Hija e erës, Karlos Ruiz Zafon, shkrimtari spanjoll i dritës dhe errësirës

0
110

Ivana Dervishi


Carlos Ruiz Zafon

“Çdo libër ka një shpirt. Shpirtin e personit që e shkroi dhe të atij që e ka lexuar, që ka jetuar dhe ëndërruar me të. Çdo herë që një libër ndryshon lexues, sa herë dikush kalon sytë në faqet e tij, shpirti i librit rritet dhe forcohet.”

Shkrimtari spanjoll, Karlos (Carlos) Ruiz Zafon e ngriti letërsinë e vendit të tij në një tjetër nivel. Nëpërmjet librave sa real, aq edhe fantastik, Zafon krijon një efekt të magjishëm letrar: mbajtjen pezull të kureshtjes së lexuesit.

Misteri që mbulon librat si “Hija e Erës”, “Loja e Engjëllit” apo “Marina”, është sa i errët në dukje, aq edhe njerëzor në thellësi. Personazhet e tij gjithnjë kureshtar takohen me aventurat në një pikë të pashmangshme dhe të parezistueshme të dëshirës për t`i zgjidhur.

Në këndvështrimin e tij, Barcelona vjen si qyteti dikur i lavdishëm, që e ka humbur shkëlqimin dhe që i është futur rrugës së gjatë të modernizimit. Në ndërgjegjen e autorit, rezervohet një surprizë e këndshme për lexuesin, ka gjithnjë një kalim të fshehtë që mund të na çojë në qytetin e vjetër të Barcelonës, për të zbuluar pse jo, misteret që s`e kanë parë dritën e së vërtetës deri në atë kohë.

Në librin e tij “Marina” rrëfimi fillon me përcjelljen e një pamje antike por edhe reale të Barcelonës, që sipas Zafonit ishte një imazh rrugicash dhe rrugësh, në të cila mund të ktheheshe mbrapa në kohë me tridhjetë apo dyzetë vjet, vetëm duke kapërcyer pragun e dhomës së portierit apo të një kafeneje.

carlos-ruiz-zafon

Karlos Ruiz Zafon, duket se ka një shije fine në përzgjedhjen e protagonistëve. Ata janë djelmosha që kërkojnë identitetin dhe përgjigjet për të ardhmen, që përfshihen në mistere, zgjidhjet e të cilëve kanë rol kyç për situatën dhe të ardhmen.

Personazhet e errët të autorit spanjoll, vishen me një mantel, që i ruan fshehtësinë dhe i shton dozën e së panjohurës. Ata janë forcë e errësirës, jetojnë me të dhe fshihen tek ajo, si e vetmja mënyrë për të ekzistuar.

Mjeshtëria e Zafonit, qëndron jo vetëm në krijimin e tensionit të brendshëm tek personazhet dhe tek lexuesi, por edhe në shkopsitjen e ngjarjes në kohën dhe vendin më të mirë.

E shkuara e karaktereve kryesorë të shkrimtarit, që i dha një emër modernist letërsisë spanjolle, ka pasur një shkëlqim të lavdishëm dhe më pas një rënie në humnerën e harresës.

Lajtmotivi i veprave të tij, është dëshira për të kthyer në vendin e saj diçka të së shkuarës. Kjo realizohet nëpërmjet personazheve të së kaluarës dhe të atyre të ditëve moderne.

Krijimi më i magjishëm i Zafonit është “Varreza e Librave të Harruar”, një vend që ka ngjallur fantazinë e lexuesit në nivelin më të lartë, një bibliotekë e pafundme me libra të magjepsur që bëhen bashkudhëtarë të jetëve të protagonistëve.

Ai nuk zgjedh njerëz të mëdhenj, të cilët janë shumë paradoksalë për t`u rrëfyer, përkundrazi, në librat e tij personazhet janë njerëz të thjeshtë, që jetojnë në kushte nën mesataren, por ç`është më e rëndësishmja, që kanë një zemër bujare.

Personazhet e Zafonit jetojnë si fisnikë, ata adhurojnë librat, kanë qenë mondanë, e njohin humanitetin dhe sakrifikojnë për të bukurën që mund ta shohë vetëm shpirti.

Koha është elementi që kalon me intervale të ndryshme në romanet e tij. Në rrëfimet ka shi barcelonas, dëborë, por edhe diell shndritës që pasqyron aq shumë sa mund të ndriçojë përveç fytyrat e personazheve edhe shpirtin e lexuesit. Zafoni nuk është adhuruesi më i madh i dritës, atij i pëlqen t`i shtrijë ngjarjet e tij në errësirën e pasigurt të mbrëmjes.

Ngjarjet më kryesore zhvillohen në vende të errëta dhe të izoluara, ku e vetmja mënyrë për të shpëtuar është përballja me frikën më të madhe, me të shkuarën dhe misterin.

Hierarkia e personazheve është e çuditshme, sepse duket se ndjek një vijë sa horizontale, aq edhe vertikale. Në dukje janë djemtë adoleshentë të Zafonit, ata që kanë karakterin e duhur për të çuar përpara rrjedhën e ngjarjeve, por e shkuara zbulon surpriza për lexuesin që ka përzgjedhur shkrimtarin e talentuar spanjoll.

Në të vërtetë, personazhet e rinj i shërbejnë rrëfimit të një historie më të madhe se e tyrja, asaj historie që ngre kolonën qendrore të romanit. Për këtë arsye, mund të përfytyrojmë edhe një vijë horizontale nga mesi i romanit, ku personazhet e së shkuarës rikthehen për të treguar të vërtetën e historisë së tyre, për t`i dhënë qetësinë një ndërgjegjeje të paqetë.

Ngërçi që mbërthen veprën, fillon të zbërthehet ngadalë, nëpërmjet rrëfimit të sinqertë, që i mundon prej kohësh personazhet e të shkuarës.

Në vetvete ngjarjet dhe zbulimet fantastike, i afrojnë gjithnjë e më shumë protagonistët, të cilët janë kryesisht një djalë dhe një vajzë, tek të cilët lind natyrshëm ndjenja e dashurisë.

Fati, një fjalë që Zafon ka vendosur ta sfidojë vazhdimisht nëpërmjet karaktereve të tij. Ata janë gjithnjë në luftë me kohën, të shkuarën dhe fatin e keq, që i ka shembur jetën e lumtur, duke i kthyer në qenie të paplota.

Ka një dhimbje tek ata njerëz, kujtimet e harruara të të cilëve nuk janë varrosur përfundimisht në ndërtesat dhe shkëlqimin e ri të Barcelonës. Duke depërtuar ngadalë në misterin e jetës në fillim dhe në mes të shekullit të 20, janë adoleshentët guximtar të Zafonit, ata që i japin brezit të shkuar paqen, tek e cila presin që të kthehen prej vitesh në agoni.

Shkrimtari që mahniti botën me veprat e tij, Karlos Ruiz Zafon, ka vendosur që protagonisti i librave të tij, të jetë një djalosh i mbyllur në pamje të parë, meditativ, i ndrojtur me gjininë tjetër, besnik i misterit dhe aspak i sigurt në vetvete. Ai rritet së bashku me ngjarjet, duke u përballur me errësirën protagonisti mëson të burrërohet dhe t`i dalë zot dëshirave të tij.

Pyetja nëse është janë të rinjtë ata që i shërbejnë zbulimit të historisë së shkuarës, apo është historia e së shkuarës ajo që i shërben këtyre të rinjve, në veprën e Zafonit merr një përgjigje të pavendosur.

Ai i ka vënë detyrë vetes, që të përshkruajë anën njerëzore të errësirës. Karlos Ruiz Zafon di mënyrën më të mirë për të hapur dyert e dhimbjes dhe për ta lënë vuajtjen të përshkojë rreshtat e romaneve të tij. Ai nuk është euforik, por entuziazmi nuk i mungon. Ai nuk është i rëndomtë, sepse personazhet e tij nuk kanë nevojë për mëshirë, ata e dinë se çfarë kërkojnë dhe e vetmja gjë që i mungon është mënyra sesi ta marrin.

E tashmja është çelësi që hap sëndukun e fshehtë të së shkuarës fatkeqe, që i unifikon të gjithë njerëzit që përfshihen në ngjarje dhe që i fisnikëron ata.

Autori, nëpërmjet stilit të tij origjinal, përshkruan ndodhi fantastike, që ndodhin larg syve të pjesës tjetër të qytetit. Përveç personazheve që janë në vëmendjen e shkrimtarit, banorët e tjerë nuk luajnë asnjë rol, aq sa duket se qyteti i Barcelonës në sytë e Zafonit është i shkretuar vizualisht dhe shpirtërisht.

Gjithçka ndodh nën praninë e investigatorëve të dalë në pension, me pengun e rëndë të çështjeve të pazgjidhura, që shkrimtari i ofron mundësinë e shpagimit nëpërmjet djelmoshave, të cilët me vendosmëri dhe pak çmenduri, arrijnë t`i shkojnë ngjarjeve deri në fund.

Pavarësisht ngarkesës emocionale dhe rëndësisë së situatës, shkrimtari spanjoll e lë të vërtetën e ngjarjeve jashtë syve dhe veshëve të publikut të gjerë. Në titujt kryesorë të gazetave vendase ai gjithnjë vendos lajme normale të zjarreve dhe shembjeve, të cilat janë vendet ku ndodh ndarja përfundimtare e së shkuarës me të tashmen në roman.

Kështu është e dukshme që Zafon vendos ta bëjë të vërtetën një monopol të atyre, që janë të interesuar dhe që rrezikojnë gjithçka për ta zbuluar.

Ndaj mund të mendohet me të drejtë se vepra e tij përcjell mesazhe të forta të rritjes individuale, të guximit, të fisnikërisë shpirtërore, të luftës për të marrë vërtetësinë që meritojmë dhe pastrimit shpirtëror.

Libra nga Zafon

“Hija e Erës”

“Loja e Engjëllit”

“Marina”

“I burgosuri i qiellit”

Trilogjia e Mjegullës