Vjen në shqip Imperium nga Robert Harris

Nga: Liu i Cakut19 Maj, 2020

Imperium nga Robert Harris.
Çmimi i kopertinës: 1,000 lekë

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj që romani Imperium nga Robert Harris mbërriti në shqip, përkthyer nga unë, Gjergj Erebara.

Ky është një thriller mbi jetën e Ciceros, shtetarit romak, mbivendosur me njohuritë e pakohë mbi politikën dhe mungesën e moralit në politikë, me manipulimin e turmave, zgjedhjeve dhe shtetit, gjë që e bën këtë roman një lloj udhërrëfyesi politik.

Autori i këtij romani është një gazetar britanik, një nga mbështetësit e hershëm të Tony Blair kur ky i fundit mori me sulm qendrën e politikës britanike duke përdorur politikat e populizmit, nga ato që sot janë bërë shqetësim mbarëbotëror dhe kërcënim ekzistencial për demokracinë liberale dhe shtetin e së drejtës.

Harris si shumë britanikë të tjerë të krahut të majtë ishte nga të zhgënjyerit e mëdhenj të Tony Blair pas vendimit të këtij të fundit për të hyrë në Luftën e Irakut. Sherri mes Harris dhe Blair u bë shpesh publik, ku Blair deklaroi se nuk i lexonte më librat e tij e më pas, që thoshte se kishte ndryshuar mendim.

Harris duket se kreu një si tip hakmarrjeje letrare ndaj Blair duke bërë romanin The Ghost  (Hija ose Shkrimtari hije), një humor i hollë që paraqet një kryeministër britanik me emrin Adam Lang në rolin e një aktori kukull që luan skenarin e imponuar nga e shoqja. [Link]

Në fakt Harris, për të shkruar Hijen u detyrua të marrë pushime nga përfundimi i trilogjisë së tij mbi jetën e Ciceros, pjesa e parë e të cilit, Imperium u botua në shqip nga Papirus në Maj 2020.

Imperium është botuar për herë të parë në vitin 2006. Kjo ishte koha para se bota të tromaksej nga kriza financiare e vitit 2008 dhe një periudhë në të cilën, letërsia botërore dukej se nuk kishte ndonjë punë shumë ekzistenciale. Bota jetonte në paqen e gënjeshtërt të Fundit të Historisë së Fukuyajamës. Por kuptohet, para se ekonomia të na vendoste përballë realitetit në Shtator 2008, ishte letërsia ajo që na paralajmëroi. Përgjatë viteve 2000, një rrymë e re letrare (dhe në kinema) dominoi botën. Ajo quhet Thrilleri Makiavelian. Sopranot, Gjuetia e Froneve e të tjera si këto, një botë ku përplasja për pushtet dhe politika e pushtetit është e çliruar nga çfarëdolloj konsiderate etike apo morale.

Makiaveli është më i njohuri sot për këtë punë, por nëse kërkon më thellë, Makiaveli nga ana e tij është një krijesë e Ciceros.

Shtetari romak, shkrimet e të cilit janë aq të bollshme sa dominojnë burimet romake të shekullit të Parë p.e.s., ishte njeriu që erdhi nga asgjëja për t’u ngjitur në majë të hierarkisë politike të Romës duke përdorur vetëm aftësinë e tij në oratori.

Harris na e sjell karrierën e tij sa duke i qëndruar besnik burimeve historike, aq edhe duke plotësuar boshllëqet e asaj që historia nuk na e ka thënë me ngjarje që sipas tij, “me doemos duhet të kenë ndodhur”.

Kuptohet që një roman historik reflekton më së shumti shqetësimet e kohës kur është shkruar dhe jo me doemos ato të periudhës për të cilën flet. Lexuesit do të shikojnë se si demagogët e Shekullit të Parë p.e.s. apo filozofët e poetët bashkëjetojnë me forcën brutale të shpatave dhe muskujve, se si figurat gjysmëlegjendare të historisë si Cezari apo Pompei apo Krasi kishin gjithashtu, njësoj si politikanët e sotëm, një anë private sa të neveritshme, aq edhe për të ardhur keq. Dhe se si paratë dominojnë zgjedhjet dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin krijojnë figura publike që ngjajnë sikur janë të shkëputura nga realiteti njerëzor.

I shkruar me një gjuhë të thjeshtë, Imperium përbën një libër të këndshëm për t’u lexuar në plazh.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}


Gjithashtu mund të lexoni

Të rejat nga bota e librit, shtator 2020

Një rrugicë

Të rejat nga bota e librit, korrik 2020

Të rejat nga bota e librit, Maj 2020