7 Shtator, 2019

Peter Thal Larsen, Reuters

Teprimet nga ana e korporatave janë një fenomen i zakonshëm në ditët tona. Drejtorët ekzekutivë qarkullojnë nëpër botë me avionë privatë ndërsa depozitojnë të ardhurat e tyre marramendëse nëpër llogari bankare të vendosura në parajsa fiskale. Drejtorët miratojnë pa mëdyshje blerje kompanish rivale duke hedhur në rrugë mijëra punëtorë. Avokatët dhe lobuesit tresin standardet mjedisore dhe frikësojnë rivalët më të vegjël ndërsa shfrytëzojnë maksimalisht boshllëqet në ligjet fiskale.

Gjithsesi, fuqia e tepërt e korporatave nuk është diçka e re. Baronët plaçkitës të Amerikës akumuluan pasuri të stërmëdha në shekullin e 19, ndërsa globalizimi i mundësoi kompanive të bëhen organizata me më pak rrënjë, dhe më të pamëshirshme, nëpër kapitalizmin përtej kufijve.

Kjo gjithashtu nuk është diçka e re. Në të vërtetë, kompania e parë e madhe aksionere u bë një nga më të mëdhatë në botë – dhe një nga më të tmerrshmet.

Po flasim për Kompaninë e Indive Lindore. Themeluar në Siti të Londrës në vitin 1600 për të kryer tregti erëzash, ajo u bë një kompani me monopol të mbrojtur nga një dekret mbretëror. Përgjatë 250 viteve që pasuan, ajo dominoi nënkontinentin Indian.

Historiani William Dalrymple e prezanton historinë e kësaj kompanie përmes disa detajeve të përgjakshme në librin “Anarkia: Ngritja e Pandalshme e Kompanisë së Indisë Lindore”, detaje që tregojnë se si të punësuarit e kompanisë vrisnin, plaçkisnin, korruptonin dhe vidhnin për llogari të vlerës së aksioneve të kompanisë në bursë, duke siguruar në këtë mënyrë një fluks të vazhdueshëm parash për të paguar dividentë te pronarët e kompanisë pas në Angli.

Tregtarët britanikë zunë bazë në brigjet e Indisë dhe menjëherë vërejtën një mundësi për diversifikim: perandoria Mugale, e cila e kishte sunduar shumicën e Indisë për dy shekuj me rradhë, ishte pranë kolapsit. Kompania e Indive Lindore ndërhyri, duke përdorur milici private dhe teknika ushtarake të importuara nga Europa. Nga viti 1764 “një grusht tregtarësh kishte transformuar veten në sundimtarë de facto të shumicës së Indisë së veriut”. Në këtë kohë kompania e tyre realizonte një të pestën e të gjitha eksporteve të Britanisë.

Akumulimi i shpejtë i pushtetit solli edhe rritje të shkallës së ekspozimit dhe të gadishmërisë për të ndërmarrë rreziqe. Një panik financiar në vitin 1772 e la kompaninë në prag të falimentit, dhe ajo kërkoi një kredi nga Banka e Anglisë, gjë që u pasua nga një paketë më e madhe shpëtimi e miratuar në parlament. Njësoj si në rastin e krizës që rrrëzoi bankat e Britanisë 250 vjet më vonë, sipërmarrja private në fjalë ishte bërë tepër e madhe për t’u lënë të falimentonte.

Kjo solli një shqyrtim të pasurisë së drejtuesve të Kompanisë së Indive Lindore, ekujvalenti i bankierëve të uritur për bonuse të ditëve tona. Zyrtarët e kompanisë që kishin ikur me punë në lindje, ishin kthyer në shtëpi me pasuri të stërmëdha, të cilat i patën shpenzuar në prona të patundshme, si dhe në lyerje të makinacioneve për ngjitjen e vetes në pozicione pushteti, si psh., duke hyrë deputetë në parlament. I akuzuar se kishte përvetësuar para në mënyrë të papërshtatshme nga thesari i Indisë, Robert Clive, ish komandanti në Indi, oftoi një mbrojtje shumë të ngjashme me atë drejtuesve të korporatave të sotme: “Unë jam edhe vetë i habitur me vetëpërmbajtjen time”.

Njësoj si në periudhën pas krizës së vitit 2008, kostoja e një shpëtimi nga falimenti ishte asgjë më shumë se sa një mbikëqyrje pak më e rreptë publike se sa më parë. Shteti nuk ishte më i gatshëm të jepte me koncesion sipërmarrjen në Indi ndërsa rëndësia e Indisë për Britaninë u rrit, veçanërisht për shkak të humbjes së kolonive amerikane pas revolucionit që krijoi SHBA-në. Zgjerimi agresiv vijoi gjithsesi edhe për disa dekada. Vetëm pas një kryengritjeje të përgjakshme nga vetë ushtarët e Kompanisë së Indive Lindore më 1857, kompania u shpërnda.

Dalrymple, autor i disa librave mbi historinë e Indisë, tregon përleshjet, rrethimet dhe betejat në detaje tronditëse. Ai rikrijon në mënyrë të gjallë jetët e perandorëve, sulltanëve dhe princëve që u përballën me këtë korporatë, si dhe zbërthen rivalitetet dhe aleancat e tyre. Rezultati është një histori e pazakontë e shkruar nga perspektiva e të mposhturit dhe jo e fitimtarëve.

“Anarkia” është më pak e shqetësuar me mekanikën financiare të korporatave të hershme shumëkombëshe. Por një vëzhgim intrigues është ai që thotë se aksionet e kësaj kompanie ishin “pothuajse një formë monedhe ndërkombëtare”. Fokusi i Dalrymple mbi Indinë dhe Anglinë nënkupton gjithashtu që ai i kushton shumë pak vëmendje pasojave të tregtisë së opiumit që kjo kompani bëri në Kinë si dhe përfshirjen e saj në tregtinë e skllevërve.

Pavarësisht kësaj libri është i përkagjshëm dhe paralajmëron për rreziqet e kapitalizmit pa kontroll. Dalrymple ofron prova të mjaftueshme për të mbështetur konkluzionin e tij se pushtimi i indisë ishte “akti më i lartë i dhunës korporative në historinë e botës”. Sepse pavarësisht të gjithë fuqisë që kanë, shumëkombëshet moderne si Amazon dhe Facebook nuk kanë ushtri të vetat apo nuk sundojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi miliona njerëz.

Leksioni është veçanërisht i përshtatshëm për Mbretërinë e Bashkuar. Politikanët britanikë gjatë viteve të fundit kanë rikujtuar historinë tregtare të vendit duke e prezantuar atë si një frymëzim për triumfe në të ardhmen. Në vitin 2016, ish-kryeministri David Cameron tha se Britania mund të bëhet “kombi pirat vetmitar i suksesshëm në tregti në shekullin e njëzet e një”. Çdokush me dijeni mbi urinë e Bengalit të fillimit të viteve 1770, kur miliona vdiqën nga uria ndërkohë që Kompania e Indive Lindore eksportonte para të thata te aksionerët e vet në Londër, do të duhet të mendojë dy herë para se të rikujtojë një histori të tillë.

Për më tepër, ata që ëndërrojnë se do të ringjallin të shkuarën tregtare të Britanisë mundet në fakt të jenë duke e çuar vendin pas. Ndërsa disa shpresojnë se Mbretëria e Bashkuar mundet edhe një herë të pushtojë tregjet përtej Bashkimit Europian, të tjerët e shohin vendin njësoj si tregtarët anglezë të shekullit të 17 shihnin Indinë: një vend i ndarë i sunduar nga qeveri të paqëndrueshme dhe lehtësisht i pushtueshëm nga një sipërmarrje e fortë. Siç e bën të qartë libri “Anarkia”, ky është një fat që asnjë komb nuk duhet ta vuajë sërish.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>