1 Shkurt, 2024

Është e sigurt se shkrimtarët duhet të jenë të vërtetë, të mos e gënjejnë lexuesin. Por çfarë është e vërteta, në një fushë që supozohet se në pjesën dërrmuese të rasteve del nga fantazia dhe nuk është raportim faktual?

Shtëpia e Librit

Orwell thotë se në instancë finale, nuk ka ndonjë dallim mes gazetarisë dhe letërsisë sa i përket të vërtetës dhe lirisë së shprehjes. E vërtetë, gazetaria duhet të raportojë fakte të ndodhura, por faktet nuk janë thjeshtë ato që gazetari ka parë, lexuar apo dëgjuar, janë edhe çfarë ka ndjerë, si e ka ndjerë, si e ka perceptuar. Ndërsa shkrimtarët, sado me fantazi që të jenë, shkruajnë atë që ndjejnë dhe që, nga këndvështrimi i tyre, janë fakte që duhet t’i përçohen publikut me shpresë se prej shkrimit të tyre do të ndryshojë diçka.

Shkruan Orwell: “A nuk është çdo shkrimtar njëkohësisht politikan dhe a nuk është çdo libër detyrimisht një formë “reportazhi”?” Sipas tij, “letërsia është një përpjekje për të ndikuar mendimet e bashkëkohësve përmes regjistrimit të eksperiencave” dhe se “nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes gazetarisë së thjeshtë.”

Orwell ishte shkrimtari që, në një farë mënyre, vendosi në formë romani ato të vërteta që kishte thënë më herët në ese apo në opinione të botuara në shtypin e kohës. Dhe në këtë kuptim, romani i Orwell është asgjë më shumë se sa një analizë kritike e shprehur në formë letrare. Për shembull, në esenë Luani dhe Njëbrirëshi, të botuar në vitin 1940, ai argumenton se sistemi i monedhës dhe i peshave të përdorura nga Mbretëria e Bashkuar në atë kohë, njohur sot si “sistemi imperial”, është joefikas nga pikëpamja ekonomike. Në romanin 1984 të botuar në vitin 1949, Orwell thotë se sistemi totalitar i vendosur në këtë vend dekada më vonë, me të vërtetë e ka zhbërë sistemin imperial të monedhës dhe të peshave për ta zëvendësuar me sistemin metrik. Kur një i moshuar i gjeneratës së para vendosjes së sundimit të partisë i kërkon një banakieri në lokal një pintë birrë, banakieri i thotë se nuk e di se çfarë është pinta, ai mund të japë një gotë birrë gjysmë litri, ose një gotë një litër. Në fakt, ky ndryshim nuk ndodhi vetëm në botën e fantazisë së Orwell, por edhe në realitet. Në vitin 1971, Mbretëria e Bashkuar hoqi dorë nga sistemi i parasë dhe peshave imperiale dhe i zëvendësoi me sistemin metrik.

Margaret Atwood tregon se si në kohët e vjetra, ndërsa letërsia fantashkencore e llojit të Jules Verne pranohej si e vërtetë për shkak se objektet e tij fantashkencore “mund të shpikeshin” në të ardhmen (dhe në fakt u shpikën), një lloj tjetër letërsie fantashkencore, e llojit Njeriu i padukshëm i H. G. Wells shkaktoi pakënaqësi sepse, “të qenit i padukshëm” nuk mund të shpiket. Ndoshta, romani Njeriu i padukshëm, mbart të pavërtetën se ky njeri nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë, por çdo gjë tjetër, mundet gjithsesi të konsiderohet si e vërtetë. Dhe për më shumë, në botën e realitetit virtual të shekullit të njëzet e një, “njeriu i padukshëm” nuk është më thjeshtë fantazi.

Vetë Atwood shkroi romanin Rrëfenja e shërbëtores, një roman distopik i vendosur në një të ardhme ku bota, falë ndotjes industriale, është bërë shterpë dhe gratë, ato të paktat që janë në gjendje të lindin fëmijë, janë skllavëruar për këtë qëllim. Atwood u kritikua për faktin se libri i saj ishte “jashtë realitetit”, ose, ishte një alegori që kishte pak shpresa të ndodhte realisht në një të ardhme sado të largët, në Shtetet e Bashkuara. Rënia e kongresit në janar 2022, për herë të parë që nga Lufta e vitit 1812, si dhe ngritja e të djathtës fanatike të kombinuar me populizmin e Trump duket se e bën alegorinë e Atwood jo më aq të pabesueshme.

Një ngjarje e tillë në fakt nuk është e domosdoshme të vendoset në të ardhmen dhe as nuk mund të thuhet se nuk ka ndodhur në të shkuarën. Diktatura të njëpasnjëshme i kanë imponuar grave një kod moral dhe limite të qarta. Të tjera, si diktaturat komuniste në shekullin e njëzetë, i kanë imponuar grave detyrën për të bërë sa më shumë fëmijë. Dhe nuk kishte nevojë për krizë fertiliteti për këtë, as nuk kishte nevojë për ndotje mjedisore. Megjithatë, është e gjithëpranuar dhe si një e ndarë me thikë se letërsia është “fantazi”, në të “të gjitha ngjashmëritë me realitetin janë thjeshtë rastësore” ndërsa gazetaria është “fakt”.

Atwood shkroi gjithashtu në vitin 1984, se kartat e kreditit janë instrumenti që do ta bëjë botën të humbasë lirinë. Në kohën kur kjo u shkruajt, kartat e kreditit ishin një lehtësi vetëm për një elitë të vogël, ndërsa shumica e popullsisë, as që ia dinte emrin. Sot, ndërsa kartat e kreditit janë bërë të gjithëpranishme, miliona njerëz po bien në borxhe të cilat vështirë se mund t’i paguajnë, falë këtij instrumenti, duke gërryer në mënyrë dramatike lirinë e përditshme të tyre.

Virginia Woolf ka një leksion për shkrimtarët. Ajo thotë se letërsia duhet t’i qëndrojë besnike fakteve dhe sa më besnike të jetë ajo, aq më e mirë është. Shembulli i dhënë prej saj është që, nëse je duke përshkruar një ngjarje të vendosur në muajin tetor, nuk është mirë të flasësh për lule pranvere. E njëjta autore zgjodhi t’i thotë të vërtetat e saj në një roman si Orlando, ku personazhi kryesor jeton për shekuj me radhë dhe është gjatë të gjithë kohës, pothuajse në të njëjtën moshë. Të vërtetat e këtij romani Woolf i ka qëmtuar ne skrupulozitetin më të madh, duke bërë punë kërkimore historike mbresëlënëse dhe duke u konsultuar, siç shpjegon ajo te Falënderimet edhe me ekspertë të historisë së muzikës, për të pasur të saktë llojin e muzikës dhe të valleve që kishte në Angli në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>