18 Shkurt, 2017

Skenderbeu, Sabri Godo
Titulli: Skënderbeu
Origjinali: Skënderbeu
Gjinia: Histori
Autori: Sabri Godo
Shtëpia botuese: Tirana Times
Viti: 2010
Fq. 500
Pesha: 0.721 kg.
ISBN: 978-99956-847-6-1 Kliko këtu për të porositur këtë libër

– Që të heqim mendjen nga uria e sotme, duhet të mbjellim për të ardhmen. Të mbjellim dhe të nxjerrim taksat, se s’mund të hamë veç nga vetja jonë.

– – Çfarë të mbjellim? – pyeti Vladani.

– Në zërin plot hidhërim të këshilltarit, Skënderbeu dalloi ironinë, por e kaloi pa e vënë re dhe ndoqi mendimin e tij:

– – Duhet të shtojmë drithrat, të shtojmë ullinjtë. Vaji është zemra, thelbi i ushqimit. Lufta e ngriti vlerën e vajit edhe më tepër. Vranakonti gatuante gjatë rrethimit bukë me miell tepe përzjer me vaj. Ajo bukë qëndron me vite. Nxirr një ligj për katundet rrëzë fushave që asnjë çift të mos martohet pa mbjellë 25 rrënjë ullinj.

– Nipat do të lahen në vaj – tha Vladani. Ai nuk e përmbante më marrazin dhe ishte gati t’ia plaste të qeshurit. – Po garda ka katër muaj pa rrogë dhe lypsarët shtohen përditë. Këto punë nuk presin sat ë bëhen ullinjtë. – Ndërsa përpiqte nofullat për të thënë ato fjalë, i dukej se po binte diku, në një hapësirë të panjohur. Kishte frikë nga vetja e tij dhe donte të dinte se deri në ç’pikë po e shtynin dëshpërimi dhe marrëzia. Ngriti kokën me vrull dhe pa turbullt Skënderbeun.

Skënderbeu e pa me keqardhje. Kur bëhej kryeneç këshilltari, do të thoshte se gjendej pa rrugëdalje, dhe kjo ngjiste rrallë. Po, pasi e përvetësonte një ide, asgjë nuk ia nxirrte më nga koka. Mbi të gjitha askush nuk dinte më mirë se ai t’ua përshtatte punën e tij të intendentit të përgjithshëm nevojave të luftës. Dhe i gëzohej sulmit si çunak. Nuk e duronte dot tërheqjen dhe difensivën. Në luftë shndërrohej i gjithi dhe, nëse në këtë rol të dytë s’kishte shtatin e Vranakontit, Moisiut, Tanushit, Hamzait, ai vinte fill pas tyre. Ngadalë, gjithnjë duke mos dashur të vinte re, Skënderbeu vijoi të fliste:
– – Në rrethim ushtarët u sëmurën dhe u mërzitën nga buka dhe mishi i kripur. Pranë kështjellave duhet të hapen disa toka që të mbillen me lakër, presh, bathë, qepë e hudhra.

Biseda mori të tatëpjetën. Vladani e mblodhi të dëgjonte deri në fund. Tani gjendej fare larg Skënderbeut dhe ia dëgjonte zërin si nga nëntoka. Këtë s’mund ta duronte dhe nja dy herë lëvizi me duart që të ngrihej e të ikte, por ishte i shtypur dhe i mbërthyer. Tani hiqte keq për të zotëruar mjekrën dhe tha nëpër dhëmbë se njerëzit jetonin me lakra të egra.
Skënderbeu prapë nuk e dëgjoi dhe tha:
– – Katundeve të tjera duhet t’u caktosh rrënjët e pemëve që do të mbjellin. Arrat, fiqtë, rrushtë, mollët, dardhat e thata u duhen kështjellave për të sëmurën dhe për të plagosurit. Më mirë caktoi çdo katundi sasinë e frutave dhe rrënjët le t’i gjejnë vetë. Këto shtojua mbi taksat.

Vladani u habit dhe zgjati kokën të shihte e të kuptonte. I binin djersë dhe i hipi një shqetësim i papritur për Skënderbeun. A mos ishte i sëmurë dhe fliste përçart? Por ai vijonte të rrinte me duart mbërthyer, si një njeri prej guri dhe kërkonte të pamundurën. Ai s’kishte qenë i sëmurë kurrë.

Skënderbeu, Sabri Godo. Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1976. 175-176.

Ribotimi gjendet këtu

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>