19 Janar, 2024

Lajme nga bota e librit

Të dashur miq,

Disa libra interesantë janë shfaqur në botën e librit shqip gjatë javëve të fundit, të cilat dëshirojmë t’jua prezantojmë me këtë njoftim. Këto janë libra të cilët stafi i Shtëpisë së Librit i rekomandon për lexuesit si libra që ne besojmë se kanë vlerë dhe shërbejnë për të na kënaqur në lexim dhe për të na ndihmuar të eksplorojmë botë të reja.

Libri i parë që po ju rekomandojmë me këtë email është Trilogji, nga Jon Fosse. Fosse, fitues i çmimit Nobel vitin e kaluar, vjen me librin e parë shqip me shqipërimin e këndshëm të Viola Adhami dhe Edion Petriti. Ajo është historia e mrekullueshme e dy të dashuruarve që po përpiqen të gjejnë vendin e tyre në botë, duke u nisur nga të qenit të pastrehë dhe të varfër, në një vend me klimë të ashpër.

Fosse është një shkrimtar postmodernist. Lexuesi do ta vërejë eksperimentin e tij të jashtëzakonshëm gramatikor, të shkruarit në fjali të cilat, në këtë libër, më shumë po se sa jo, përfundojnë pa pikë. Fosse është gjithashtu i njohur për një roman të titulluar Septologjia (i cili nuk është sjellë ende në shqip), në të cilin, tetëqind faqe narrativë vijon pa pikë.

Në vijim, dëshirojmë t’ju prezantojmë librin Balsam në Galaad, nga John L. Withers II. Ndoshta jo të gjithë e mbajnë mend, kështu që po e themi edhe një herë. John L. Withers II është një diplomat amerikan në pension, i cili punoi në Shqipëri në vitet 2007, 2010. Një incident jo shumë i këndshëm për diplomacinë amerikane, bëri që shqiptarët të kenë mundësinë ta njohin Ambasadorin Withers II jo vetëm nga çfarë duket nga jashtë, por edhe nga çfarë ai raporton si diplomat. Ishte rrjedhja e kabllogrameve amerikane të publikuara nga organizata Wikileaks që paraqiti ambasadorin amerikan në anën e tij sekrete. Kabllogramet paraqesin një njeri pasionant, të interesuar për të eksploruar në thellësi vendin ku ai është dërguar si diplomat me një mandat të kufizuar. Ai udhëton gjerë e gjatë dhe eksploron vende jo fort të rrahura edhe nga vetë shqiptarët, fjala vjen, fshati Frashër, vendlindja e vëllezërve Frashëri, apo Kanina, ku viziton varrin e Ismail Qemalit.

Libri në fakt nuk ka të bëjë me Shqipërinë, Në Balsam në Galaad, ambasadori Withers eksploron historinë e të atit të tij John L. Withers nga Greensboro, Karolina e Veriut, kur ai gjendej në Luftën e Dytë Botërore si pjesë e një njësie të ushtrisë amerikane, e përbërë tërësisht nga ushtarë zezakë. Viktima historike të abuzimeve raciste, ushtarët u përballën me kampin e përqendrimit Dachau dhe u kujdesën për dy fëmijë hebrenj që kërkuan ndihmë. John L. Withers i parë pas lufte u bë një diplomat karriere i Shteteve të Bashkuara, i cili punoi për USAID në shumë vende të Azisë dhe Afrikës.

Njeriu në kështjellën e lartë nga Philip Dick është një roman historie alternative i botuar fillimisht në vitin 1962. Ngjarja zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur forcat e boshtit, Gjermania dhe Japonia, kanë fituar luftën dhe kanë ndarë kontinentin përgjysmë. Ndërkohë një roman i famshëm, i ndaluar në gjithë Rajhun, përshkruan një histori alternative në të cilën janë Aleatët ata që e kanë fituar luftën.

Pantera e dëborës, Sylvain Tesson. Një aventurier francez, i njohur për udhëtimet e tij të jashtëzakonshme në Azinë e Largët dhe në Azinë Qendrore në këmbë, me biçikletë apo me mjete rastësore, njihet me një fotograf të natyrës. Dy natyra krejt të ndryshme: i pari vrapon, i dyti, pret. I pari kërkon diçka ndërsa qarkullon me vrik, nga deti në mal, nga mali në det. I dyti duron. Ai pret të zbulojë atë që ata që vrapojnë, nuk janë në gjendje ta dallojnë. Aventurieri e ka emrin Sylvain Tesson ndërsa fotografi quhet Vincent Munier. Munier bind Tesson që të ndalojë dhe të dy bashkë me dy shokë të tjerë, nisen për në atë që njihet si një nga pjesët e fundit të paeksploruara të botës, në kërkim të një kafshe misterioze, Panterës së Dëborës. Ndërsa Munier kërkon ta fotografojë kafshën, Tesson nis një meditim të mrekullueshëm mbi jetën e njeriut, mbi çfarë duam ne dhe si duhet ta kërkojmë lumturinë. Kjo rrëfenjë fjalëkursyer është njëkohësisht një kronikë marramendëse e një udhëtimi të jashtëzakonshëm, një ushtrim në artin e durimit dhe një pranim i egërsisë së natyrës. Ky libër është gjithashtu një lutje për mbrojtjen e natyrës.

Mes librave të tjerë përmendim: Genghis Khan dhe krijimi i botës moderne, Jack Weatherford. Një libër mbi historinë e një prej personazheve më befasuese të Mesjetës së vonë, krijuesit të perandorisë më të madhe në historinë e njerëzimit.

Mirëmëngjes, shpresë, Argita Zalli, Detina Zalli. Në librin “Mirëmëngjes, shpresë”, Argita dhe Detina rrëfejnë historinë e tyre të dhembshme të guximit dhe qëndresës. Forca e familjes së tyre, por mbi të gjitha lidhja e pathyeshme që ekziston mes motrave binjake i ushqeu dhe u dha guxim për të kapërcyen sprovën e vështirë.

Daullja prej llamarine, Günter Grass. Një nga kryeveprat e letërsisë gjermane, Daullja prej llamarine vjen në shqip për herë të parë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>