1 Korrik, 2020

Vjen në shqip libri:

Mbërriti e nesërmja, thua?

Si po ndryshon Europa prej pandemisë


Ndoshta libri i pare i shkruar rreth pandemise se coronavirus dhe i botuar kete jave ne afro 20 vende, nder to edhe ne Shqiperi, ky tekst brilant i Ivan Krastev, një nga mendimtarët më të mprehtë dhe më me influencë të ditëve tona, ekspozon paradokset që COVID-19 ka nxjerrë në dritë. Pandemia që ne po përjetojmë sot, e cila është përvoja më e pabesueshme natyrore që kemi parë ndonjëherë në jetën tonë, e ka bërë botën një laborator gjigand shoqëror, shkruan Krastev.
Ky liber, i perkthyer nga Virgjil Muci, dhe i botuar nga Instituti Shqiptar i Medias, është një lexim i domosdoshëm për të filluar së kuptuari pasojat e pandemisë që mund të percaktoje rrjedhën e botës në vitet e ardhshme.

Fragment

Si po ndryshon Europa prej pandemisë

MJELLMA E PËRHIME

Në një pikë ose një tjetër, ma merr mendja se na ka ndodhur të gjithëve. Çasti kur ty të duket sikur po përjeton një farë distopie, e cila ka zënë vend në imagjinatën popullore. Ndoshta përft on ndjesinë sikur dikush, një lloj Vëllai i Madh po të mbikëqyr ose sikur je përfshirë në diçka si punë Matriksi.

Diku nga marsi i 2020, gjatë javës së dytë të izolimit tim për shkak të COVID-19, një mik më nisi në postën elektronike një diagram argëtues Venn. Në të paraqiteshin 12 rrathë që mbivendoseshin, çdonjëri prej të cilëve përfaqësonte një distopi popullore. Krejt më të famshmet ndodheshin aty: “1984”, “Bota e re” (“Brave New World”), “Rrëfenja e shërbyeses” (“Handmaid’s Tale”), “Portokalli mekanik” (“A Clockwork Orange”) dhe “Zoti i mizave” (“Lord of the Flies”).  Në atë hapësirë të imët ku rrathët priteshin shkruhej: “Ti je këtu”. Dhe aty jemi vërtet – duke përjetuar në të njëjtën kohë gjithë këto makthe. “Në mes të shtegtisë së kësaj jete”, shkruan Dante te “Komedia hyjnore”, “U gjeta në një pyll krejt errësi, se kisha humbë unë rrugën e vërtetë”.

“E para gjë që solli murtaja në qytetin tonë ishte mërgimi”, shënon narratori te “Murtaja” e Camus’ë dhe, ne, këto ditë e kuptojmë fare mirë se çfarë ka dashur të thotë. Një shoqëri në karantinë nuk është gjë tjetër veçse një “shoqëri e mbyllur”. Njerëzit lënë punën, nuk takohen më me miq e të afërm, nuk ngasin makinat, teksa jeta e tyre mbetet pezull.

E vetmja gjë pa të cilën kurrsesi nuk bëjmë dot është që të flasim papushuar për virusin që kërcënon ta ndryshojë botën tonë njëherë e përgjithmonë. Ne të gjithë jemi të burgosur në shtëpitë tona, të përndjekur nga frika, mërzitia dhe paranoja. Qeveritë dashamire (dhe jo aq dashamire) na ndjekin nga afër se ku shkojmë dhe kë takojmë,të vendosura të na mbrojnë si nga kokëkrisja jonë ashtu edhe nga kokëkrisja e bashkatdhetarëve tanë. Shëtitjet e palejuara në park mund të ndëshkohen me gjobë, madje edhe me burg, ndërsa kontaktet me njerëz të tjerë janë shndërruar në rrezik për ekzistencën tonë. Prekja e padëshiruar prej të tjerëve është barazvlershme me tradhtinë. Siç vë re Camus murtaja zhbiu “unicitetin e jetës së çdo njeriu”, teksa ngriti në shkallën më të lartë vetëdijën e çdo personi të të qenit vulnerable dhe pafuqinë për të planifikuar të ardhmen. Pas një epidemie ata që mbeten gjallë janë që të gjithë të mbijetuar.

Edhe përsa kohë do të zgjasë ky eksperiment social i paprecedent? A thua fare pak vite dhe ne do ta kujtojmë si një farë halucinacioni masiv të shkaktuar nga “mungesa e hapësirës e shoqëruar me tepricën e kohës”, siç e përshkruante dikur ekzistencën e të burgosurit poeti Joseph Brodsky?

Pandemia COVID-19 rezultoi një ngjarje klasike e “mjellmës së përhime” – tejet e mundshme dhe e aft ë për ta kthyer botën kokëposhtë, por megjithatë një tronditje shokuese kur shfaqet. Në vitin 2004 Këshilli Kombëtar i Inteligjencës së SHBA-së parashikoi se “shfaqja e një epidemie të re, siç ishte virusi i gripit më 1918-19 i cili, sipas vlerësimeve, vrau 20 milion njerëz në mbarë botën, është thjesht çështje kohe” dhe se një ngjarje e këtyre përmasave do të “ndalojë lëvizjet dhe tregtinë globale për një periudhë kohe të zgjatur, duke i shtrënguar qeveritë të shpenzojnë burime të jashtëzakonshme në sektorët e shëndetësisë tejet të rënduar” Në vitin 2015 te TED Talk

Bill Gates jo vetëm që paratha shpërthimin e një epidemie globale si rrjedhojë e një virusi jashtëzakonisht infektues, por, gjithashtu, na paralajmëroi se ishim të papërgatitur për t’iu përgjigjur. Edhe  Hollywood-i na “paralajmëroi” me blockbuster-ët e vet. Pra, nuk

është rastësi që te “Liqeni i mjellmave” nuk ka mjellma të përhime; “mjellmat e përhime” janë një shembull i diçkaje të parashikueshme, por, gjithsesi, të papërfytyrueshme.

Edhe pse, në fakt, epidemitë e mëdha nuk janë ngjarje dhe aq të rralla, për një arsye ose një tjetër mbërritja e tyre na befason kurdoherë. Ato e rivënë në lëvizje botën tonë ashtu si edhe luft rat e revolucionet, ndonëse, ndryshe nga këto të fundit, epidemitë nuk arrijnë të lënë gjurmë në kujtesën tonë kolektive. Në librin e vet të mrekullueshëm “Kalorësi i zbehtë”, shkencëtarja britanike Laura Spinney na tregon se gripi Spanjoll ishte ngjarja më tragjike e shekullit të njëzetë, ndërkohë që sot pothuajse është harruar. Para një shekulli pandemia infektoi një të tretën e popullsisë botërore, një shifër tronditëse: 500 milion njerëz. Duke nisur nga rasti i parë i regjistruar më 4 mars 1918 dhe deri te rasti i fundit në mars të vitit 1920, pandemia fshiu nga faqja e dheut nga 50 deri në 100 milion njerëz. Në kuptimin e humbjeve të jetëve njerëzore nga ngjarje të veçanta gripi Spanjoll ia kalon si Luftës së Parë Botërore (17 milion të vdekur) ashtu edhe Luftës së Dytë Botërore (60 milion të vdekur), ndaj i bie të ketë vrarë po aq njerëz sa të dyja luftrat të marra së bashku. Por siç vë në dukje Spinney: “Kur pyet se kush ka qenë katastrofa më e madhe e shekullit të njëzetë, pothuajse askush nuk përgjigjet e të thotë gripi Spanjoll”. Çka të befason edhe më shumë është fakti se edhe historianët duket se e kanë harruar epideminë. Më 2017 WorldCat, katalogu më i madh i librave në

botë, përmbante një listë prej afro 80.000 librash për Luftën e Parë  Botërore (në më shumë se dyzetë gjuhë), por zor se 400 për gripin Spanjoll (në pesë gjuhë). Si është e mundur që një epidemi që vrau të paktën pesë herë më shumë njerëz nga ç’vdiqën në Luftën e Parë Botërore rezulton të ketë 200 herë më pak libra për të? Përse vallë kujtojmë luftra e revolucione, por harrojmë pandemitë, ndonëse këto të fundit ndryshojnë në mënyrë po aq rrënjësore ekonomitë, politikat, shoqëritë dhe arkitekturën urbane?

Spinney është e mendimit se arsyeja kyçe në këtë rast ka të bëjë me atë se është më e lehtë të numërosh ata që vriten nga plumbat sesa ata që vdesin nga virusi. Debati aktual lidhur me shkallën e vdekjeve nga COVID-19 dëshmon se ajo ka të drejtë. Arsyeja tjetër, edhe më fondamentale, është se pandemia zor se mund të shërbejë si një histori e mirë. Në vitin 2015 psikologët Henry Roediger dhe Magdalena Abel të universitetit Washington në Missouri, shpreheshin se njerëzit janë të prirur të kujtojnë vetëm “një numër të vogël ngjarjesh të spikatura”  nga çfarëdolloj situate, me fjalë të tjera ato që “i referohen fillimit, pikes së kthesës dhe fundit”. Me këtë strukturë narrative është e vështirë të kallëzosh historinë e gripit Spanjoll (ose të çfarëdolloj epidemie tjetër të madhe në fakt); epidemitë janë si jetimët, në kuptimin që asnjëherë nuk mund të jesh krejtësisht i sigurtë për zanafillën e tyre; ato janë si puna e filmave serialë të Netflix-it ku fundi i një sezoni është thjesht një hiatus para fillimit të sezonit të ardhshëm. Marrëdhënia midis epidemisë dhe luftës i shëmbëllen marrëdhënies midis letërsisë moderne dhe romanit klasik: pra, i mungon një intrigë e qartë.

Paaftësia, qoftë edhe mosdashja, për të mbajtur mend epidemitë ka të ngjarë të ketë të bëjë edhe me skrupujt që kemi ndaj vdekjes dhe vuajtjes në përgjithësi. Absurditeti i një dhimbjeje arbitrare është një barrë e rëndë për t’u mbajtur; viktimat e epidemisë aktuale vuajnë jo vetëm prej pamundësisë tragjike për t’u mbushur me frymë, por, gjithashtu, ngase askush nuk është në gjendje t’iu shpjegojë realisht se ç’kuptim ka vdekja e tyre. Lufta vjen me premtimin e fitores heroike. Sipas narrativës patriotike, ushtarët nuk vdesin e kaq – ata sakrifikojnë jetën për të tjerët. William James e quajti luftën “infermierja e përgjakur që ushtroi kohezivitetin e shoqërive”. E megjithatë te murtaja nuk ka asgjë heroike. Për rrjedhojë e vetmja mënyrë për t’i kujtuar murtajat është që t’i memorializojmë si luftrat. Ka një monument në historinë e artit i quajtur “kolonat e murtajës”, siç është ai në Graben, në Vjenë. Thuhet se shpesh ato përshkruhen si “monumente për të kremtuar fitoren mbi murtajën”.

Lufta globale kundër COVID-19 nuk është një betejë për-jetë-a vdekje; thënë me fjalët e shkencëtarit italian Carlo Rovelli: “Në fund vdekja fiton përherë; ne jemi të vdekshëm. Ajo për çka mundohemi ka të bëjë me një përpjekje të madhe për t’i dhënë pak më shumë kohë njëri-tjetrit – duke qenë se kjo jetë e shkurtër, pavarësisht vuajtjeve e mundimeve, ngjan gjithnjë e më bukur”.

Por nuk është vetëm fakti që COVID-19 sjell me vete vdekje të pakuptimta. Ai sjell, gjithashtu, vdekje pa dinjitet. Nga të gjitha dëshmitë e viteve të murtajës kemi faktin se njerëzit vdiqën pa pasur një funeral të hajrit, çka përbënte një tragjedi për kronikanët e kohës.  Nuk ndryshon gjë edhe këtë herë. Frika e infektimit ka bërë që shumë prej pjesëtarëve të familjeve të ngurrojnë të marrin pjesë në varrimin e të afërmve të tyre, për të mos thënë që, në shumë raste, nuk është kryer as edhe një funeral.

Kemi pak të dhëna të çmuara se kur do të marrë fund pandemia COVID-19, madje nuk e dimë as se si e qysh do të përfundojë. Në qoftë se do t’i referohemi e marrim si shembull gripin Spanjoll, atëherë pandemia ende nuk ka mbërritur. Pra, nga ky këndvështrim, ndodhemi ende në verën e vitit 1918 dhe gripi është ende në versionin e tij të butë. Vdekjet e mëdha dhe tronditjet sociale janë ende para nesh, në të ardhmen.

Tani për tani jemi në gjendje të hamendësojmë rreth impaktit afatgjatë politik dhe ekonomik. Historianët janë të qartë në këtë pikë, “një epidemi e vërtetë është ngjarje, jo trend”; ja si shprehet historiani i mjekësisë Charles Rosenberg: “Epidemia nis në një moment të caktuar në kohë, vijon në një fazë të kufi zuar në hapësirë e kohëzgjatje, ndjek një linjë tensioni që shpaloset në rritje, zhvendoset drejt një krize me karakter individual e kolektiv dhe, më pas, merr për kah mbyllja”. Ky libërth shtjellon sesi COVID-19 do ta ndryshojë botën tonë thellësisht, pa marrë parasysh nëse do t’i kujtojmë ditët e pandemisë. Bota do të transformohet jo për faktin se shoqëritë tona duan të ndryshojnë ose ngaqë ekziston një konsensus për drejtimin e ndryshimit – por për faktin se nuk mund të kthehemi më pas. Këtu e një shekull më parë, gripi Spanjoll ia behu në një botë të bërë copë e çikë, të rraskapitur e të demoralizuar nga Lufta e Madhe. Një grip që vrau ashtu siç vriste lufta, viktima të të cilit, me gjasë, u bënë të rinj të shëndetshëm nga mosha njëzetë deri në dyzet vjeç. Epidemia ishte një ngjarje globale, por njerëzit nuk e kujtojnë si të tillë, duke qenë se ideja e një bote të përbashkët ishte shembur përgjatë viteve të një luft e të gjatë. Pandemia e COVID-19 zotohet t’i japë fund globalizimit, ashtu siç e njohim deri më sot. Ne mund vetëm të hipotezojmë se kjo që po ndodh normalisht arrihet prej luftrave, por pavarësisht asaj se çka vjen paskëtaj, për një gjë duhet të jemi të vetëdijshëm se, kur virusi të mposhtet, botën do ta përfshijë një “pandemi e nostalgjisë”.

Në shekullin e shtatëmbëdhjetë mendohej se nostalgjia ishte një sëmundje ngjitëse, por e shërueshme. Simptoma më e spikatur e saj ishte melankolia, e cila mendohej se rridhte nga përmallimi për t’u kthyer në tokën e vet, ose për një tjetër kohë. Të molepsurit shpesh qaheshin se dëgjonin zëra ose shihnin fantazma. Ata që lëngonin përftonin “një shprehje të pajetë dhe të ligështuar”, si dhe shfaqnin “indiferencë ndaj gjithçkaje e gjithkujt”, duke ngatërruar të shkuarën me të tashmen, ngjarjet reale me ato imagjinare. Kur pandemia të përfundojë njerëzit do të jenë nostalgjikë për atë epokë të perënduar kur fluturonim pa gajle an’e mbanë botës; kur restorantet ishin plot e përplot; dhe vdekja ishte kaq e panatyrshme sa kur një i moshuar i linte shëndenë kësaj bote ne

rrinim e pyesnim, mos vallë vdekja e tij ishte shkaktuar nga ndonjë lajthitje mjekësh. Por edhe pse do të ketë nostalgji për të djeshmen e parakoronavirusit, kam përshtypjen që, gjithsesi, njerëzit nuk do të dëshirojnë t’i rikthehen të shkuarës. Dallimi midis të shkuarës dhe të tashmes është se e kemi të pamundur të dimë të ardhmen e së tashmes, ndërkohë që tanimë e kemi jetuar të ardhmen e së shkuarës. Ne e dimë se ardhmja e së djeshmes është pandemia e COVID-19, ajo që po përjetojmë sot e kësaj dite.

Perktheu: Virgjil Muci

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>