nga Admin

7 Korrik, 2014

Bashkim Shehu

[callout]Librat që nuk do të humbte Bashkim Shehu:

– N. V. Gogol, Tregimet e Peteburgut

– Fjodor Dostojevski, Vëllezërit Karamazov

– Thomas Mann, Mali magjik

– Franz Kafka, Procesi

– James Joyce, Uliksi (shoqëruar me të paktën dy tekste të gjatë shpjegues, mundësisht të kundërt, si për shembull një ese nga Edward Wilson dhe leksioni përkatës i Nabokovit në Kursin e letërsisë europiane, apo ndoshta edhe kapitulli përkatës i Umberto Eco-s në Estetikat e Joyce.

– Jean Paul Sartre, Muri

Albert Camus, I huaji

– Jorge Luis Borges, Fiksione dhe Aleph

– Gabriel García Márquez, Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, ose Vjeshta e patriarkut

– Danillo Kish, Enciklopedia e të vdekurve

– Ismail Kadare, Viti i mbrapshtë

– Drago Janćar, Nxënësi i Xhojsit

– W. G. Sebald, Unazat e Saturnit

– Roberto Bolaño, 2666 [/callout]

Librat që do të zgjidhnim në bibliotekën e madhe të botës/ Bashkim Shehu bën një udhëtim në librat që kanë lënë gjurmë në jetën e tij, dhe që do t’i veçonte ashtu si Borgesi për të krijuar “Bibliotekën personale”

Alda Bardhyli

Bashkim ShehuNjë libër mund të ndryshojë përgjithmonë jetën tënde. “Lexova një libër një ditë dhe gjithë jeta ime ndryshoi”, shprehet Orhan Pamuk. Virginia Wolf, dama e letërsisë angleze, e ndjeu se jeta e saj nuk do të ishte më si më parë teksa lexonte “Lartësitë e stuhishme” të Emily Brontë. Letërsia dhe dorëshkrimet e mbetura nga motrat Brontë do ta fusnin vajzën me flokët e gjatë të drejtë, drejt një dashurie torturuese dhe aq të ëmbël, siç ishte bota e shkrimit. Hemingway tregonte vite më vonë, pasi librat e tij lexoheshin në mbi 40 gjuhë të botës, se ishte letërsia e Mark Tuenit, Drajzerit, apo tregimet e Harry Sinclair Lewis, që kishin ndryshuar përgjithmonë rrugën që ai do të ndiqte në jetë. Një burrë që lexon Tuenin, nuk mund të jetë tjetër veçse një dashnor i mirë. As lufta nuk do të mund ta ndante më nga ai ves i ngjashëm i pijeve të forta që kishte qejf, që ende sot mbajnë emrin e tij në vendet ku ai i ka shijuar, ai “Bloody Mary”, pija që piu për herë të parë në Paris. Lidhja që gjithsecili prej nesh ka me librat është një lidhje aq intime, e ngjashme me fletët e lehta që vezullojnë nën dritën e abazhurit mbrëmjeve vonë. Nëse ndalemi dhe shohim rrugëtimin tonë do të shohim se ai nuk ndryshon shumë nga librat që kemi lexuar… Në to është rruga që kemi gjetur për të drejtuar dëshirat apo qëllimet tona në jetë. John Fante, një tjetër shkrimtar amerikan, nga i cili Bukovski është influencuar në letërsinë e tij, debatonte gjithnjë me të shoqen Joyce për librat që ajo vendoste në bibliotekë. Për të, bibliotekat ishin mënyra më e mirë për të njohur dikë. Joyce, e dhënë pas artit konspirativ, pëlqente të lexonte libra të kësaj natyre, që sipas Fantes nuk mund të rrinin në një raft me Shekspirin. Bibliotekat janë po aq personale sa librat. Në to mund të kesh libra që mbartin histori jo nga ajo çfarë mbartin brenda atyre, por nga mënyra si ka ardhur tek ty… Aty mund të jenë librat e fëmijërisë, dhe librat që kanë formuar nënën tënde… “Sa shumë libra, sa pak kohë” shprehej kompozitori amerikan Frank Zappa, i cili e gjente frymëzimin në librat që lexonte. Sigurisht një jetë nuk mjafton për të lexuar librat në bibliotekën e madhe të botës, por mjafton për të marrë prej saj shijen e librave të mirë, që vazhdojnë të qarkullojnë dekadë pas dekade në tryeza diskutimesh letrarësh, apo rubrikat e librave, si librat që nuk duhen humbur…Libra që shkrimtarë nobelistë apo jo, rendin t’i lexojnë dhe i ruajnë me fanatizëm në një kënd të shtëpisë së tyre, të bindur se sa herë do t’i shfletojnë, do të ndiejnë të njëjtën gjë. Dëshirën që t’i kishin shkruar ata.

Kanë qenë librat e mirë ato që grishën brenda Bashkim Shehut, shkrimtarin që është sot… Librat që erdhën tek ai, në mënyrën siç vijnë të gjitha rastësitë që më vonë e kuptojmë se s’kanë qenë të tilla. Nëse ai do të përzgjidhte disa libra që nuk duhen humbur për t’i lexuar në jetë, cilët do të ishin ata? “Një përzgjedhje e tillë është  sa e lehtë, aq edhe e vështirë, sepse numri i librave që nuk duhen lënë pa u lexuar në jetë është shumë i madh. Prandaj, përveç këtij kriteri që përcakton pyetja juaj, më lejoni t’i përcaktoj vetes edhe një kriter tjetër, që do ta ngushtonte sferën e përzgjedhjes, duke e kufizuar në prozën rrëfimtare moderne. Borges-i ka botuar një koleksion veprash letrare të cilin e ka quajtur ‘Bibliotekë personale’”, thotë Shehu. Nëse ai do të kishte mundësi të botonte një koleksion të ngjashëm me pesëmbëdhjetë libra, nga një për çdo autor me përjashtim të Borges-it, që do të kishte dy vepra, do ta niste nga mjeshtri i madh i letërsisë ruse Nikollai Gogol, me librin “Tregimet e Peterburgut”. Kjo përmbledhje e mrekullueshme e përkthyer në shqip nga  Mitrush Kuteli, na ofron një galeri personazhesh e ngjarjesh, shkruar nga shkrimtari i “Frymë të vdekura”, i cili në rininë e tij mendonte se mund të ishte gjithçka përveçse një letrar. Libri i dytë që Shehu rrëmben nga Biblioteka e madhe e botës, është “Vëllezërit Karamazov” i Fjodor Dostojevskit. Këtë roman, Dostojevski e ka shkruar pas romanit të famshëm “Krim e ndëshkim” dhe është një libër nuk duhet harruar pa u lexuar, pikërisht për forcën që mban pena e tij, gjithnjë në eksplorim të temave të mëkatit, moralitetit dhe shpengimit të njeriut modern. “Mali Magjik”, kryevepra e letërsisë gjermane shkruar nga nobelisti Thomas Mann, është një tjetër libër të cilin Shehu do ta veçonte ndër librat që duhen lexuar. Nuk ka si të mungojë në morinë e këtyre librave dhe “Procesi” i Franc Kafkës. Letërsia e Kafkës është një ambient i ankthshëm; është një situatë e një zgjimi e njëkohësisht i një fataliteti. Kafka nuk është dekadent, ai bën një portret të gjërave por nuk mundohet të rrënojë, të mohojë apo të zgjedhë mjete për të asgjësuar, ai thjesht paraqet ftohtësisht acarin e absurditetit. Xhejms Xhojs është një tjetër shkrimtar të cilin Bashkim Shehu nuk mund ta linte mënjanë. Libri i tij “Uliksi” është një vepër e cila nuk duhet humbur, ashtu siç thotë ai, “shoqëruar me të paktën dy tekste të gjatë shpjegues, mundësisht të kundërt, si për shembull një ese nga Edward Wilson dhe leksioni përkatës i Nabokovit në Kursin e letërsisë europiane, apo ndoshta edhe kapitulli përkatës i Umberto Eco-s në Estetikat e Joyce-it”. “Muri” i Jean Paul Sarte është një tjetër vepër që Shehu e përzgjedh. “Muri” është një rrëfim me fjali filozofike mbi mundësinë e vogël të njeriut që të zhvillohet dhe të jetojë i lirë. Nuk ka si të mungojë në këtë përzgjedhje dhe një tjetër ekzistencialist Albert Kamy, dhe romani i tij “I huaji”. Në Bibliotekën vetjake të Shehut, Borges ka një vend të veçantë me “Fiksione dhe Aleph”, aq sa dhe “Kronikë e një vdekje të paralajmëruar” apo “Vjeshta e patriarkut” e Gabriel Garcia Marquez. Novela e Danillo Kish “Enciklopedia e të vdekurve”, e cila është përkthyer në shqip nga Feride Papleka, është një tjetër libër që i bashkëngjitet “të zgjedhurve” të Shehut. Më pas ai rendit libra si “Nxënësi i Xhojsit” i “Drago Janćar, “Unazat e Saturnit” e W. G. Sebald, dhe Roberto Bolaño, 2666. E kjo përzgjedhje nuk do të ishte e plotë pa shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare, në morinë e librave të të cilit ai përzgjedh romanin “Viti i mbrapshtë”, një libër i cili na çon në Shqipërinë e vitit 1914. Këto janë 15 librat që Shehu i përzgjodhi në Bibliotekën e madhe të botës, i bindur se janë pafund ato që do të donte t’i rendiste bri tyre, aq sa mund të jenë pafund ato që dëshiron ende t’i lexojë…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>