3 Janar, 2021

Titulli: Kremlini prej sheqeri
Origjinali: Sakharnyy Kreml’
Gjinia: Roman
Autori: Vladimir Sorokin
Shqipëroi: Korab Hoxha
Shtëpia botuese: Arka e Noes
Viti: 2020
Fq. 208
Pesha: 0.268 kg
ISBN: 978-9928-4555-5-0
Mund ta porositësh këtu:

Më dy shkurt të vitit dy mijë e njëzet e tetë nga Lindja e Krishtit, sundimtaresha ra në gjumë në 06:17, sipas orës së Moskës, në sarajet e saj të Kremlinit, në shtratin e vet me baldakinë të trëndafiltë. Asaj iu fanit një ëndërr:

Lakuriq, por me sandale me taka të holla të larta, ajo hyn në Kremlin përmes Portës së Spaskit. Është një ditë me diell, e ngrohtë, madje e nxehtë. Kremlini është i ndriçuar në mënyrë ideale, ai shkëlqen nga bardhësia nën diell, aq sa ia verbon sytë sundimtareshës. Por ky shkëlqim i thukët është jashtëzakonisht i këndshëm, ai të gjallëron, ta mbush trupin me gëzim. Sundimtarsha ndihet shumë mirë. Në Kremlin gjithçka është e bardhë – e stërbardhë. Jo vetëm muret dhe ndërtesat, por edhe zhuri i zakonshëm nën këmbë po ashtu është i bardhë, shkëndijues, plot reflekse në diell. Zhuri kërcet nën këmbët e sundimtareshës. Sundimtaresha ecën përmes tij, në çdo hap, duke ndierë se si rinohet e mbushet me forcë dhe shëndet trupi i saj. Ajo ndien se si, duke u tundur në çdo hap, gjoksi i tendoset, i bëhet i fortë, rinor. Ajo prek gjoksin e saj, prek thithat që forcohen çuditshëm prej çdo hapi të ri. Çdo hap i fal asaj përherë shumë e më shumë kënaqësi. Ndjesia e kthimit të rinisë ia përmbyt trupin me një entuziazëm të pa treguar. Sundimtaresha këndellet shumë, shumë, shumë të ecë, të ecë, të ecë përmes këtij Kremlini të shkretë, të bardhë, të përmbytur nga dielli. Ajo e kupton se Kremlini është krejt bosh. Këtu nuk sheh askënd – as roje, as shigjetarë, as regjimente të Kremlinit nëpër kazerma, as bojarë, as llogaritarë, as shefa trapezash, as shefa ceremonish, as administratorë, as shefa dyshekësh, as qilarxhinj, as shefa stallash, as bagëtish, as qensh, as xhelatësh , as rojesh, as oborrtarësh, as roje hyrjesh, as roje dere, as shërbëtorë, as lolo, asnjë, që jeton për mëshirë, as lajmëtar, as kambanar, as murgj, as gjakoj, as dhjak, as psalt, madje as skamnorë të zakonshëm ndanë këtij kalimi të sheshit verbues të katedrales. Sundimtaresha shëtit nëpër Kremlin, duke kundruar atë e duke prekur veten. Zemra e saj rreh gëzueshëm dhe mbyturazi. Ajo ndihet kaq mirë, saqë rënkon nga gëzimi në çdo hap. Rënkimet bëhen gjithmonë e më të larta, sundimaresha nis të çlirojë tinguj të thekshëm, entuziastë. Të përplasura mbi muret e bardha verbuese të Kremlinit, klithmat kthehen tek ajo në formën e një jehone magjike. Dhe befas zbulon në vetvete një mundësi të re, të habitshme, një dhuratë të magjishme, që i zgjohet në shtat: fyti i saj, i rinuar, që zgjatet, mund të këndojë! Jo thjesht siç këndojnë të gjithë, porse fuqimisht, lartësisht, duke kapur çdo notë. Sundimtaresha provon fytin e saj të përtërirë, duke e detyruar që ai të çlirojë tingujt më magjepsës. Fyti i bindet. Zëri i saj kumbon nëpër Kremlin. Fuqia dhe pastërtia e zërit të vet e trondit. Ajo qan nga gëzimi, por shpejt vjen në vete, e përmbushur nga krenaria dhe vetëdija ndaj madhështisë vetjake. Ajo asnjëherë nuk diti dhe nuk deshi që të këndojë, ndaj dhe nuk i di deri në fund fjalët e asnjë kënge, të asnjë romance ruse. Ajo pëlqen kur këndojnë të tjerët, veçmas djelmoshat e rinj, të veshur me uniformë ushtarake. Duke shkelur mbi zhurin e bardhë, sundimtaresha sjell ndër mend copëza këngësh, arie operash dhe romancash, i këndon zëplotë, duke i dridhur muret e Kremlinit me fuqinë dhe pastërtinë e zërit të vet.

© Të drejtat e autorit janë të rezervuara. Këto letra botohen me lejen e botuesit, Arka e Noes. Ripublikimi nuk lejohet pa lejen paraprake të mbajtësit të të drejtës së autorit/përkthimit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>