15 Shkurt, 2018

Mitrush Kuteli

Lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Mësimet e para i mori në vendlindje, studimet e mesme në Selanik, në Shkollën Tregtare Rumune (1921-1928). Më 1931 u diplomua në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike. Më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera në mësime, seriozitetit dhe kapacitetit të veçantë intelektual, u emërua drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë.

Kundërshtimi që i bëri politikës financiare të pushtuesve gjermanë, i solli si ndëshkim mobilizimin në ushtri dhe drejtimi drejt Frontit të Lindjes. Nga rruga e vdekjes së sigurtë e ktheu një telegram ku njoftohej se Nëna e tij ishte shumë sëmurë. Mundi të arrijë në Shqipëri në Shtator 1942, dy javë pasi Nëna kishte ndërruar jetë.

Në janar u emërua Drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar. Dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk pranoi të firmosi kursin që pati caktuar shteti komunist mes lekut shqiptar dhe dinarit jugosllav, dhe që dëmtonte rëndë ekonominë e vendit tonë.

Në maj 1947 e arrestuan dhe pasi i thanë “armik i popullit”, e dënuan me pesë vjet heqje lirie. Kuteli u dërgua në kampin e Vioçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. E liruan “me falje”, në prill 1949. Nga viti 1949, Kuteli nuk u mor më me ekonomi dhe punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri.

Letërsisë i kushtoi kohën e pakët që i mbeti nga puna e normuar e përkthimit. Zemra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj 1967. Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja.

Aktualisht shumica e shkrimeve dhe përkthimeve të Kutelit janë në qarkullim.

Tregime të Moçme Shqiptare, është një libër që vazhdimisht renditet i shumëshitur te Shtëpia e Librit, pavarësisht se kanë kaluar shumë dekada që kur u botua për herë të parë.

Në vitin 2017, Tregime të Moçme Shqiptare u botua bashkë me ilustrimet e Gazmend Lekës dhe me kopertinë të trashë.

Vepra e Kutelit është botuar në tre vëllime me titullin “Prozë dhe Vargje të Zgjedhura”.

Prozë dhe Vargje të Zgjedhura 1 përmban novelat novelat: “Xha Brahua i Shkumbanores”, “Natë kollozheku”, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit”, “Më kot…”, “Lumi i Madh”, “Fshati im e pi rakinë” dhe “Parvera në Transilvani”; dhe vargjet: “Poem kosovar”, “Balta shqiptare”, “Poemi i Shëndaumit” dhe “Po të vdes në dhe të huaj”.

Prozë dhe Vargje të Zgjedhura 2 përmban novelat: “Natë marsi”, “Natë prilli” (Kapllan Aga i Shaban Shpatës), “Natë muaji maj” (I vdekuri dhe i gjalli), “Rinë Katerinëza”, “Natë qershori”, “Natë gushti” (Përtej valëve të kohës), “Natë muaji Shëmbitër” (Rrëfimi i parë i Argjir Vlonjatit), “Natë vjeshte të tretë”, “Letrat e ndajnatës” (Lugetërit e fshatit tonë), “Kryengritje për lugat” e “Një natë tetori” dhe vargjet “Natë vere”, “Hëna e humbur”, “Si nesër”, “Shtambari”, “Kroi i kodrës”, “Një ndajnatë në Poradecin e vjetër” dhe “Rrjedhin lumenjtë”.

Prozë dhe Vargje të Zgjedhura 3 përmban novelat: “Vendosa të shkoj në Amerikë”, “Unë, Çuli dhe Marina”, “Papu”, “Hanet e karvanet”, “Për kumbulla”, “Fije nga jeta e Theofil Kostorit”, “Rusa – papusa”, “Babalja”, “Të vdekurit”, “E bukur e detit”, “I pasuri që ish i varfër fort”, “Si u takua Ndoni me Zallorët”, “Gjonomadhë e gjatollinj”, “Qetësi përpara fërtyme” dhe vargjet: “Gjuhës shqipe”, “Nisje për mërgim”, “Tani që shkuan”, “Tufan dëbore në pyllin e vegjëlisë sime”, “Natë”, “Çatë lamtumire” dhe “Balada e zogut të vogël të dallëndyshes”.

Kritika e Kutelit është përfshirë te botimi Shënime Letrare.

Një nga përrallat më të bukura të Kutelit, E madhe është gjëma e mëkatit është botuar më vete.

Vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore janë botuar te libri Netë Moldave. Në këtë libër janë mbledhur tregimet dhe shënimet që Kuteli ka mbajtur kur ndodhej i mobilizuar në kontigjentin e forcave rumune të cilat u dërguan për të luftuar në Frontin e Lindjes, destinacion Stalingradi, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një cep të Ilirisë së Poshtme përfshin tregime me frymëzim nga lashtësia ilire.

E famshmja Poem kosovar dhe Poemi i Shëndaumit është botuar si libër më vete.

Havadan më havadan” i Mitrush Kutelit është një përmbledhje pamfletesh që u botuan në shtypin e kohës në vitet 1930 – 1940. Në vitin 1944 autori i nxori si libërth më vete, me pseudonimin Lugati.

Për të vegjëlit në qarkullim gjenden edhe përrallat me ilustrime Maçoku, Gjeli e Dhelpra, ilustruar nga Artur Dauti, E Bukura e Dheut dhe Piktori i Vogël që Bënte Mrekullira.

Ndonëse njihet më së shumti si shkrimtar, në jetën reale, Dr. Dhimitër Pasko ishte një ekonomist, i cili punonte në Bankën Kombëtare të Shqypnis, pararendësja e Bankës së Shqipërisë së sotme. Eksperienca e tij si ekonomist shpaloset te libri Ditari i Ekonomistit.

Kuteli si përkthyes është gjithashtu i jashtëzakonshëm.

Kryevepra e Gogolit Frymë të Vdekura erdhi në shqip falë Kutelit në vitin 1962. Dy vjet më herët, Kuteli pati sjellë në shqip Tregimet e Peterburgut.

Ndër shqipërime të tjera gjenden Vërshimet e Lumenjve nga Konstantin Paustovski, Dama maç nga Aleksandër Pushkin dhe Njëzet e gjashtë dhe një nga Maksim Gorki.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>