30 Nëntor, 2024

Përshëndetje miq,

Shtëpia e Librit ka kënaqësinë të prezantojë librin Mbi revolucionin, nga Hannah Arendt. Më poshtë është shënimi i përkthyesit, Gjergj Erebara.

Mbi revolucionin është një libër që nuk ngopesh së lexuari. Sa më shumë herë e lexon, aq më shumë kupton dhe mëson, aq më shumë mrekullohesh. Çdo herë që e lexon, kupton diçka të re që nuk e kishe vënë re apo kuptuar në leximin e mëparshëm. Intensiteti i mendimit të Arendt është me të vërtetë trullosës. Nuk besoj se mund të gjendet një lexues, sado i vëmendshëm  që të jetë, që të kuptojë gjithçka me një lexim të vetëm të librit.

Kur lexon këtë libër vëren se aparati i të menduarit të Arendt është unik. Ai vështirë se mund të futet në një kategori të të menduarit filozofik dhe ka më shumë kuptim të përshkruhet, siç bën Jonathan Schell në parathënie, jo si një mendim i rregullit dhe i sistemuar por një i tillë që niset si një koral që zhvillohet në drejtime të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se mendimet e saj nuk janë koherente apo janë kaotike.

Arendt ishte shkrimtarja që parashikoi se Lufta e Ftohtë mund të përfundonte me disfatën e njërës palë pavarësisht nëse armët kishin shpërthyer apo jo. Dhe se kauza e vërtetë e revolucionit nuk duhet të jetë zgjidhja e problemit social por themelimi i lirisë. Sepse, tha ajo, problemi social zgjidhet me masa teknike, të tilla si rregullimi ekonomik, por asnjë bollëk ushqimor nuk mundet të zëvendësojë nevojën e njeriut për liri.

Rënia e një regjimi nuk vjen përmes “përmirësimit” gradual apo ndryshimit nga brenda por duket se shkaktohet nga ngjarje shumë të papritura, e ndoshta, të paparashikueshme, sugjeron ajo. Rënia e një regjimi vjen vetëm pasi ai të jetë kalbëzuar, por kjo nuk do të thotë se kalbëzimi shkakton automatikisht rrëzim. Historia ka treguar se sisteme të kalbëzuara mund të jetojnë me dekada dhe shekuj në rast se nuk ka nga ata që quhen njerëzit e revolucionit, të cilët janë të gatshëm të nxisin rrëzimin e sistemit të kalbëzuar. Arendt shpjegon më tutje se këta revolucionarët, nuk është e domosdoshme të jenë shumë sepse, dhjetë burra bashkë bëjnë 100 mijë të dridhen veçmas.

Arendt nuk është një shkrimtare e lehtë dhe Mbi revolucionin nuk është një libër i lehtë. Siç shkruan Jonathan Schell, “ajo nuk fillonte me përgjithësime dhe pastaj të kërkonte shembuj dhe as nuk fillonte duke grumbulluar ngjarjet dhe, pastaj, duke deduktuar prej tyre një rregull. Në vend të kësaj, të menduarit të saj dukej se “kristalizonte” (dhe kjo është një fjalë e saj) përreth ngjarjeve, si një lloj barriere koralore që degëzohet përpara, një mendim që shpie te një tjetër. Rezultati është një trupë e pavarur reflektimi koherent, por kurrë e renditur në mënyrë sistematike, i cili, ndërsa duket sikur rritet nga brenda saj përgjatë jetës, sipas ligjeve dhe parimeve të veçanta të vetë asaj, në të njëjtën kohë ia del të iluminojë në vijimësi çështjet bashkëkohore.”

Libri është botuar për herë të parë në vitin 1963 por Arendt dukshëm është një profete që ka parashikuar telashin në të cilin bota gjendet sot; konkretisht, ajo e ka parashikuar se rritja e mirëqenies dhe zhvillimi i ekonomisë ka sjellë sulmimin e publikes nga interesat private, me rezultatin që politika është kthyer në një sistem dhe partitë politike kanë humbur funksionin e të qenit përfaqësuese, nëse e kanë pasur ndonjëherë.

Telashet e mungesës së përfaqësimit politik nga partitë konvencionale dhe ndjesia e të qenit të përjashtuar nga diçka e rëndësishme dukshëm po shtyn një pjesë të popullsisë te forcat ekstremiste, të cilat, ndonëse nuk ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet konkrete të pushtimit të publikes nga interesat private (të të paktëve) dhe tretjes së fuqisë së partive të vjetra për të përfaqësuar dhe përfshirë si rrjedhojë e këtij pushtimi, janë gjithsesi në gjendje të ofrojnë një platformë përfshirëse, ndonëse joracionale për çështje emocionale, të tilla si politikat identitare.

Leximi i këtij libri të zhyt në një telash të madh mbi të kuptuarit të shtetit dhe të shoqërisë dhe termave që përdorim ne, këtu në Shqipëri. Për shembull, ndërsa në botën perëndimore përdoren fjalët citizen, citoyen, bürger apo cittadino, si i ndryshëm ky nga subject  apo nënshtetas, ne kemi zgjedhur fjalën shtetas. Kjo të shtyn të mendosh se sa e pakuptimtë dhe larg kuptimit origjinal është fjala shtetas nga citizen, pasi kjo fjalë ka në origjinën e vet latine civitas dhe do të thotë qytetar, siç fjala qytetar ka kuptimin e sotëm e të barabartit dhe të respektuesit. Qytetar ka kuptimin e një banori të një vendbanimi të organizuar në shoqëri, një polis.

Është e kuptueshme se fjala shtetas është përdorur si alternativë ndaj qytetar për shkak se duhet të përfshijë edhe fshatarët. Por fakti është që shtetas një formim i fjalës shtet nuk ngjan shumë larg të qenit nënshtetas dhe sugjeron përkatësinë në një strukturë të ngurtë, një përkatësi pa identitet të mëvetëm dhe, praktikisht pa të drejta, ndryshe nga qytetarë, që nënkupton barazi, identitet të mëvetëm dhe individualitet dhe jo thjeshtë përkatësi në një shtet. Në përkthimin e këtij libri, përkundrejt fjalës shtetas u zgjodh të përdoret fjala qytetarë, e cila në këtë kontekst përfshin jo vetëm banorët e qyteteve por edhe ata të cilët ne konvencionalisht i njohim si fshatarë.

Përplasja mes vullnetit të përgjithshëm të zhvilluar si koncept në Francë nga Rousseau dhe që u kthye në revolucionin që ha fëmijët e vet përkundrejt këndvështrimit të opinionit apo opinioneve që u zhvillua në demokracinë amerikane ishte një nga aspektet veçanërisht frymëzuese të këtij libri.

Kishte plot telashe të tjera gjatë përkthimit për të arritur të mbërthehej kuptimi origjinal. Për shembull, përdorimi nga Arendt i konceptit historical necessity, i cili mund të përkthehet si nevojë historike por që ka gjithashtu kuptimin e të pashmangshmes apo pashmanshmërisë historike. U detyrova që në raste të ndryshme ta përkthej ndryshe sipas kontekstit ndërsa në fakt, kuptimi origjinal është i të dyjave, pra edhe i nevojës edhe i të pashmangshmes apo nevojës pa të cilën nuk bën dot.

Mbi revolucionin nuk është një libër si 1984 i George Orwell, si Më e mira e botëve nga Aldous Huxley apo të tjerë libra analizues të tiranisë, të cilët mund të shërbejnë njëkohësisht si paralajmërim për rrezikun dhe po ashtu edhe si manual për t’u përdorur nga tiranët. Sepse, shpjegon Arendt, revolucioni mund të mësohet se si bëhet por vështirë se mund të mësohet se si zhbëhet apo ndalohet.

Në kontekstin që ndan botën tonë sot dhe në të cilën kaq shumë gjëra janë në lojë, ata që me gjasa do të fitojnë, janë ata që do të kuptojnë revolucionin, ndërsa ata që do të vendosin besimin e tyre te politika e pushtetit, në kuptimin tradicional të fjalës, do të mbështeten te lufta si mjeti i fundit i të gjithë politikës së jashtme dhe do të zbulojnë se në një të ardhme jo të largët, do të jenë bërë mjeshtër të një zanati të padobishëm e të dobët.

“Të kuptuarit e revolucionit në mënyrë të tillë është diçka së cilës as nuk mundet t’i kundërvihesh dhe as nuk mundet ta zëvendësosh me ndonjë ekspertizë në kundërrevolucion,” thotë ajo.

Në mënyrë befasuese, Mbi revolucionin shërben edhe si një udhërrëfyes se si të gjesh lumturinë në jetë. Ajo e shqyrton këtë në kuadrin e një deklarate të John Adams, i cili tha: “kënaqësia është të veprosh, jo të pushosh.”

Dhe vijon më tutje duke thënë se polisi, hapësira publike në të cilën njeriu është “kafshë politike” sipas përkufizimit të Aristotelit dhe është i pajisur me aftësinë për të folur, është ajo që na bën ne të jetojmë dhe e vesh jetën tonë me vezullim.

Librin e gjeni në libraritë Adrion, Bookland, Tirana Book, Babel, Art’s, Valentini dhe Plisi në Tiranë si dhe në libraritë Artini, Buzuku e Dukagjini në Prishtinë.

Mundet gjithashtu ta porosisni online.

Ju faleminderit për vëmendjen.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>