“Lumo Skëndo” për “Princin” dhe Rita Petron

0
463

Skice e nje konceptimi mbi jeten, Arshi PipaÇmimi i bibliofilisë “Lumo Skëndo” për vitin 2013, i shkoi shtëpisë botuese “Princi” për botimin e veprave të Arshi Pipës, si “Kritika dhe ese 1940-1944” apo “Skicë e një konceptimi mbi jetën, mbi gjeniun“. Përtej një gjysme shekulli censure e trembëdhjetë vite lamtumire, Arshi Pipa, autori dantesk i “Libri i burgut“, nuk ka reshtur komunikimin e tij serioz me lexuesin. Librat janë botuar falë dorëshkrimeve të mbetura prej tij, të cilat ai i quan thjesht “Skicë e një konceptimi mbi jetën”. “Unë mund të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi; kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira ime absolute”, shkruan Arshi Pipa. Ai është aq i vërtetë e aq i sinqertë, sa asnjë tjetër mendimtar përpara tij, në mos Sokrati, modeli i tij kurajoz … Këta libra janë një mënyrë për ta ritakuar sërish Pipën, përmes rreshtave të shkruara kohë më parë. Ndërsa për vitin 2014, çmimi “Lumo Skëndo” ka shkuar për poeten Rita Petro, për vëllimin poetik “Vrima”. Ky libër synon të zbulojë poetikisht skutat më të errëta të ndërgjegjes universale dhe të shpirtit njerëzor. Në qendër të harmonisë së trupave qiellorë dhe të trupave njerëzorë vendoset erosi, prania e të cilit ndihet në çdo varg të librit si amësi dhe si sensualitet femëror. Të shtatë elementet që përbëjnë jetën janë përdorur si detaje për universin poetik të librit Vrima: Ujë – Tokë – Ajër – Zjarr – Zot – Grua – Burrë. Me art e në mënyrë kontraverse poetja thyen tabutë që lidhen me moralin, gojëdhënat, botëkuptimet filozofike të ekzistencës, duke provokuar deri në ekstrem intelektin dhe ndjesitë e lexuesit. Edhe në situatat më romantike ajo nuk i përkëdhel ndjenjat, por i trondit ato. I gjithë libri pulson nga ekstaza e dashurisë, që është gjendja e krijimit dhe që poetja e krahason me dhembjen e lumturinë që ndien femra kur nxjerr në jetë fëmijën.