13 Gusht, 2019

Ai ishte aventurieri që shkoi në Alaskë në kërkim të pasurimit të shpejtë përgjatë Etheve të Arit, por arin e vërtetë e gjeti duke shkruar libra.

Jack London in the study at his ranch in Glen Ellen, Calif.

Xhek London, pseudonim i John Griffith Chaney, (1876- 1916) është një nga romancierët dhe tregimtarët amerikanë më të përkthyer nëpër botë, aventurat personale dhe letrare të së cilit ndihmuan botën të zbulojë natyrën dhe natyrën njerëzore përmes romaneve të tilla si Thirrja e Natyrës (1903), përkthyer ë shqip edhe si Thirrja e të parëve, dhe Dhëmbi i Bardhë (1906) – ku përshkruhen përpjekje elementare për mbijetesë.

Braktisur nga i ati, një astrolog shëtitës, u rrit ne Oakland, Kaliforni, nga nëna e tij spiritualiste dhe njerku. Ai mori mbiemrin e njerkut, London. Në moshën 14 vjeçare, e ndërpreu shkollën për t’i shpëtuar varfërisë dhe për të fituar aventurë.

Ai eksploroi Gjirin e San Franciskos me një varkë me velë, me raste duke vjedhur guaska ose duke punuar për një patrullë peshkimi të qeverisë. Ai shkoi deri në Japoni si marinar dhe pa shumë nga Shtetet e Bashkuara si një endacak që kacavirrej nëpër trenë mallrash dhe si pjesë e ushtrisë industriale të Charles T. Kelly (një nga shumë ushtritë e protestave të të papunëve që u krijuan nga paniku financiar i vitit 1893). London pa kushtet e depresionit, u burgos si endacak dhe më 1894 u bë socialist militant.

London e arsimoi veten nëpër bibliotekat publike me shkrimet e Çarls Darvin, Karl Marks dhe Niçe (Nietzsche), zakonisht në formate për publik të gjerë. Në moshën 19 vjeçare ai ngjeshi të gjithë shkollën e mesme në një vit dhe pas kësaj hyri në Universitetin e Kalofornisë në Berkli, por pas një viti iku nga shkolla për të kërkuar fatin në ethet e arit të Klondajkut. Kur u kthye një vit më pas, ende i varfër dhe në pamundësi për të gjetur punë, ai vendosi të nxjerrë jetesën si shkrimtar.

London studioi revista dhe pastaj i ngarkoi vetes një orar të përditshëm për shkrimin e sonatave, baladave, barsoletave, anektodave, rrëfenjave për aventura apo histori horror dhe e rriti në mënyrë konstante prodhimtarinë.

Optimizmi dhe energjia me të cilën ai sulmoi punën që i ngarkoi vetes pasqyrohet në romanin e tij autobiografik Martin Iden (1909). Brenda dy viteve, rrëfenjat e aventurave të tij në Alaskë filluan të lexohen gjerësisht për shkak se sillnin një temë shumë të re mbi ngjarje shumë të freskëta me një forcë të madhe. Libri i tij i parë, Themu, i Biri i Ujkut: Rrëfenja nga Veriu i Largët (1900), është një përmbledhje me tregime të publikuara më parë në revista.

Gjatë pjesës tjetër të jetës, London shkroi dhe publikoi vazhdimisht, duke plotësuar 50 libra krijimtari letrare dhe joletrare në më pak se 17 vjet. Megjithëse ai u bë shkrimtari më i mirëpaguar në Shtetet e Bashkuara në atë kohë, fitimet e tij nuk mbuluan kurrë shpenzimet e tij dhe ai nuk ishte kurrë i lirë nga urgjenca për të shkruar për para. Ai lundroi për në Paqësorin e Jugut, duke rrëfyer aventurat e tij te The Cruise of the Snark (1911). Më 1910 ai bëri shtëpi në Glen Elen, Kaliforni, ku ndërtoi madhështoren Shtëpia e Ujkut. Ai i ruajti besimet e tij socialiste pothuajse deri në fund të jetës.

Romanet e tij më të njohura janë: Thirrja e Natyrës (The Call of the Wild), përkthyer në shqip edhe si Kushtrimi i të Parëve, botuar më 1903, ku historia e etheve të arit dhe aventurës njerëzore për pasurim të shpejtë tregohet përmes historisë së një qeni të rrëmbyer në Kaliforni për t’u përdorur si qen slite në Alaskë; Dhëmbi i Bardhë, (1906) Çizmja e Hekurt (1908) etj.

Reputacioni i London filloi të venitet në Shtetet e Bashkuara në vitet 1920 kur një gjeneratë e re shkrimtarësh i bëri paraardhësit e paraluftës të duken si jo të sofistikuar. Por popullariteti i tij vijoi të jetë i fortë nëpër të gjithë botën edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në një rekord të vendosur në Rusi, një edicion përkujtimor i veprës së tij publikuar më 1956 raportohet se u shit brenda pesë orësh nga dalja në botim.

Vizitoni www.shtepiaelibrit.com për t’u njohur me botimet më të fundit të librave në shqip.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>