthimi mbrapa dhe nga ndryshimi i kaheve drejt origjinës : të vdekurit e Komalas kthehen në fshatin e tyre dhe qëndrojnë aty, në formë zhurmash dhe murmurimash, apo fitojnë përsëri zërin dhe trupin, duke ngatërruar kështu edhe të huajt (Huan Presiado) edhe lexuesin. Në Komala, ashtu si në roman, gjejmë një realitet të dytë të trilluar. Ngasja kryesore në roman është sjellja magjike e gjërave, – shiu lag kufomat dhe i bën të ëndërrojnë me zë – ato janë “dëshmi të një pranie tjetër, asaj të instinkteve që, të ndrydhura në pavetëdijen e subjektit, u ikin kuptimeve shoqërore; [ … ] kanë ʻmanënʼ(energjinë e fshehtë) [ … ], fuqinë e natyrës” .

Tek “Pedro Paramo”, po ashtu, hasim të mrekullueshmen, siç e kupton Karpentieri (Alejo Carpentier), objektet marrin jetë, mprehin forcat e tyre dhe veprojnë mbi individët, duke krijuar një atmosferë plot kontraste: gëzim dhe trishtim, dashuri dhe urrejtje, jetë dhe vdekje . Romani, për nga struktura e vet letrare, është një formë e ndryshme për të kuptuar realitetin, përditshmërinë e meksikanit, praninë e përjetshme të vdekjes në veprimtarinë e përditshme. Kjo prani e vdekjes tek personazhet është gjithashtu një pasqyrim i kolektivitetit. Si shembull mjaftojnë festat meksikane të ditës së parë dhe të dytë të nëntorit, të cilat, më shumë se një pikëllim për të vdekurit, janë një nevojë për gostí, lojëra dhe dëfrim. Duke pasur parasysh këtë veçori, këtë zakon të meksikanëve, mund të pohojmë se “Pedro Paramo”, nga ky këndvështrim, është strukturuar në mënyrë mitike. Fshati i Komalës është i mëvetësishëm dhe ekziston vetvetiu – në realitetin novelistik – referencat e tij në botën e jashtme nuk e bëjnë të ndërvarur dhe, nga ana tjetër, na jep një vizion sintetik, jo analitik, të një kolektiviteti sa të brendshëm edhe të jashtëm. Kjo mund të interpretohet vetëm me intuitën dhe logjikën e përmbajtësit të nënkuptuar. Ky roman mitik na paraqet një botë të mëpërtejshme, fuqitë dhe rrethanat e së cilës veprojnë mbi këtë botë.

Huan Presiado arrin të njohë “origjinën” e tij vetëm duke qenë i vdekur, nën tokë. Kësisoj ai fiton një karakter autokton, në kuptimin e Levis-Strauss (“i lindur nga toka”). Aspekti mitik i “Pedro Paramos” është i përbërë, ashtu si miti, nga një natyrë e dyfishtë historike dhe johistorike (marrëdhëniet me Meksikën e së kaluarës dhe atë të së tashmes). Huan Presiado shkon në Komala për të gjetur të atin dhe origjinën e vet. Këtë të fundit e gjen bashkë me vdekjen dhe përmes dialogut me Dorotean. Në këtë moment arrihet tjetër karakteristikë tipike e mitit: miti si pjesë themelore e gjuhës, duke qenë se përmes saj e njohim, dhe miti si ide përtej kufirit të gjuhës . “Pedro Paramo” thua se nuk ekziston veçse në dialogun midis Huanit dhe Doroteas. Si monologu me të cilin nis romani edhe dialogët midis personazheve të tjerë, më tej, shfaqen si pjesë e të njëjtit dialog midis Huanit dhe Doroteas. Një dialog, zhvillimi i të cilit lejon ekzistencën e personazheve të tjerë, të cilët herë-herë, duken se janë të gjallë. Ky dialog ringjallet ende tek i fuqishmi Pedro Paramo, i vetmi pronar i mëparshëm i fjalëve, rreth të cilit gjithçka stolisej me murmurima: “larvat e gjuhës” .

Bota mitologjike e “Pedro Paramos” është bazuar në një sistem të përmendur në kosmogoninë prehispanike (magji dhe frikë) dhe në atë të traditës së lashtë perëndimore. Gërshetimi i këtyre dy pozicioneve në një të vetëm, gati të padukshëm, rrahin të japin një shpjegim të botës (botë e trilluar). Për shembull:

«– Nga ke qenë kështu, Migel?

– Ja këtej vërdallë, isha me femra.»

Pastaj e pyet Damianën:

«- Dëgjo: a e njeh një farë Dorotea, që i thonë Kakacja?»

Dhe ajo i përgjigjet:

«– Po…. Ajo që mban një bohçe të vogël mbështjellë me shallin e saj dhe s’pushon duke thënë se është fëmija i saj… Me sa duket do t’i ketë ndodhur ndonjë fatkeqësi dikur, në ato kohëra…»

Kjo grua është memece dhe qenka e dënuar për diçka që i ka ndodhur “dikur, në ato kohëra”. Nuk kemi asnjë të dhënë se për çfarë kohe e ka fjalën Damiana, por, falë përshkrimit që i bëhet Doroteas, si një figurë arketipike meksikane-fshatare-indigjene, e marrim me mend se është një kohë shumë e largët. Prandaj dyshojmë se kjo grua po ndëshkohet, simbolikisht, për një faj të kryer në të kaluarën, pothuaj parakolombiane.

Nga ana tjetër, këtu aludohet për mitologjinë greke. Huani, i drejtuar nga Abundio, vjen në Komala në kërkim të babait të tij. Që të dy kapërcejnë një lumë me pluhur, pasi Abundio braktis Huanin në hyrje të Komalës, fshat që:

«- Atje do t’ju duket toka sikur është mbi kongjij. Është më keq se në gojën e ferrit»

Ky përshkrim duket si një analogji me ferrin e Dantes, edhe për faktin se, për të mbërritur në Komala, duhet gjithnjë të zbresësh poshtë. Huan Presiado mund të krahasohet me Telemakun, i cili, gjithashtu, i udhëhequr nga Atena, shkon në kërkim të atit të vet, Uliksit. Në këtë pasazh Abundion duhet ta kuptojmë si një lloj Karonti, varkari i ferrit, i cili, me barkën e tij, kalonte shpirtrat e të vdekurve përmes lumit Akeront .

Për të vazhduar me analogjitë e mitologjisë greke, mund ta interpretojmë Huan Presiadon si një Orfe – që udhëton në ferr në kërkim të gruas së tij Euridikës – i udhëhequr prej zërit të nënës së tij. Ky zë bëhet çdo herë e më i dobët dhe atëherë nuk e njeh Euridikën, duke gjetur një varg grash që e mashtrojnë nënën dhe që “më shumë ngjajnë si Virgjilë me fustane: Eduvihes, Damiana, Dorotea” . Janë ato të cilat e fusin Huanin në botën e Pedros. Për Karlos Fuentesin, Pedro Paramo dhe Suzana San Huan, janë respektivisht: një Uliks prej dheu dhe një Elektra e përmbysur. Tjetër interpretim sugjeron ta kuptosh Huan Presiadon, birin natyral të Pedro Paramos , si bir të ardhur si pasojë e një “përdhunimi” fillestar . Oktavio Paz shpjegon se të gjithë meksikanët janë një produkt i atij kontakti të parë të dhunshëm midis spanjollëve dhe actekëve. Në këtë vizion interpretues, një rol shumë të rëndësishëm luan miti i Malinçes, vajza acteke, përkthyese dhe dashnore e Kortesit, e cila tradhtoi popullin dhe origjinën e saj. Sfondi mitik i romanit, po ashtu, sugjeron nostalgjinë e një Parajse: Komala e shkatërruar dhe e braktisur është rezultati i një bote që ekzistuar më parë.

Gjithë sfondi apo nuanca mitike që gjendet te “Pedro Paramo” është përdorur nga Huan Rulfo për të projektuar ambiguitetin e personazheve të tij për t’i përfshirë, kësisoj, ata në një kontekst universal.

REALIZMI MAGJIK TE “PEDRO PARAMO”

Karakteri mitik te “Pedro Paramo” është i përcaktuar nga pakohësia dhe dualiteti i dy botëve: Komala e gjallë si e kaluar dhe e tashme; dhe Komala e vdekur, fakt i së kaluarës dhe i paraqitur në një të tashme fiktive . Realen e mrekullueshme e gjejmë në bashkekzistencën e disa epokave, në paralelizmin e së kaluarës dhe të së tashmes me një takim atemporal, duke pasqyruar kështu në një farë forme përditshmërinë në ringjalljen e së kaluarës së amshuar latinoamerikane. Realiteti kulturor latinoamerikan mund të jetë i fokusuar njëherazi nga dy pikëpamje, nga një reale dhe nga një mitike: me të mbërritur spanjollët në Meksikë, actekët e quajtën Kortezin si Ketzakoatl (Quetzacóatl), perëndia që pritej se do të vinte një ditë; nga ana e tyre, spanjollët u imponuan indigjenëve Jezu Krishtin, të cilin, prej atij çasti, duhej ta adhuronin. Kësisoj, zuri rrënjë edhe realja edhe mitikja; askush nuk e di me siguri, nëse imazhet e shenjtëve të përfaqësuar në kishat meksikane të shek. XVI dhe XVII, janë imazhet e shenjtëve katolikë apo të shenjtëve të indigjenëve, të cilët morën pjesë në ndërtimin e këtyre shenjtëve dhe, indirekt, qenë të frymëzuar nga imazhet autoktone të perëndive të mëparshme të tyre, përnderimin e të cilëve u duhej ta ndrydhnin.

Përmasa e realitetit dhe e mitikes në Amerikën Latine, nganjëherë, është e prirur për nga e kaluara indigjene, duke menduar për të si parajsë e humbur; në raste të tjera, priret për kah Europa, e kuptuar si burim dhe seli e një bote ideale. Rezultati i këtij pozicioni është një dykuptimësi në jetën e tyre historike, e cila, megjithatë, ua pasuron botën.

Duke marrë për bazë propozimin e Levis-Strauss për strukturën historike dhe ahistorike të mitit, Marta Gajo (Marta Gallo) bën analizën e mëposhtme: «“Pedro Paramo”, me tërë mundësitë e veta, shfrytëzon ngjashmëritë midis mitit dhe letërsisë, po ashtu ngjashmëritë midis mitit dhe realitetit amerikan: 1) sepse struktura e përgjithshme e veprës e përqendron problemin në nivel të dyfishtë realiteti dhe në vlerë të dyfishtë kohe, të së përkohshmes dhe të së përjetshmes: amshimi i universit përballë amshimit të vdekjes; e tashmja pa ekzistencë reale, përballë vazhdimësisë së një të kaluare që, edhe pse tani nuk ekziston, uzurpon dhe vret të tashmen, duke fshirë kështu kohën (ose historinë) e Komalës; 2) sepse shtjellimi i rrëfimit, duke i trajtuar mitologjikisht ngjarjet, përsërit të njëjtat mospajtime të parashtruara në nivelin e strukturës së përgjithshme: motivet dhe imazhet janë të mbushura me sugjerime mitike [ … ] . Dhe më tej shton: «…duke e bërë të qartë njësimin me të kaluarën, Rulfo përpiqet ta çmitizojë atë.»

Si përfundim, mund të themi se “Pedro Paramo” hyn te Realizmi Magjik, sepse rrok esencën e një realiteti duke e vendosur atë në përmasa kohore dhe jo kohore, individuale dhe shoqërore; çpërditëson dhe çuditëron realitetin e përditshëm, duke treguar me këtë mënyrë pasuritë e së njëjtës. Nga ana tjetër, përmes mistifikimit të këtij realiteti të përditshëm, tenton të lërë jashtë tjetërsimin kolektiv në të kaluarën.

Lexo më shumë: Pedro Paramo, Rrafshina ne flake, Juan Rulfo

Lexo më shumë: Sfida e krijimit

Ky shkrim është kortezi e përkthyesit Bajram Karabolli

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>