4 Qershor, 2020

Aftësia e njeriut për t’i bërë keq një qenie tjetër njerëzore është një nga temat për të cilën filozofët,psikologët dhe ekspertët e shkencave politike kanë vrarë mendjen prej shekujsh. Por filozofja Hannah Arendt i dha një emër të shumëdebatuar kriminelit, duke e quajtur atë një njeri banal. Që nga viti 1961 kur Arendt e ngriti këtë hipotezë, debati vijon nëse kjo është apo jo mënyra e duhur për përqasje ndaj të keqes.

Shtëpia e Librit

Hannah Arendt

Në vitin 1960, një operacion i shërbimeve sekrete të shtetit të Izraelit kapi në Argjentinë, e rrëmbeu dhe e dërgoi në Izrael Otto Adolf Eichmann, një nga udhëheqësit e lartë nazistë dhe përgjegjësi kryesor për krimin e vrasjes së miliona njerëzve përgjatë Holokaustit. Ai kishte qenë në arrati prej 15 vitesh që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Hannah Arendt, një filozofe gjermane e natyralizuar amerikane, shkoi në Izrael për të raportuar mbi gjyqin në të cilin Eichmann u përball me krimet e tij.

Arendt e gjeti Eichmann një burrokat të rëndomtë, në përgjithësi të cekët i cili, sipas fjalëve të saj, “nuk shfaqej as pervers dhe as sadist”, por “tmerrësisht normal.” Ajo argumentoi më tutje se ekzekutuesi i krimeve të tmerrshme i kreu ato si një njeri u shkëputur nga realiteti.

Eichmann “nuk kuptoi kurrë se çfarë po ndodhte pë shkak të paaftësisë për të menduar nga këndvështrimi i dikujt tjetër,” shkroi Arendt.

Arendt ishte ndoshta mendimtarja më e madhe politike e shekullit të njëzetë dhe raporti i saj mbi gjyqin e Eichmann në Izrael është një nga librat më të debatuar dhe të diskutueshëm të saj. Disa mendojnë se një trajtim i tillë i të keqes si banal përbën në një farë mënyre një lloj justifikimi të papranueshëm të krimeve më të tmerrshme ndërsa të tjerë e shohin atë si një paralajmërim se sa shumë jemi të rrezikuar ne të gjithë nga njeriu që nuk mendon apo nga prirja për të pranuar urdhërat pa kundërshtuar.

Vetë Arendt vijoi të besonte teorinë e saj edhe një dekadë pas gjyqit, i cili ishte me ngarkesë të fortë emocionale për të.

“Unë u befasova nga cektësia e dukshme e tij gjë që e bënte të pamundur të gjyrmoje të keqen e pakundërshtueshme të veprave të tij te ndonjë motiv bazë. Puna e tij ishte monstruoze por bërësi i tyre – së paku ai që u shfaq në gjyq – ishte shumë i zakonshëm, as djallëzor dhe as monstruoz.” Këto fjalë Arendt i shkroi edhe një dekadë më vonë.

Shumë studime që nga ajo kohë e kanë hedhur poshtë hipotezën e Eichmann si një monstër pa urrejtje. Studiuesit kanë zbuluar përmes dokumenteve që në kohën kur Arendt shkroi raportin e saj nuk ishin të disponueshme, se Eichmann ishte me të vërtetë një antisemit që në rininë e tij dhe se krimet e tij nuk ishin tejkalime të pakuptueshme të një burokrati të rëndomtë.

Megjithatë, sociologët dhe ekspertët e shkencave politike që nga ajo kohë kanë shkuar më tutje. Në të njëjtën kohë nga raportimi i Arendt nga Jeruzalemi, Stanley Milgram, një profesor në universitetin e Jellit në SHBA ngriti pyetjen nëse kishte ndonjë lloj veçantie mes popullit gjerman që kishte sjellë krimet e Luftës së Dytë Botërore. Ai nuk mori dot leje për ta kryer testimin e tezës së tij në Gjermani përmes një loje rolesh dhe në vend të kësaj e testoi në SHBA. Ajo që rezultoi ishte një eksperiment mbi të cilin janë bërë dy filma (I) (II) dhe që vijon të rrënqethë që nga ajo kohë.

Milgram pagoi disa banorë të Jellit dhe studentë që të merrnin pjesë në një lojë. Në njërën anë, ishte një pjesëtar në eksperiment të cilit i jepte porosi një zë autoritar të rriste voltazhin në një pajisje elektroshoku ndërsa nga ana tjetër, vuajtësi i elektroshokut përpëlitej sikur po përjetonte me të vërtetë goditjet. Milgram zbuloi se jo thjeshtë gjermanët, por edhe amerikanët kishin një lehtësi të tmerrshme në ushtrimin e dhunës ndaj një qenie tjetër njerëzore, pa reflektuar se çfarë po bënin dhe duke e marrë si të mirëqenë që një zë autoritar mund të të thotë, dhunoje tjetrin dhe ti duhet ta dhunosh. Dhe më pas, rrite voltazhin e elektroshokut dhe ti e rrit sepse autoriteti të thotë bëje.

Konkluzioni i të gjithë kësaj: nëse një politikan kërkon të vendosë një Tirani, gjasat janë që nuk do ta ketë shumë të vështirë ta bëjë dhe se forcat e shoqërisë kundër Tiranisë duhet të jenë gjithmonë duke bërë roje për të vërejtur çdo devijim të mundshëm nga Shteti i së Drejtës.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>