20 Shtator, 2023

Fondacioni Nobel rriti shpërblimin për herë të parë në shumë vite për çmimet që do të shpërndahen në javët në vijim.

Fituesit e këtij viti do të marrin një milionë korona suedeze ekstra për një total prej 11 milionë koronash, ose afërsisht 986 mijë dollarësh, bëri të ditur Fondacioni Nobel së fundmi, institucioni që i administron këto çmime.

Shpërblimin monetar, i cili argumentohet se e bën Çmimin Nobel automatikisht të rëndësishëm dhe tërheqës në të gjithë botën, ka pësuar luhatje për poshtë dhe për sipër gjatë viteve të fundit në varësi të të ardhurave të fondacionit nga investimet e trashëgimisë së lënë nga industrialisti i armëve Alfred Nobel më shumë se sa një shekull më parë.

Në vitin 2012, shpërblimi në para u ul nga 10 milionë korona në 8 milionë, për shkak se fondacioni ishte ngushtë, pas krizës financiare të vitit 2008. Shpërblimi u rrit në 9 milionë më 2017 dhe 10 milionë më 2020, sa ishte edhe para vitit 2012.

Gjithsesi, korona suedeze ka humbur rreth 30 për qind të vlerës përgjatë dekadës së fundit kundrejt euros, gjë që do të thotë se fituesit nga jashtë Suedisë nuk do të jenë shumë më mirë edhe pas rritjes.

Në vitin 2013, të tetë milionë koronat suedeze vlenin sa 1.2 milionë dollarë, ndërsa sot, 11 milionë koronat kushtojnë më pak se 1 milionë dollarë.

Çmimi Nobel jepet çdo vit për arritje të dalluara në fushat e mjekësisë, kimisë, fizikës, letërsisë dhe paqes. Veçmas këtyre, Banka Qendrore e Suedisë akordon çmimin Nobel për studiuesit e ekonomisë.

Këtë vit çmimet fillojë të shpallen më datë 2, kur do të mësohen fituesit e çmimit të mjekësisë, pasuar nga fizika, kimia, letërsia dhe paqja në ditët në vijim. Çmimi Nobel për Letërsinë 2023 do të shpallet më datë 5 tetor në mesditë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>