4 Korrik, 2020

Librin mund ta gjeni në libraritë kryesore ose mund ta porosisni online.

Gjëja e parë që presidenti bëri kur erdhi në pushtet në vitin 2000, ishte të kapte kontrollin e televizionit. Ishte televizioni përmes të cilit Kremlini përcaktoi se ç’politikanë do të “lejohen” të luajnë rolin e opozitës kukull dhe se cilat duhet të jenë frikërat dhe ndërgjegjet historike të vendit. Dhe Kremlini i ri nuk do të bëjë të njëjtin gabim që bëri Bashkimi Sovjetik; ai  nuk do ta lërë kurrë televizionin të bëhet i mërzitshëm. Kjo mund të bëhej duke sintetizuar kontrollin sovjetik me dëfrimin perëndimor. Ostankino e shekullit të njëzetë e një përzien biznesin e spektaklit me atë të propagandës, shikueshmërinë me autoritarizmin. Në qendër të spektaklit të madh është vetë presidenti, krijuar nga askushi,  qimethinjur, shtyrë nga fuqia e televizionit në mënyrë që ai të shkrihet aq shpejt sa mundet, si një artist performance kalon përmes roleve të tij si; ushtar, dashnor, gjuetar gjokszhveshur, biznesmen, spiun, car, supermen. “Lajmet janë temjani me të cilin ne bekojmë veprimet e Putinit, që e bëjnë atë president,” pëlqenin të thoshin producentët televizivë dhe teknologët politikë.

***

“Parë nga kjo perspektivë, drama e madhe e Rusisë nuk është “tranzicioni” nga komunizmi në kapitalizëm, mes një seti besimesh të mbajtura fort dhe një tjetri, por se gjatë dekadave të fundit të BRSS-së, askush nuk besonte në komunizëm dhe megjithatë vijuan të jetonin siç jetuan, ndërsa tashmë ata mund të krijojnë vetëm një shoqëri njerëzish të shtirur. Dhe kjo mbetet e zakonshme, një psikologji e jetës së përditshme: Producentët e Ostankinos të cilët bëjnë lajme duke iu falur presidentit gjatë ditës, ndryshojnë kanal te radioja e opozitës sapo dalin nga puna; teknologët politikë që shkrihen nga një rol në tjetrin me lehtësinë e një lëngu që merr formën e enës – autokrat nacionalist për një çast dhe estet liberal çastin tjetër; oligarkët “ortodoksë”, që i bëjnë himn konservatorizmit fetar të Rusisë – dhe mbajnë paratë dhe familjet e veta në Londër. Të gjitha kulturat kanë dallime mes vetvetes “publike” dhe “private”, por në Rusi kontradikta mund të jetë shumë ekstreme.

***

Mënyra e vetme për të lehtësuar qytetin mund të jetë të zhvendosësh qendrat financiare dhe të qeverisjes jashtë unazave të brendshme të qytetit. Por kjo do të thotë të dalësh nga instinktet feudale të sistemit.

***

Shumë kohë përpara se ekspertët e shkencave politike filluan të bërtisnin se Kremlini po ndërtonte një diktaturë të re, arkitektët ishin sakaq duke pëshpëritur; “Shikoje këtë arkitekturën e re, këto janë ëndrrat e Stalinit. Po të paralajmëroj, perandoria e së keqes është kthyer”.

***

“A nuk është problem që ju po punoni për një gangster sot?”, pyes policët.

Ata qeshën. “Për kë mendon se ne punojmë zakonisht?”

Kryebashkiaku i Vladivostokut ishte një burrë me nofkën Uini-Puh, një bos mafioz, që më herët kishte bërë burg, sepse kishte kërcënuar të vriste një biznesmen.

***

Për një kohë të gjatë unë nuk mund të mbaja mend se çfarë më kujtonte ajo skenë. Pastaj e kuptova; vjen drejtpërsëdrejti nga filmi Padrino, kur Malron Brando mbledh bosët e mafias nga të pesë familjet. Quentin Tarantino përdori një skenë të ngjashme kur Lucy Liu takohet me krerët e klanit Tokio Yakuza te Kill Bill – është një skenë figurative nga filmat me mafie. Dhe kjo është e përshtatshme për imazhin që Kremlini ka për Presidentin; ai vishet si një bos mafioz (polo e zezë për bluzë, poshtë, një xhakete të zezë), dhe zëri i tij pickon njësoj si goditjet e gangsterëve (“Ne do ta qëllojmë armikun, ndërsa ai është duke dhjerë…”)

***

Kur isha fëmijë nuk pata menduar kurrë mbi jetën e prindërve të mi në Bashkimin Sovjetik dhe se pse ata emigruan. BRSS-ja ishte thjesht vendi nga ku njerëzit largoheshin. Babai im ishte arrestuar sepse ishte kapur duke shpërndarë kopje të librave të Nabokovit dhe Solzhenicinit. E kush nuk do që të ikë nga ajo lloj mbytjeje?

Por çfarë saktësisht po refuzonin ata? Gjithmonë supozoja “diktatura”, por nuk kisha menduar shumë për mënyrën sesi ky sistem funksionon.

***

Modeli më i fundit ekonomik është që të krijohen: “hiper-projekte”, të cilët mund të shërbejnë si mjete për të gllabëruar paratë e buxhetit. Kostoja e Lojërave Olimpike Dimërore të Rusisë ishte 30 miliardë paund, gjë që i bën këto lojëra 18 miliardë paund më të shtrenjta se ato paraardhëset të zhvilluara në Londër, dhe pesë herë më të shtrenjta se çdo lojë tjetër Olimpike në histori. Rreth 18 miliardë paund mendohet se janë “devijuar”. Ka gjithashtu një “hiper-urë”, që varet mbi Paqësor, për të lidhur Vladivostokun me Sakhalinin e Jugut. Në Sakhalinin e Jugut nuk ka asgjë, përfitimet ekonomike reale janë pothuajse zero, por mundësitë për ryshfet janë të stërmëdha. “Hiper-Projekti” i ardhshëm i planifikuar është  një tunel mes Rusisë dhe Japonisë. BRSS-ja ndërtoi megaprojekte që nuk kishin kuptim makroekonomik, por që përputheshin me haluçinacionet e ekonomisë së planifikuar; hiperprojektet e reja nuk kanë kuptim makroekonomik, por janë mjete për pasurimin e besnikëve që Kremlini ka nevojë të shpërblejë, dhe shpejt.

***

…presidenti miratoi një ligj që ndalon zyrtarët e shtetit dhe drejtuesit e kompanive shtetërore (dhe tashmë shumica e kompanive janë shtetërore) nga të pasurit një llogari bankare, aksione apo bonde jashtë vendit, edhe pse e gjithë arsyeja e ngritjes lart në sistem është pikërisht fitimi i privilegjit për të vjedhur pará atje dhe për të emigruar këtu. Por kjo është mënyra përmes të cilës Kremlini njëkohësisht rregullon statusin që konfirmon privilegjin dhe po ashtu i mban që të gjithë të frikësuar. Dhe për sa kohë gjithsecili është i frikësuar, ata do të mbeten besnikë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>