2 Janar, 2021

Franz Kafka e takoi Milena Jesenskà-n në vitin 1920, kur ajo ishte duke përkthyer tregimet e tij të hershme në gjuhën çeke, dhe shumë shpejt marrëdhënia e tyre kaloi në një fazë më të ngushtë. Ndjenjat e Kafkës ndaj Milenës qenë aq të forta, saqë i rrëfeu asaj ditarët e tij dhe, duke vepruar kësisoj, i hapi asaj zemrën dhe i rrëfeu ndërgjegjjen e vet. Ndërkohë që “dhuntia për të jetuar” e Milenës i dha njëfarë gjallërie Kafkës, kohëve të mbrame e lodhi së tepërmi dhe lidhja e tyre qe e parathënë të mos zgjaste më shumë se dy vjet. Në vitin 1924 Kafka ndërroi jetë në një sanatorium pranë Vjenës, ndërsa Milena ndërroi jetë në vitin 1944, në duart e Nazistëve, duke na lënë pas këto letra të tijat si shënjuese të marrëdhënies së tyre. Këto janë disa nga letrat. Librin e plotë mund ta gjeni këtu:

Titulli: Letra Milenës
Origjinali: Brief an Milena
Gjinia: Roman
Autori: Franz Kafka
Shqipëroi: Marsela Lika
Shtëpia botuese: Arka e Noes
Viti: 2020
Fq. 266
Pesha: 0.424 kg
ISBN: 978-9928-4555-8-1

(Meran, 31 Maj 1920)

E hënë

Atëherë, ja deklarata që ju premtova dje:

Nuk dua (Milena, më ndihmoni! Kuptoni më shumë nga sa them!) nuk dua (nuk është gagaçëri) të vij në Vjenë, sepse nuk do ta përballoja sforcimin mendor. Jam i sëmurë mendor, sëmundja e mushkërive është vetëm një hap larg sëmundjes mendore. Jam i sëmurë që prej katër, pesë viteve të dy fejesave të para. Nuk mund ta shpjegoja menjëherë gëzimin e letrës suaj të fundit,vetëm më vonë u kujtova për shpjegimin, vazhdimisht e harroj: Ju jeni aq e re, mbase as 25, apo 23 mbase. Unë jam 37, gati 38, pothuajse një brez më i vjetër, thuajse i thinjur nga netët e shkuara dhe kokëçarjet). Nuk dua të shpalos para jush historinë e gjatë me lumenj detajesh, prej të cilave frikësohem ende si fëmijë, por pa fuqinë e harresës së një fëmije. E përbashkëta e tri historive të fejesës ishte që unë isha fajtor për gjithçka, padyshim fajtor, të dyja vajzat i bëra fatkeqe sepse – e këtu po flas për të parën, për të dytën nuk flas dot, është e ndjeshme, çdo fjalë, madje edhe më miqësorja do të ishte fyerja më e egër për të, e kuptoj – vetëm sepse ajo (e cila, po të doja unë sakrifikonte dhe veten) nuk më bënte vazhdimisht të lumtur, të qetë, të vendosur, të aftë për t’u martuar, pavarësisht se ia kisha pohuar vazhdimisht këtë, pavarësisht se ndonjëherë e dashuroja dëshpërimisht, pavarësisht se nuk dija asgjë më të dëshirueshme se vetë martesa. E kam goditur për gati pesë vjet  (ose, po të doni, kam goditur veten), por, për fat të mirë, ishte e pathyeshme, përzierje prusiano-hebreje, një përzierje e fortë fitimtare. Unë nuk isha dhe aq i fuqishëm, por asaj iu desh vetëm të vuante, ndërsa unë godisja dhe vuaja.

Fund, nuk shkruaj dot më asgjë, nuk sqaroj dot më asgjë, megjithëse sapo kam filluar ta përshkruaj sëmundjen e shpirtit, të jepja arsyet e mosvizitës, mbërriti një telegram “Pika e takimit Karlovi Vari, ju lutemi bëni njoftimin me shkrim”. E pranoj, kur e hapa fytyra u shtrembërua, edhe pse pas saj qëndron qenia më vetëmohuese, më e qetë, më modeste dhe prapë e gjitha buron në fakt nga vullneti im. Nuk mund ta shpjegoj dot tani, sepse nuk mund t’i referohem një përshkrimi të sëmundjes. Kaq gjë është e sigurt, që, të hënën do të iki që këtu, ndonjëherë e shikoj telegramin dhe mezi e lexoj, duket si të ishte një shkrim sekret që e fshin shkrimin e sipërm dhe thotë: Udhëto përmes Vjenës! Një urdhër i qartë, por që nuk ka asgjë nga tmerri i urdhrave. Nuk e bëj, edhe e parë së jashtmi nuk ka kuptim, të mos marr rrugën e shkurtër nga Mynihu, por atë dyfish më të gjatën që kalon nga Linz ose akoma dhe më gjatë, nga Vjena. Po bëj një provë: në ballkon është një harabel dhe pret që t’i hedh bukë nga tryeza në ballkon, në vend që të bëj këtë, unë e hedh bukën pranë meje, në dysheme, në mes të dhomës. Ai rri jashtë dhe vështron aty në gjysmëerrësirë ushqimin jetik, e tundon pa masë, shkundet, ndodhet më shumë këtu sesa atje, por këtu është errësira dhe pranë bukës jam unë, fuqia e mistershme. Megjithatë, ai kërcen te pragu, dhe nja dy kërcime të tjera, por nuk guxon më tepër, papritur fluturon i tmerruar. Mirëpo, çfarë fuqish fshihen brenda këtij zogu të mjerë, pas një çasti kthehet sërish, kontrollon situatën. Unë hodha edhe ca thërrmija të tjera për t’ia bërë më të lehtë dhe, nëse nuk do ta kisha trembur me një lëvizje të lehtë, me apo pa dashje, – kështu ndikojnë forcat e mistershme, – ai do ta kishte marrë bukën.

Pragë, 18 Shtator 1920)

Ti, Milena, nuk mund ta kuptosh tamam se për çfarë bëhet fjalë, apo është bërë fjalë pjesërisht deri tani, as unë vetë nuk e kuptoj, unë dridhem nga shpërthimi, torturoj veten deri në çmenduri, por duke qenë në distancë, nuk e di se çfarë është dhe çfarë do. Di vetëm atë që dëshiron në këtë moment: qetësi, errësirë, të strukesh në vetvete, këtë e di dhe duhet t’i bindem kësaj, nuk kam ç’bëj tjetër.

Ky është një shpërthim e do të kalojë dhe ka kaluar pjesërisht, por forcat, që e provokojnë, dridhen vazhdimisht brenda meje, para dhe pas; por ndërkohë jeta ime, ekzistenca ime qëndron në këtë kërcënim nëntokësor, nëse ai ndalet, edhe unë ndalem, kjo është mënyra si marr pjesë në jetë, nëse ai ndalet, unë heq dorë nga jeta, aq lehtë dhe natyrshëm siç mbyll njeriu sytë. A nuk ka qenë gjithmonë aty, që kur jemi njohur dhe a do të më kishe hedhur një vështrim po të mos kishte qenë aty?

Sigurisht që nuk mund ta kthesh dhe të thuash: Tani ka mbaruar dhe jam i qetë,   i lumtur e mirënjohës në bashkëjetesën e re. Nuk mund ta thuash, megjithëse është pothuajse e vërtetë, (Mirënjohja është absolutisht e vërtetë  [… 11 fjalë të bëra të palexueshme …], lumturia është e vërtetë vetëm në një kuptim të caktuar, ndërsa heshtja nuk është kurrë e vërtetë), sepse unë gjithmonë do të trembem dhe do të tremb, veten më së shumti.

Ti përmend fejesën dhe gjëra të tilla, sigurisht që ishte shumë e thjeshtë, dhimbja nuk qe e thjeshtë, por efekti i saj. Ishte sikur të kishe jetuar jetën në mënyrë ordinere dhe tani, papritur të gjendesh përpara dënimit për të gjitha mëkatet, të të vinin kokën në morsë, nga një vidë në tëmtha, një në të djathtë, një në të majtë dhe, ndërsa vidhat shtrëngohen ngadalë, të duhej të thoshe: “Po, do të vazhdoj me jetën mëkatare”, ose “Jo, do të heq dorë”. Sigurisht që do të bërtisje “Jo”, sa të shpërthenin mushëritë.

Ofertë: Letra Milenës + Një dashuri transatlantike. Kliko këtu për më shumë

Edhe ti ke të drejtë, kur e vendos atë, që kam bërë tani në një radhë me gjërat e shkuara; nuk mund të bëj ndryshe, vetëm të vazhdoj të jem gjithmonë i njëjti dhe të përjetoj të njëjtën gjë. I vetmi ndryshim është se unë tashmë kam përvojë; nuk pres të bërtas, kur të më vendosin vidhat për të më detyruar të rrëfej, por zë e bërtas sa m’i afrojnë ato; në fakt bërtas sapo lëviz diçka në distancë, kaq super-vigjilente është bërë ndërgjegja ime – jo super-vigjilente, është akoma larg të qenit vigjilente sa duhet. Por edhe diçka tjetër është ndryshe: për hir timin dhe tëndin, ty mund të të thuhet e vërteta si askujt tjetër, po kështu është, përmes teje, unë mund të mësoj të vërtetën time.

(Pragë, Nëntor 1920)

E shtunë në mbrëmje

Nuk e kam marrë ende letrën e verdhë, do ta kthej mbrapsht të pahapur. Do të gaboja shumë, nëse ideja, që ne të ndalojmë së shkruari me njëri-tjetrin, tani del se nuk është një gjë e mirë. Por nuk gaboj, Milena. Nuk dua të flas për ty, jo se nuk është punë e imja, është e imja, por thjesht nuk dua të flas për këtë.

Kështu që po flas vetëm për vete. Se çfarë je ti për mua Milena, përtej gjithë botës në të cilën jetojmë, nuk shkruhet në copat e letrës, që të kam shkruar çdo ditë. Këto letra, kështu siç janë, nuk kanë dobi përveçse të mundojnë dhe nëse nuk të mundojnë atëherë, është edhe më keq. Ato nuk të ndihmojnë për asgjë përveçse të rrëfejnë një ditë në Gmünd, të prodhojnë keqkuptime, turp, një ndjenjë turpi, që thuajse nuk kalon kurrë. Unë dua të të shoh po aq qartë si herën e parë në rrugë, por letrat janë më tërheqëse se e gjithë Lerchenfelderstrasse me zhurmën e saj.

Dhe tani, gjithçka që të përket është ende e pathënë, natyrisht që ndodhet kryesisht në letrat e tua – (ndoshta edhe me të verdhë ose më saktë, është në telegramin, me të cilin më kërkon letrën mbrapsht – me të drejtë natyrisht), shpesh në vendet, ku kam frikë, të cilat i shmang si djalli vendin e shenjtëruar.

Kështu kam qëndruar mbi këtë letër pa bërë asgjë tjetër deri në orën një e gjysmë të natës, e shihja dhe përmes saj të shihja ty. Ndonjëherë, jo në ëndërr, kam këtë përfytyrim: Fytyra jote është e mbuluar me flokë, unë arrij t’i ndaj flokët dhe t’i shtyj djathtas dhe majtas, fytyra jote shfaqet, unë prek ballin, tëmthat dhe e mbaj fytyrën tënde midis duarve të mia.

© Të drejtat e autorit janë të rezervuara. Këto letra botohen me lejen e botuesit, Arka e Noes. Ripublikimi nuk lejohet pa lejen paraprake të mbajtësit të të drejtës së autorit/përkthimit.

Ndoshta mund të të pëlqejë edhe:

Fragment – Një dashuri transatlantike nga Simone de Beauvoir

Letra të nxehta jo vetëm për dashurinë, Simone de Beauvoir i shkruan të dashurit Nelson Algren

Letra e dashurisë së Vita Sackville-West për Virginia Woolf

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>