12 Shkurt, 2018

Dita e të dashuruarve mbërriti këtë vit me disa botime të reja të lidhura me temën e dashurisë.

Shtëpia botuese Bota Shqiptare sjell romanin e Ana Premolit, Thjesht një histori dashurie, një dashuri që solli frymëzim për një shkrimtar në Nju Jork.

Roberto Emanuelli vjen në shqip me romanin Atëherë puthmë. Dashurinë, atë të vërtetën, e ndien kur mbërrin. Të godet në zemër dhe kokë, dhe në atë pikë është tepër vonë: largësia, stuhitë e vogla e të mëdha, asgjë nga këto nuk mund ta ndalë. Dhe është e pamundur të harrosh, thotë Emanuelli.

Shkrimtarja bashkëkohore Nicola Yoon vjen me romanin Mos bjer në dashuri me mua, një libër i shumëshitur që flet më shumë mbi faktorët e shumtë që ndikojnë te rënia në dashuri se sa mbi aktin e të rënit në dashuri.

Katie Kacvinsky vjen në shqip nga shtëpia botuese Pegi me romanin Dashuria mbi gjithçka. Është historia e një ccifti në dukje kontradiktorë, ai është hijerëndë ndërsa jo është përlot jetë dhe vështirë që të shtrohet. E rrëfyer nga pikëpamjet e dy personazheve, historia e Dilanit dhe Greit do të shpaloset gradualisht, së bashku me sekretet më të thella të këtyre dy adoleshentëve.

Pesë vjet më parë Ejdën Tejlëri u largua nga Nju Jorku hipur në koçinë e fitimtarëve, drejt diellit dhe dëfrimit të Kalifornisë. I porsanderuar me Çmimin Pulitzer për librin e tij të parë, i mikluar nga kritika dhe i mbështetur nga një numër i madh kopjesh të shitura, s’kishte dyshime se ai ishte vetëm fillimi i një karriere të ndritur dhe të gjatë.

Sa keq që gjërat nuk shkuan pikërisht kështu: libri i tij i parë mbeti i vetmi, agjenti letrar dhe botuesi iu bënë ferrë që të dorëzonte të dytin, për të cilin kishte futur në xhep një paradhënie të majme.

Një roman që Ejdëni nuk po e shkruante dot kurrsesi. I dëshpëruar dhe i cungët në ide, në kërkim të frymëzimit provoi të kthehej në qytetin e lindjes, atje ku kishte zënë fill gjithçka. Dhe pikërisht në Nju Jork do të njohë Lorelën, shkrimtare romanesh rozë shumë prodhimtare.

Po po… “rozë”: një gjini që Ejdëni e përbuzte. Sepse sipas tij ajo ishte palavi, jo letërsi. Dhe kushdo në ditët e sotme ishte i zoti të shkruante një histori të rëndomtë dashurie… Apo ndoshta jo?

Lexo më shumë:

Titulli: Thjesht një histori dashurie
Origjinali: É solo una storia d’amore
Gjinia: Roman
Autori: Anna Premoli
Shqipëroi: Agim Doksani
Shtëpia botuese: Bota Shqiptare
Viti: 2018
Fq. 320
Pesha: 0.421 kg.
ISBN: 978-9928-00-275-4

Dashurinë, atë të vërtetën, e ndien kur mbërrin. Të godet në zemër dhe kokë, dhe në atë pikë është tepër vonë: largësia, stuhitë e vogla e të mëdha, asgjë nga këto nuk mund ta ndalë. Dhe është e pamundur të harrosh.

E di mirë Leonardi, që e ka ndier t’i përvëlojë lëkurën dhe ende nuk arrin të çlirohet nga kujtimet. Kishte pasur plot gra pas ikjes së Anxhelës, por asnjëra s’mund të shpresojë t’ia zërë vendin.

Dashurinë, tani, Leonardi e kërkon në gjërat e thjeshta: në buzëqeshjet e kënaqura të klientëve kur iu ndreq makinat; në muzikën që dëgjon në Duetto-n e tij, model antik, apo në mbrëmjet me miqtë që i njeh prej një jete.

Pastaj është Laura, bija e tij shtatëmbëdhjetë vjeçe, përherë e më e bukur, por edhe tmerrësisht e largët. Ajo dashurinë e mëson në Internet, në fjalët e blogerëve që dinë t’ia sëmbojnë zemrën ashtu siç ai baba kaq i heshtur nuk mund ta bëjë kurrsesi. Mamaja, pa dyshim e ka një arsye që ka ikur, i thotë vetes. Po cila të jetë vallë? Dhe si ta zbulojë?

Lexo më shumë:

 

 

Titulli: Atëherë puthmë
Origjinali: E allora baciami
Gjinia: Roman
Autori: Roberto Emanuelli
Shqipëroi: Agim Doksani
Shtëpia botuese: Bota Shqiptare
Viti: 2018
Fq. 352
Pesha: 0.452 kg.
ISBN: 978-9928-00-278-5

Historia e një vajzë, një djali dhe universit.

Natasha: Unë jam një vajzë që beson te shkenca dhe faktet. Jo te risku. Dhe as te fati. Apo tek ëndrrat, që nuk mund të bëhen kurrë realitet. Tek e fundit nuk jam ajo lloj vajze, e cila takon një djalë të lezetshëm në një nga rrugët e mbushura me njerëz të qytetit të Nju Jorkut dhe bie në dashuri me të. Aq më tepër kur familja ime pas dymbëdhjetë orësh do të kthehet në Xhamajkë. Rënia në dashuri me të nuk mund të jetë historia ime.

Danieli: Unë kam qenë gjithnjë djali i mirë, studenti i mirë, që i ka përmbushur gjithnjë pritshmëritë e larta të prindërve. S’kam qenë kurrë poet. As ëndërrimtar. Por, kur e pashë atë, u harrova krejt. Diçka te Natasha më bëri të mendoja se fati kishte gatitur diçka përtej të zakonshmes për ne të dy.

Universi: Çdo moment në jetët tona na ka sjellë në këtë moment të vetëm. Një milion të ardhme shtrihen përpara nesh. Cila do të jetë e ardhmja e vërtetë?

Lexo më shumë:

Titulli: Mos bjer në dashuri me mua
Origjinali: The sun is also a star
Gjinia: Roman
Autori: Nicola Yoon
Shqipëroi: Irena Dono
Shtëpia botuese: Bota Shqiptare
Viti: 2018
Fq. 356
Pesha: 0.462 kg.
ISBN: 978-9928-00-274-7

Grei është një djalë i ngrysur, durimpak dhe i tërhequr. Dilani është një vajzë kureshtare, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të një risie, krejt e kundërta e tij. Për herë të parë, Greit i bie në sy Dilani teksa ajo është shtrirë barkas në oborrin e universitetit, me xhinse të vjetra e këpucë të dala mode, me një aparat fotografik në dorë, duke u përqendruar te diçka që askush tjetër nuk arrin ta shohë.

I ka zënë rrugën Greit, ndaj ai është i detyruar t’i flasë. Si pa e kuptuar, ajo ka hyrë në jetën e tij, duke vendosur në mënyrë pothuajse autoritare ta kalojnë pasditen bashkë. Dilani nuk është si vajzat e tjera që ka njohur Grei.

Ajo është shpirtërisht dhe mendërisht e hapur, tërësisht vetvetja, e pandikuar nga mendimet e të tjerëve. Fillimisht, pyetjet e saj të çuditshme dhe energjia e pashtershme e bezdisin Grein, por shumë shpejt ai do ta ndiejë veten më të hapur dhe kureshtar ndaj kësaj vajze “të çmendur”.

Lexo më shumë:

Titulli: Dashuria mbi gjithçka
Origjinali: First comes love
Gjinia: Roman
Autori: Katie Kacvinsky
Shqipëroi: Gerta Jazaj
Shtëpia botuese: Pegi
Viti: 2018
Fq. 216
Pesha: 0.221 kg.

 

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>