29 Korrik, 2020

Libra me pandemi, me kapitalizëm, me komunizëm dhe letërsi e mirë. Këto janë të rejat nga bota e librit për muajin qershor 2020.

Disa nga botimet e reja

Ndërsa pandemia e koronavirusit të ri vijon dhe ashpërsohet në të katërta anët e botës dhe pasojat e mbylljes e të distancimit shoqëror thellohen dhe rëndojnë gjithnjë e më shumë në jetët tona, bota e librit duket se është bërë gjithashtu më reaguese ndaj ndryshimit me botime që reflektojnë mbi këtë realitet të ndryshuar, ku mbyllja në shtëpi dhe leximi i një libri po bëhet normë e domosdoshme për të shpëtuar nga makthet e jetës reale.

Mendimtari Ivan Krastev erdhi në shqip nga Instituti i Medias në korrik me një ese të shkruar gjatë kohës së pandemisë, në të cilin, autori, një bullgar që jeton prej vitesh në Vienë, mediton i alarmuar se si po ndryshon Europa prej pandemisë. Mbërriti e nesërmja, thua? pyet Krastev që në titullin e librit, i cili është një mënyrë shumë e këndshme për të shtyrë disa mbrëmje të freskëta. Krastev na shoqëron në një analizë të situatës politike me shembuj frymëzues nga një gamë e gjerë librash, letrarë apo nga aktualiteti, gjë që e bën këtë libër një ushqim për mendim dhe një frymëzim për të lexuar disa nga librat e tjerë të referuar nga autori. Libri i Krastev vjen me shqipërimin e Virgjil Muçit.

Mbërrin e nesërmja thua?, Ivan Krastev

64 faqe, 500 lekë

***

COVID-19 ka bërë që të gjitha themelet e rendit botëror të tre dekadave të fundit të vihen në diskutim. Shtëpia botuese Botart solli këtë muaj librin E ardhmja e kapitalizmit: Përballja me Ankthet e reja nga Paul Collier. Autori, një profesor i ekonomisë, ofron një diskutim të hapur mbi kapitalizmin sot dhe kërkon të diagnostikojë dhe ofron zgjidhje për ankthet që kanë shkaktuar ndasi mes familjeve, qyteteve dhe kombeve. Duke qëndruar larg klisheve, ideologjive dhe populizmave, Collier tërheq vëmendjen tonë ndaj pragmatizmit të “politikës së qendrës së fortë” dhe është mbresëlënës në këtë drejtim.

E ardhmja e kapitalizmit, Paul Collier

360 faqe, 1200 lekë

***

Në krah të kundërt me Collier, Kristian Niemietz, një profesor i shkencave ekonomike, përpiqet të shpjegojë se pse bota jonë vijon të besojë në një masë të konsiderueshme te ideja e socializmit, pavarësisht se socializmi siç e njohim ne ka dështuar në mënyrë të përsëritur gjatë dy shekujve të fundit dhe me pasoja shkatërrimtare. Socializmi: Ideja e dështuar që nuk vdes kurrë, debaton mbi pyetjen nëse socializmi është në thelb i pakorrigjueshëm, siç pretendojnë kritimët apo është zbatuar gjithmonë gabim, siç pretendojnë mbrojtësit e saj. Niemietz argumenton se e vërteta vështirë se mund të jetë kaq e thatë. Regjimet socialiste kanë pasur periudhat e vet të suksesit ashtu siç kanë pasur edhe disfatat. Libri përmban dhe një kapitull për Shqipërinë komuniste.

Socializmi: Ideja e dështuar që nuk vdes kurrë

400 faqe, 1300 lekë

***

Historiani bashkëkohor slloven Joze Pirjevec sjell në librin Tito dhe shokët, një biografi të re të udhëheqësit të ish-Jugosllavisë, një figurë që shpesh shikohet me nostalgji për një shkallë tolerance që pati në politikën e brendshme në krahasim me diktaturat e tjera të Europës lindore por që shikohet gjithashtu edhe si një makiavelist që arriti të lundrojë me sukses në detin e trazuar të Luftës së Ftohtë për të kaluar sa nga lindja aq edhe nga perëndimi dhe duke ruajtur një distancim nga të dyja palët. Duke kërkuar nëpër arkivat e shërbimeve sekrete vendëse dhe të huaja, Pirjevec sjell informacion të ri mbi vendimet e Titos dhe reagimet e shokëve të tij më të afërt në momentet historike kyçe.

Tito dhe shokët

768 faqe, 2,500 lekë

***

Shkrimtarja bashkëkohore Lucinda Riley erdhi në shqip me romanin Motra e Diellit. Me rrëfimin përfshirës e hipnotizues dhe me personazhe të paharrueshme e mallëngjyese, ky roman i përket serisë Shtatë Motrat.

864 faqe, 1600 lekë

***

Shkrimtari bashkëkohor çek Jiri Hajicek vjen në shqip me romanin Gjaku i peshkut.

Në mesin e viteve ’80, Hana kthehet në fshatin e saj të lindjes pas një mungese pesëmbëdhjetë vjeçare. Arsyeja është se fshati i saj së shpejti nuk do të ekzistojë më. Ai do të përmbytet nga një digë dhe bashkë me fshatin do të zhduken edhe kujtimet e fëmijërisë së saj. Gjaku i peshkut është për fëmijët dhe prindërit, për dashurinë dhe urrejtjen, për krizat familjare, për gabimet.

Gjaku i peshkut

416 faqe, 1200 lekë

***

Shkrimtari bashkëkohor francez Guillaume Musso vjen në shqip me romanin Jeta e fshehtë e shkrimtarëve. Romani përshkruan aventurën e një gazetareje në kërkim të zbulimit të sekreteve të një shkrimtari që ka dy dekada që jeton në një ishull të vetmuar në Mesdhe dhe nuk ka dhënë kurrë një intervistë përgjatë kësaj kohe, pavarësisht se romanet e tij vijojnë të lexohen.

Jeta e fshehtë e shkrimtarëve

316 faqe, 1200 lekë

***

Letërsia shqipe

Shkrimtari Fatos Kongoli, një nga shkrimtarët më produktivë dhe më të lexuar të gjuhës shqipe përgjatë tre dekadave të fundit, vjen me kujtimet e tij, Kapitulli i Amerikës. Një kronikë autobiografike, ky libër vjen si vazhdim i një prej librave tashmë të njohur të Kongolit, më i rëndësishmi siç e quan ai vetë, “Iluzione ne sirtar”.

Vendin kryesor e zënë kujtimet e autorit për një periudhë prej shtatë vjetësh, kur ai ka jetuar më së shumti në SHBA. Për herë të parë, në këtë libër, na shfaqen portrete shqiptaro-amerikanësh të fushës së letrave, miq e të njohur të dikurshëm të autorit, ndër ta edhe figura të shquara.

Kapitulli i Amerikës, Fatos Kongoli

304 faqe, 1,000 lekë

***

Shkrimtari Brajan Sukaj vjen me romanin Viti i elefantit.

***

Shkrimtari dhe botuesi Ylli Molla vjen me kujtimet e tij, Një Ilia në Volos, ditari i një emigranti ilegal. Si mijëra dhe dhjetëramijëra shqiptarë të tjerë, Molla përjetoi emigrimin ilegal në Greqi në vitet 1990, nevojën për të ndryshuar emrin dhe identitetin dhe përballjen me vështirësitë e tmerrshme të jetës së një emigranti. Molla thotë se e ka konceptuar këtë “reportazh të gjatë” si një dëshmi të atyre ngjarjeve dhe të asaj kohe në historinë e shqiptarëve.

Një Ilia në Volos, ditari i një emigranti ilegal

94 faqe, 600 lekë

***

Saga e jetëve legjendë 2, Arjan Konomi

Gazetari Arjan Konomi vjen me jetët e pesë figurave historike në këtë seri të dytë të Jetëve Legjendë, pas suksesit të pjesës së parë. Libri përmban jetët e Vladimir Iliç Lenin, Mata Hari, Luigji XIV, Mari Kyri dhe Aleksandri i madh. Libri i parë i Konomit, Saga e jetëve legjendë, ka qenë veçanërisht popullor gjatë viteve të fundit, duke u botuar dhe ribotuar katër herë nga dy shtëpi të ndryshme botuese.

Saga e jetëve legjendë 2

430 faqe, 1200 lekë.

Kjo ishte një përzgjedhje nga Shtëpia e Librit mbi librat e rinj që kanë mbërritur në librarinë tonë gjatë muajit korrik. Për t’u informuar mbi të gjitha botimet e këtij viti, ju mund të vizitoni seksionin e botimeve të reja këtu:

Buletini i të rejave nga bota e librit vjen një herë në muaj.

Për të lexuar buletinet e muajve të mëparshëm, klikoni këtu:

Të rejat nga bota e librit, qershor 2020

Të rejat nga bota e librit, Maj 2020

© Copyright 2020 Shtepiaelibrit.com.com Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>