30 Maj, 2020

Shkrimtari egjiptian Nagib Mahfouz ishte i pari shkrimtar i gjuhës arabe që fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1988 dhe ka mbetur deri më sot i vetmi. Gjatë fjalimit për pranimin e Nobelit, Mahfouz renditi dy shembuj frymëzues për të, shembuj që bashkojnë kohën dhe vendet dhe kapërcejnë kufijtë.

Nagib Mahfouz

Shtëpia e Librit

Nagib Mahfouz fitoi Nobelin sepse “përmes veprave të pasura në nuanca – një herë të qarta dhe realiste dhe më pas, ambigue tërheqëse – ka krijuar një art arab të të treguesit që vlen për të gjithë njerëzimin.”Ky ishte motivacioni i shkruar nga komiteti i Nobelit.

Ai ishte shkrimtari, jeta e të cilit reflektoi ndryshimet dramatike të politikës dhe gjeopolitikës së Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, nga kolonializmi britanik e francez te Lufta e Ftohtë dhe përplasja ideologjike mes komunizmit e kapitalizmit, si dhe te përplasja mes arabëve dhe izraelitëve për çdo pëllëmbë tokë në Palestinë, shoqëruar me tragjedinë e një populli të tërë të përndjekur në shtëpitë e veta, një përndjekje e gjatë në ndërgjegjen e të gjithë arabëve.

Kur fitoi Nobelin, Mahfouz mësoi gjithashtu se shumë në perëndim ishin habitur dhe kishin shtruar pyetjen se kush ishte ky person që kishte fituar çmimin më të lartë në letërsi, por që pothuajse askush nuk e njihte. Veprat e tij më të rëndësishme janë përkthyer në gjuhët perëndimore në periudhën pas fitimit të Nobelit.

Kjo ishte arsyeja se pse ai vendosi të prezantojë veten dhe frymëzimet e tij:

“Unë jam fëmijë e dy qytetërimeve të cilat në një epokë të caktuar në histori kanë krijuar një martesë të lumtur. I pari i këtyre, shtatë mijë vjet i vjetër, është qytetërimi i Faraonëve; i dyti, njëmijë e katërqind vjet i vjetër, është qytetërimi Islamik,” tha Mahfouz në fjalim. “Unë ndoshta nuk kam nevojë t’ju prezantoj ju asnjërin prej tyre për shkak se ju jeni elita, njerëzit e mësuar. Por nuk bën dëm, në situatën tonë aktuale të njohjes dhe bashkëveprimit, t’ju bëj një rikujtesë,” vijoi ai.

“Sa i përket qytetërimit faraonik unë nuk do të flas për pushtime dhe për ndërtim perandorish. Në ndërgjegjen bashkëkohore, pushtimet nuk janë më çështje krenarie, shyqyr Zotit janë histori që na trazojnë. As nuk do të flas se si për herë të parë ai qytetërim u prezantua me ekzistencën e Zotit gjë që solli agimin e ndërgjegjes njerëzore. Kjo është një histori e gjatë dhe nuk besoj se ka ndonjë nga ju që nuk e njeh mbretin profet Akhenatonin. Unë nuk do të flas pas për arritjet e qytetërimeve në art dhe letërisi dhe në mrekullitë e saj të njohura: Piramidat, Sfinksi, Karnaku. Sepse edhe ata që nuk kanë pasur mundësi t’i shohin këto monumente me siguri kanë lexuar dhe kanë medituar mbi format e tyre.

Më lejoni pra, të prezantoj qytetërimin Faraonik me atë që më duket se është historia që më ka shtyrë mua të bëhem një rrëfimtar. Dëgjoni pra për këtë incident: papiruset e vjetra tregojnë se Faraoni kishte mësuar për ekzistencën e një marrëdhënieje mëkatarësh mes disa grave të haremit dhe burrave të oborrit të tij. Pritej që ai t’i vriste ata të gjithë sepse kjo ishte fryma e kohës. Por ai, në vend të kësaj, thirri burra të përzgjedhur të ligjit dhe i kërkoi atyre të hetonin atë për të cilën ai kishte marrë informacion. Ai i tha atyre se donte të Vërtetën, në mënyrë që ai të jepte dënimin me Drejtësi.

Kjo sjellje, në opinionin tim, është më e rëndësishme se sa themelimi i një perandorie apo ndërtimi i Piramidave. Është më tregues për superioritetin e atij qytetërimi se sa të gjitha pasuritë dhe vezullimet. Ai qytetërim tashmë është i shkuar – vetëm një rrëfenjë nga e shkuara e largët. Dhe një ditë, Piramida e madhe do të zhduket gjithashtu. Por e Vërteta dhe Drejtësia do të mbeten për sa kohë Njerëzimi ka një mendje që ngre pyetje dhe një ndërgjegje të gjallë.

Sa i përket qytetërimit Islamik, unë nuk do të flas për thirrjen e tij për krijimin e një bashkimi mes të gjithë Njerëzimit nën drejtimin e Krijuesit, bazuar në liri, barazi dhe falje. As nuk do të flas për madhështinë e profetit. Sepse mes jush mendimtarëve ka që e shohin atë si njeriu më i madh në histori. Unë nuk do të flas për pushtimet që kanë mbjellë mijëra xhami që thërrasin për falje, devotshmëri dhe mirësi përmes hapësirave të mëdha të tokës nga India në Kinë te kufijtë e Francës. As nuk do të flas për vëllazërinë mes religjioneve dhe racave që u arrit nga përfaqësimi i frymës së tolerancës të panjohur nga Njerëzimi deri në atë kohë dhe që nga ajo kohë.

Unë në vend të kësaj do të prezantoj qytetërimin në një lëvizje të vetme dramatike duke përmbledhur një nga gjurmët më të spikatura: në një betejë fitimtare kundër Bizantit, myslimanët pranuan të dorëzojnë të burgosurit e luftës në shkëmbim të një numri librash nga trashëgimia e lashtë greke në filozofi, mjekësi dhe matematikë. Kjo është një dëshmi e vlerës së shpirtit njerëzor në kërkim të dijes, edhe pse kërkuesi ishte një besimtar në Zot ndërsa ajo që kërkonte ishte fryt i një qytetërimi pagan.

Ishte fati im, zonja dhe zotërinj, të lind në prehrin e këtyre dy qytetërimeve dhe të thith qumështin e tyre, të ushqehem me letërsinë dhe artin e tyre. Pastaj unë piva nektarin e kulturës suaj të pasur dhe magjepsëse. Nga frymëzimi i të gjithë kësaj – dhe gjithashtu nga ankthet e mija – fjalët dolën nga unë. Këto fjalë patën fatin të meritonin vlerësimin e Akademisë së adhurueshme e cila kurorëzoi përpjekjet e mija me madhështorin Çmimin Nobel. Unë ju falënderoj ju në emrin tim dhe në emrin e këtyre ndërtuesve të mëdhenj që themeluan këto dy qytetërime.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>