nga Admin

23 Dhjetor, 2015

Presidenti Nishani, dhuratë bibliotekës me rastin e 95-vjetorit të krijimit

Meshari i Gjon BuzukutPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, do t’i besojë sot Bibliotekës Kombëtare përkujdesjen e kopjes së “Mesharit” të Gjon Buzukut, dhuratë që Papa Françesku I Parë ia bëri gjatë vizitës së parë historike në vendin tonë. Historia e librit është e ngjashme me historitë njerëzore dhe përbën një rrugëtim të veçantë në çdo kulturë. Aq më e rëndësishme bëhet kjo histori kur ka në fokus rrugëtimin e “Mesharit”, themelit të kulturës sonë të shkruar, drejt lexuesit shqiptar. Kopja e tij e parë teknologjike nis me financimin e Ministrisë së Arsimit në vitin 1929, duke i krijuar kushtet françeskanit atë Justin Rrota, filolog e studiues, të fotografonte e të sillte në Shqipëri tri kopje të veprës origjinale, e gjendur në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, zbuluar nga Gjon Nikollë Kazazi. Një prej kopjeve u bë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Mbas botimit kritik, punuar e transliteruar mjeshtërisht nga gjuhëtari i shquar, prof. Eqrem Çabej më 1968-n, kjo kopje e re e “Mesharit” vjen përmes kopjimit më të mirë të mundshëm dixhital dhe me një lidhje të hijshme, duke e shndërruar “Mesharin” e Papa Françeskut në një libër të mirëfilltë bibliofilik. Sot, kjo vepër do të jetë pjesë e Bibliotekës Kombëtare. Presidenti Nishani do ta vizitojë sot bibliotekën, e cila pak ditë më parë kremtoi 95-vjetorin e krijimit për të vizituar dhe ekspozitën “Biblioteka e bibliotekave”, e konceptuar si një nderim për ato biblioteka private ose kolektive, përmes të cilave është ngjizur pjesa më e vlefshme e fondit të albanologjisë. Ndër bibliotekat më të spikatura të kësaj ekspozite janë biblioteka e Lumo Skëndos, biblioteka e Weigand-it, biblioteka e Françeskanëve dhe Jezuitëve, biblioteka e Bushatllinjve, biblioteka Carnavon, biblioteka e Mitrush Kutelit, biblioteka e Karl Gurakuqit, biblioteka e Mustafa Krujës, e Ilo Mitkë Qafëzezit, biblioteka e Nexhip Alpan, biblioteka e Aleks Budës dhe ajo nga Kosova e Ali Rexhës.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>