nga Admin

15 Dhjetor, 2015

Permasat e librave

Letërsi – Librat po bëhen gjithnjë e më të trashë, por shtimi i faqeve nuk i ka trembur lexuesit. Ata po vazhdojnë të konsumojnë libra në formate elektronike dhe duket se fenomeni i librave të gjatë është tashmë botëror

Librat po rriten gjithnjë e më shumë në përmasa. Sipas një sondazhi, është zbuluar se mesatarja e numrit të faqeve është rritur me 25 për qind gjatë 15 viteve të fundit.

Një studim i më shumë se 2500 librave që u klasifikuan si bestsellerë dhe libra të përzgjedhur, si dhe librat më të diskutuar në Google, zbulon se trashësia mesatare është rritur nga 320 faqe në vitin 1999 në 400 faqe në vitin 2014.

Sipas James Finlayson që kreu studimin, ka një rritje relative vit pas viti, gjë që ka shtuar rreth 80 faqe në përmasën mesatare të librave të marrë në studim që nga viti 1999.

Për Finlayson, një pjesë e madhe e këtij ndryshimi, mund të shpjegohet nga kalimi drejt dixhitales. “Kur zgjedh një libër të madh në një librari, mund të frikësohesh, kurse në Amazon përmasa e një libri është thjesht një shënim në fund, për të cilin nuk kushton tepër rëndësi”.

“Personalisht blej libra të mëdhenj vetëm kur shkoj me pushime, sepse nuk dua t’i lë në fund të çantës. Por kur ke një libër të trashë në Kindle, kjo nuk përbën problem”.

Agjentja letrare, Clare Alexander, bie dakord se librat e gjatë janë më të përshtatshëm në formatet elektronike, por thekson se shumica e leximit elektronik fokusohet te zhanret si romanca, krimi dhe erotika. Për Alexander, rritja graduale në përmasa, është provë e një ndryshimi kulturor.

“Pavarësisht bisedës së vdekjes së librit, për shkak të konkurrencës me mediat e tjera”, thotë ajo, “njerëzit që duan të lexojnë duket se preferojnë një rrëfim të gjatë dhe të shpalosur mirë, krejt e kundërta e informacionit të thatë që ne shkarkojmë nga Google.

“Amerikanët kanë çarë rrugën – mendoni për Donna Tartt, Jonathan Franzen, Hanya Yanagihara dhe së fundmi, Marlon James, por ata nuk janë të vetmit. Hilary Mantel nga Britania dhe Eleanor Catton nga Zelanda e Re, kanë shkruar të dyja romane të gjata dhe po të shohësh listën, kupton se sa prej tyre kanë fituar çmime. Është kaq e qartë se edhe juritë preferojnë librat e gjatë gjithashtu”.

Çmimi “The Man Booker” për shembull, në Britani është bërë eventi kryesor i librit që nga vitet 1970 dhe prova e zgjerimit mund të gjendet në regjistrin e fitimtarëve. Romanet fituese të çmimit në pesë vitet e para kishin rreth 300 faqe, por edhe duke llogaritur romanin triumfues të vitit 2011 nga Julian Barnes prej 160 faqesh, pesë fitimtarët e këtyre viteve të fundit kanë një mesatare prej 520 faqesh. Fituesi i këtij viti, Marlon James, kishte një libër prej 700 faqesh.

Për Max Porter, redaktorin në Granta, që publikoi librin fitues të vitit 2013 prej 800 faqesh nga Eleanor Catton, është e vështirë të kuptohet thelbi i një ndryshimi të të gjithë tregut, por është inkurajuese të shohësh këta libra të rinj dhe ambiciozë teksa shfaqen.

“Në të gjithë kulturën, njerëzit po përpiqen të zgjidhin çështjen nëse përmbajtja do të bëhet mobile, çfarë pajisjesh njerëzit do të përdorin për ta konsumuar atë”, thotë Porter, “ndaj jam shumë i inkurajuar nga libri i madh dhe i trashë që thotë ‘më lexo’”.

Shtimi i programeve televizive, ku shikuesit angazhohen në kalimin e dhjetëra orëve për të ndjekur një rrëfim të vetëm, duket se ka inkurajuar publikuesit të mbështesin shkrimtarët që shkruajnë gjatë, vazhdon Porter.

“Është vërtetuar se njerëzit kanë oreksin, durimin dhe energjinë që të qëndrojnë pas një ngjarjeje dhe të njëjtave personazhe, teksa rrëfimi zgjerohet”.

Librat e trashë mund të bëhen më të lehtë për t’u mbajtur me vete, ngaqë lexuesi elektronik nuk e ka problem, por Porter nuk është i bindur nëse është leximi dixhital ai që ka nxitur trendin. Redaktori citon studimet që tregojnë se vetëm 60 për qind e librave që blihen elektronikisht, lexohen dhe normat e përfundimi shkojnë deri në 20 për qind për disa tituj.

‘Një libër i trashë është një mishërim fizik i qëllimit tuaj për të kaluar kohën e nevojshme për ta lexuar atë”. Shtimi i faqeve të romaneve bashkëkohore, mund të jetë shkak i pohimit plot vetëbesim të identitetit tonë.

Listat bestsellerë janë dominuar gjatë viteve të fundit nga seritë që variojnë nga Harry Potter te trilogjia e El James “50 hijet”.

Megjithatë, nuk po ndodh vetëm shtimi i fjalëve, botuesit po lënë hapësira në fillim dhe në fund të faqes dhe po rrisin madhësinë e shkrimit për t’i shtuar peshën romanit.

“Ka disa audienca që duan ta ndiejnë peshën e librave që po blejnë”.

Sfida e vërtetë e tregut të botimit të librave, nuk janë ekstremet e mëdha ose të vogla, por botimi i së mesmes, emrat jo shumë popullorë, shkrimtarët në mes të karrierës dhe librat e përmasave të mesme.

Burimi: The Guardian 

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>