16 Maj, 2022

Sot është një nga librat që paraqet shpirtin e Amerikës ndërsa autori konsiderohet si poeti kombëtar i Shteteve të Bashkuara. Por kur u botua për herë të parë, situata ishte krejt ndryshe.

Përmbledhja me poezi Fije bari nga poeti amerikan Walt Whitman u botua për herë të parë në vitin 1855, por poeti kaloi të gjithë jetën duke e plotësuar dhe rishikuar këtë vepër. Dhe përgjatë të gjithë jetës, ai u përball me popullaritet të madh dhe kundërshti po aq të madhe, me urdhra ndalimi të librit të tij për shkak të asaj që kritikët i panë në atë kohë si pasazhe seksualisht sugjestionuese në disa prej poezive të tij.

Në vitin 1865, ndërsa Whitman po punonte në Departamentin e Punëve të Brendshme në Uashington d.c., bosi i tij gjeti një kopje të librit në tryezën e tij të punës dhe ai ishte aq i zemëruar se vendosi ta pushojë nga puna.

“Nuk do ta mbaj në këtë departament autorin e këtij libri,” deklaroi Sekretari për Punë të Brendshme James Harlan kur firmosi urdhrin e pushimit nga puna.

Poemat e Whitmanit për kënaqësitë e jetës mbartin referenca për marrëdhënie seksuale, përfshirë marrëdhënie brenda gjinisë, të cilat në atë kohë konsideroheshin si tronditëse. Libri shkaktoi protesta plot zemëratë si dhe deklarata të ashpra nga politikanët konservatorë. Bibliotekat publike refuzuan ta blenin atë ndërsa biblioteka e kolegjit të Harvardit hoqi nga raftet të vetmen kopje që kishte dhe e mbajti atë të mbyllur me çelës bashkë me libra të tjerë të ndaluar. Presidenti i Universitetit të Yale në atë kohë krahasoi poemat e Whitman-it me “të ecurit lakuriq në rrugë.”

Whitman publikoi me fondet e veta edicionin e parë të Fije bari më 1855 në qytetin e tij të lindjes Bruklin, i cili më pas u bashka me qytetin e Nju Jorkut. Botimi i parë kishte 800 kopje. Të 12 poemat janë të shkruara në vargje të lira, pra nuk kishin rimë. Poeti e shihte veten si zëri i amerikanit punëtor. Poema e parë fillon në këtë mënyrë:

Unë lartësoj veten time,

Dhe ajo që unë supozoj ti duhet të supozosh,

Sepse çdo atom që më takon mua të takon edhe ty.


Një prej kritikëve e shau librin si “një masë pisllëku.” Ndërsa Ralph Waldo Emerson — poeti kryesor i asaj kohe – nuk ishte dakord me këtë dhe i shkroi 36 vjeçarit Whitman: “Ky është një prej veprave më të jashtëzakonshme me të cilat Amerika ka kontribuar deri më sot. Unë të përshëndes ty në nisjen e një karriere madhështore.”

Por edhe Emerson pati pakënaqësi kur lexoi botimin e zgjeruar të vitit 1856 me 178 poema. Whitman-i shtoi poezi të tilla sensuale si “Fëmijët e Adamit (“Silueta femërore afrohet, unë mendueshëm, duke rënkuar nga dashuria për mishin”) dhe “Kalumus” në të cilën foli për një të ri “që afrohet heshtur dhe ulet pranë tij, aq sa mund ta kapte për dore.” (Whitman besohet se mund të ketë qenë gej.)

Vonë në vitin 1862, ndërsa Lufta Civile ishte në kulm, Whitman shkoi në front për t’u kujdesur për vëllain e tij, një oficer të trupave të veriut që ishte plagosur në Betejën e Fredericksburg-ut në Virxhinia. Një gazetë raportoi në këtë kohë se Whitman “tani po jeton në Uashington pasi ka lënë pas krahëve poezitë e këqija që të sëmurin”.

Në janar 1865, Whitman mori një vend pune si zyrtar i ulët në Byronë e Çështjeve Indiane në Departamentin e Punëve të Brendshme. Ai paguhej 1,200 dollarë në vit, afërsisht 22 mijë dollarë të sotme.

“Është punë shumë e lehtë, unë i bëj gjërat shumë thjeshtë, rregulli është të rri në punë 9 me 4, por unë nuk vi në 9 dhe mund të qëndroj deri në orën 4 vetëm kur të më teket,” i shkroi Whitman  të ëmës.

Ai u bë admirues i presidentit Abraham Lincoln. “E shikoj presidentin pothuajse çdo ditë në qytet,” shkroi ai. “Ajo që më pëlqen shumë nga Lincoln-i është se ai ka kurajë.”

Kur Lincoln-i u vra më 14 prill 1865, Whitman-i gjendej në shtëpinë e të ëmës së vet në Bruklin, ku vuri re jargavanët e lulëzuar në kopsht. Në përkujtim të presidentit, ai shkroi poemat: “Kur jargavanët lulëzojnë gjatë” dhe “O Kapiten! Kapiteni im!”

Në maj 1865, Harlan, një ish-senator republikuan nga Ioëa dhe Metodist i përkushtuar, mori postin e sekretarit për punë të brendshme. Një nga stafi e informoi atë se një prej të punësuarve të departamentit ishte autori i një “libri imoral”. Një natë, Harlan-i po ecte rrotull nëpër tavolinat Zyrës së Patentave kur gjeti një kopje të “Fije Bari” mbi tryezën e Whitman-it.

Më 30 qershor, Whitman mori një letër me një rresht ku shkruhej: “Shërbimet e Walter Whitman nga Nju Jorku nuk nevojiten më nga data e kësaj letre e më pas.” Ai u pushua nga puna sepse Harlan-i besonte se ai “nuk kishte rregllat dhe cilësitë e kërkuara për qytetërimin e krishterë.” Miqtë e poetit iu lutën të ndryshonte mendim por ai deklaroi: “Nëse Presidenti i Shteteve të Bashkuara më kërkon ta rimarr në punë, unë jap dorëheqjen.”

Gazeta Brooklyn Eagle raportoi se “Qytetari ynë eksentrik Walt Whitman e humbi vendin e punës te Departamenti i Brendshëm në Uashington në bazë të një urdhri të përgjithshëm që kërkon shkarkimin e personave të pamoralshëm”.

Whitman gjeti një punë të re te zyra e prokurorit të përgjithshëm.

https://www.shtepiaelibrit.com/store/sq/158-leximet-e-veres-2022

Një mik shkroi një artikull në mbrojtje të tij. Sipas artikullshkruesit, “shumica e poetëve të lashtësisë kanë qenë edhe më të pistë se sa Whitman” dhe se sipas rregullit të Harlan-it, Homeri, Dante dhe poetë të tjerë të rëndësishëm të historisë “do të duhej të pushoheshin nga puna në Departamentin e Brendshëm.”

Puna e Whitman-it në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm konsistonte në intervistimin e ushtarëve të Konfederatës, të cilët kërkonin falje në bazë të politikave të amnistisë së presidentit Andreë Johnson. Ai publikoi versione të reja të “Fije bari” më 1867 dhe 1871.

Më 1981, një prokuror në Boston urdhëroi ndalimin e shitjeve të kësaj “letërsie të pacipë” dhe pranoi që libri të lejohej të qarkullojë vetëm në rast se Whitman pranonte të hiqte disa pjesë, përfshirë poemën “Për një prostitutë.” Whitman refuzoi dhe shkoi te një botues tjetër për të shmangur bllokimin. Edicioni i ri u reklamua si “libër i ndaluar” dhe u shit brenda ditës së parë.

Whitman vdiq më 1892 në moshën 72 vjeçare. “Fije bari” mbeti libër kontrovers edhe për shumë dekada. Ai u bë sërish temë debati më 1998 kur u zbulua se presidenti Bill Clinton i kishte dhënë një kopje të tij Monica Lewinsky-t.

Sot, libri “Fije bari” konsiderohet si një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë. Burrokrati eksentrik i Uashingtonit që shkroi librin e ndaluar në Boston dhe në shumë biblioteka në të gjithë vendin sot njihet si “poeti i Amerikës.”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>