27 Janar, 2019

FEDERICO GARCIA LORCA (1898-1936)

PEIZAZH

Fusha
me ullinj
si një erashkë
hapet dhe mbyllet.
Përmbi ullishtë
një qiell i lodhur rëndon
dhe një shi i zymtë
yjesh të akullt.
Dridhet zhuka dhe hija
mbi bregun e lumit.
Fërgëllon ajri i përhimët.
Ullinjtë
janë ngarkuar
plot me britma.
Një tufë
zogjsh të zënë rob
që bishtat aq të gjatë
tundin në zymti.

BALADA PËR TRE LUMENJ

Lumi Guadalkivir
portokaj dhe ullinj çan përmes.
Të dy lumenjtë e Granadës,
nga dëbora përmbi arë zbresin.

Eh, kjo dashuri
që iku e më s’u kthye!

Lumi Guadalkivir
flokë shegë të kuqe flakë.
Të dy lumenjtë e Granadës,
njëri derdh lot e tjetri gjak.

Eh, kjo dashuri
që në ajër u tret!

Për varkat me velë
ka një udhë Sevilja;
përmes ujërave të Granadës
lundrojnë vetëm psherëtima.

Eh, kjo dashuri
që iku e më s’u kthye!

Guadalkivir, kullë e lartë
dhe erë në portokallishtë.
Lumenjtë Darro dhe Henil,
shtrirë të vdekur në gjolisht.

Eh, kjo dashuri
që në ajër u tret!

Kush tha se uji na sjellka
një zjarr të fryrë me britma!

Eh, dashuri
që iku e më s’u kthye!

Sjell ullinj dhe lule portokalli
në detet e tu, o Andaluzi.

Eh, kjo dashuri
që në ajër u tret!

KITARA

Ia nis vajtimit
kitara.
Copë-copë bëhen
kupat e agimit.
Ia nis vajtimit
kitara.
Është e kotë,
dot s’e ndalon.
Është e pamundur,
s’e ndalon dot.
Qan e s’pushon
ashtu siç vajton uji,
qan si era që mbi dëborë
pret e shkon.
E pamundur është
dot s’e ndalon.
Vajton për gjëra
që kushedi ku i la.
Për rërën përvëluese të Jugut
që kamelie të bardha kërkon.
Qan për shigjetën që shkoi huq,
për mbrëmjen pa mëngjes,
për zogun e parë që vdiq
përmbi degë.
Oh, kitarë!
Zemër e plagosur rëndë
nga pesë shpata.

OI!

Klithma lëshon në erë
Një hije qiparisi.

(Lërmëni të qaj
te kjo fushë.)

Gjithçka është rrënuar në këtë botë.
Veç heshtjes s’ka mbetur më gjë.

(Lërmëni të qaj
te kjo fushë.)

Horizontin pa dritë
flakët e kanë kafshuar.

(Ju thashë pra,
më lini të qaj
te kjo fushë.)

PASKËTAJ

Labirintet
që koha krijon,
Zhbëhen.

(Mbetet vetëm
shkretëtira.)

Dhe zemra,
kjo gurrë dëshirash,
po shteret

(Mbetet vetëm
shkretëtira.)

Vegimi i agut
dhe puthjet
avullohen.

(Mbetet vetëm
shkretëtira.)

Një shkretëtirë
dallgë-dallgë.

Marrë nga “Poetë të shquar hispanikë” (Antologji poetike) Shtëpia Botuese ILAR, 2016. (Shqipërues Erion e Bajram Karabolli

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>