30 Korrik, 2020

Ka shumë gjëra që, kur je i pasur, mund të paguash dikë tjetër që t’i bëjë për ty. Dikush përkundrejt një pagese mund të lajë ndërresat e tua, të të pastrojë banjon, t’i japë makinës për ty etj., etj. Por a mundet të paguash që dikush tjetër të lexojë libra në vend teje?

Shtëpia e Librit

Ja pra që erdhi edhe kjo mundësi. Ose më saktë, ka qenë mes nesh prej vitesh por tani po e vëmë re. Një kompani gjermane ofron shërbimin që, nëse ti nuk ke kohë ose përton të lexosh, dikush tjetër mund të lexojë librin në vendin tënd dhe të të nxjerrë disa pika të përgjithshme se për çfarë flet. Ti natyrisht që mund të jesh tepër i zënë. Fjala vjen, nuk ke kohë të lexosh sepse do të shkosh në palestër. Por ky nuk është problem. Shërbimi në fjalë, përkundrejt pagesës, nuk të jep ty një përmbledhje të shkurtër të librit, por ta lexon në mënyrë që ti të vësh kufjet në vesh dhe ta dëgjosh ndërkohë që vrapon në pistë. Në mënyrë të ngjashme, ti mund të dëgjosh përmbledhjen e librit më të fundit mbi teoritë e globalizimit ndërsa shkon me makinë në punë apo në plazh apo del shëtitje.

Shërbimi në fjalë quhet Blinkist dhe ofrohet përmes një aplikacioni në celular. Plot3,500 libra joletrarë, pra libra mbi aktualitetin, politikën, historinë etj., janë lexuar, konspektuar, u janë nxjerrë batutat kryesore dhe janë lexuar nga lexues profesionistë. Plot 7 milionë njerëz në të gjithë botën thuhet se përdorin këtë shërbim. Këto përmbledhje janë në gjendje të të ofrojnë pikat kryesore të një libri brenda 15 minutash lexim apo dëgjim. Dhe imagjinoni, nëse përdorni këtë APP çdo ditë për një muaj me radhë për 30 minuta, në fund të muajit do të keni “lexuar” plot 60 libra. Nëse harxhoni një orë, do t’i keni përlarë 120 libra dhe do të jeni njeriu më i lëçitur në planet.

Ka lexues të mirë që janë në gjendje të lexojnë një libër brenda një apo dy ditësh. Por 2 apo më shumë libra në ditë… kjo është e pamundur. Por për vetëm 13 dollarë në muaj, mrekullia ndodh.

Nëse jeni i aftë të memorizoni, do të keni sakaq nën sqetull qindra batuta për t’u bërë interesant në bashkëbisedime dhe për t’u dukur sikur jeni një njeri që lexon shumë libra. Kjo duket se është arsyeja se pse Blinkist është përqendruar te librat joletrarë, d.m.th., nuk bën përbledhje romanësh por librash, përmbledhjet e të cilëve, të shfaqin ty njëkohësisht si një njeri i lexuar dhe i interesuar për zhvillimet më të fundit nga vendi dhe bota.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>