27 Tetor, 2017

Autore: Bianka Pitzorno
Përktheu: Erion Kristo
436 faqe
Cmimi i kopertinës 900 lekë
ISBN 978-9928-217-56-1

Pasthënia e autores

Për njëzet vjet, pasi botova librin tim të parë, nuk hodha në letër asnjë radhë, që të frymëzohej drejtpërdrejt nga jeta a kujtimet e mia. Kur kritikët letrarë i ktheheshin letërsisë për fëmijë, ishin shumë të rreptë për librat autobiografikë. Jeta ka ndryshuar kaq shumë, ngulnin këmbë ata, e lexuesit e vegjël modernë janë ndryshe, nuk u bëhet vonë fare për fëmijërinë e shkrimtarëve. Mirëpo sa herë takoja lexuesit e mi të vegjël, më mbulonin me pyetje: “Si ishte jeta kur t’i shkoje në shkollë? Çfarë bëje kur ishe e vogël?” Dhe kur filloja e rrëfeja për mësuesen time të tmerrshme ose për rrengjet që sajoja me shoqet, në vend që të mërziteshin dhe të shfrynin: “Uffa, ç’gjëra të vjetra po na thua!”, këmbëngulnin: “Prapë, të lutem na trego prapë.”

… Mund të shtoja edhe shumë gjëra të tjera për këtë libër, por nuk është vendi dhe, për më tepër, nuk dua t’ju mërzis. Por një gjë lipset thënë: UNË NUK JAM PRISKA PUNTONI. E vogël isha shumë e ndrojtur dhe nuk e kisha fjalën në majë të gjuhës, si Priska. Dija të shkruaja tregime si Priska dhe të vizatoja bukur si Rozalba, gjyshja dhe xhaxhallarët e mi u shëmbëllenin atyre të Elizës, por nuk isha jetime. Personazhet e këtij libri janë ndërtuar me “copa” të ndryshme të shumë personazheve të vërteta, prandaj është e kotë të kërkosh kush ishte Sveva dhe kush Ester Panaro. Edhe kur shkruan libra me kujtime, shkrimtari e ndryshon dhe e pasuron realitetin.

Mbi autoren

Kur mësueses së re i ngjitin nofkën Harpia Sferca dhe çdo ditë shkolla shndërrohet në një betejë, ju mund të besoni përnjëmend se në klasën IV D ndodhin nga të tëra! Midis skeleteve që duhen ngritur në këmbë, gjeneralëve austriakë dhe fantazmave në korniza, lexueseve të fotoromaneve dhe panterave prej kadifeje, tri heroina, Eliza, Priska dhe Rozalba, do të udhëheqin luftën kundër padrejtësisë, mjaft që fitorja të arrijë, e ngadaltë por e paepur ama, si vrapi i një breshke…

Bianca Pitzorno lindi në Sassari dhe jeton e punon në Milano. Shkrimtare shu-më e dashur për lexuesit e rinj, prej vitit 1970 deri më sot ka botuar më shumë se dyzet libra, shumë syresh të suksesshëm. Sot Bianca Pitzorno mbahet si autorja më e rëndësishme italiane për fëmijë dhe romanet e saj janë përkthyer në Francë, Gjermani, Spanjë, Greqi, Poloni, Hungari, Kore dhe Japoni. Është Goodwill Ambasadore e UNICEF-it.

Për disa vite ka punuar në RAI, ku është marrë me programet kulturore, si Sapere dhe Tuttolibri, dhe programet për fëmijë si Chi sa chi lo sa? dhe Dirodorlando; më vonë ka qenë mes autorëve të programit L’albero azzurro. Ka shkruar pjesë teatrore, skenarë dhe tekste këngësh. Është nderuar me shumë çmime prestigjioze për librat e saj, si çmimi Andersen (disa herë), çmimi për fantazinë Gianni Rodari, çmimi Hans Christian Andersen, dhënë nga IBBY etj.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>