Historia e shqiptaro-amerikanit, që për gati dy dekada përfaqësoi Shqipërinë në Washington

0
514

Nga Ruben Avxhiu

Bigrafia: Faik Konica Jeta ne Uashington (foto)Panairi i fundit i librit në Tiranë bëri që për herë të parë, pas shumë kohësh, libri të bëhej qendra e debateve dhe vëmendjes publike shqiptare. Ky ishte një lajm i gëzueshëm për ne, që besojmë ende të rëndësia e fjalës së shkruar (e të lexuar), ashtu siç ishte edhe një burim shqetësimi se mos vëmendja e çmuar vjen për arsyet e duhura.

Kritika se disa libra me vlerë janë lënë në harresë për hir të atyre me tema të bujshme, ndonëse edhe ajo e lëshuar shpesh për arsyet e gabuara, nuk është fare pavend, por jo e mjaftueshme për t’u alarmuar. Sita e kohës do të bëjë të vetën në fund. Por ajo që ia vlen të përmendet, është se sa mirë që të paktën një libër nuk priti për kohën e panairit, po i shkoi në dorë lexuesit shqiptar përpara se të fillonte festa e librave të bujshëm. Fjalën e kam për “Faik Konicën” e kolegut nga “Zëri i Amerikës”, Ilir Ikonomi.

Ndonëse librit të Ikonomit nuk i mungon asgjë cilësore që të mos konkurronte denjësisht, madje lehtësisht me librat më të bujshëm të këtij fundviti në Tiranë, vetë subjekti i librit, Faik Konica, nuk do të mund të konkurronte për vëmendjen e medias aq mirë sa subjektet e tjera. Kjo për arsye që nuk kanë të bëjnë edhe aq shumë me Konicën, sesa me faktorë të tjerë si për shembull pikëpyetjet e shumta që ende qëndrojnë mbi historinë ende të pashkruar të 50 vjetëve të komunizmit, kurioziteti sa serioz aq edhe fetishist për shkrimtarin më të shquar shqiptar të kohëve moderne, si dhe etja për më shumë përgjigje e sqarimi për militantët politikë të së majtës shqiptare që nuk prisnin të zbulonin se cili ishte “kurbani” i kohës: opozita, demokracia, Shqipëria, apo diçka tjetër më simbolike apo më prozaike. Është për të ardhur keq nga ana tjetër, që një libër kaq i rëndësishëm për një nga figurat historike e themelore të bashkësisë shqiptare në SHBA është vështirë për t’u gjetur në tregun e librit shqip këtu në SHBA (Në fakt, ciniku brenda meje shton se as tregu vetë i librit shqip nuk gjendet më në këtë komunitet, e jo më libra të veçantë). Gjithsesi, ky libër ka rëndësi të madhe për shqiptaro-amerikanët, sepse përveç mik/armikut të tij të më shquar, Fan Nolit, vështirë të gjendet një figurë më “shqiptaro-amerikane” se Konica, që të simbolizojë lidhjen simbiotike mes bashkësisë sonë këtu në botën e re dhe Shqipërisë, atdheut nga kemi ardhur. Konica ishte kryetar i Vatrës dhe kryeredaktor i gazetës “Dielli” në ditët e saj më diellore, si dhe ambasadori më kohëgjatë përfaqësues i Shqipërisë në SHBA, një nga diplomatët më të rëndësishëm të historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar, por edhe rilindës, udhëheqës kulturor, shtetformues e intelektual publik (mbase i pari i tillë shqiptar) për atdheun e largët.

Historia e lidhjeve të bashkësisë sonë me atdheun nga kemi ardhur do të ishte e paplotë pa një studim të mirëfilltë të këtij simboli kaq kryesor të kësaj lidhjeje. Në këtë prizëm, meriton të duartrokitet gazetari Ikonomi, pa dyshim një nga më të mirët në historinë e “Zërit të Amerikës”, për këtë dhuratë të rëndësishme që i ka bërë historisë sonë kombëtare, historisë së diplomacisë shqiptare, si dhe pa dyshim historisë sonë komunitare. Libri ka vlera dhe do të lexohej me kënaqësi dhe vëmendje nga një numër grupimesh profesioniste dhe lexuesish të natyrave të ndryshme.

Nga një anë, Ikonomi u bën një shërbim të madh historianëve shqiptarë apo edhe atyre të huaj që merren me këtë periudhë të historisë së Shqipërisë, apo historisë së lidhjeve shqiptaro-amerikane me referencën e tij të pasur nga shtypi amerikan, me artikujt në vite ku përmenden shqiptarët dhe Shqipëria. Çdo historian që do të kërkojë të hulumtojë në të ardhmen, do të ketë të paktën një bazë të rëndësishme fillestare, që do t’i lehtësojë mjaft punën kërkimore (Ndonëse ritmi i shpejtë i dixhitalizmit të arkivave të shtypit po e bën gjithnjë e më të lehtë zhytjen në burimet e të kaluarës, kjo punë pioniere kërkimore e gazetarit Ikonomi mbetet një gur i rëndësishëm themeli në studimet shqiptare.)

Në një plan tjetër, libri për Faik Konicën u shërben pa dyshim edhe politologëve dhe të gjithë atyre që ndjekin, komentojnë apo analizojnë jetën politike shqiptare, sidomos aspektin e polemikës publike. Nuk e di nëse është një lloj çlirimi për këta njerëz apo një arsye për t’u tmerruar fakti që dy figura kaq të respektuara të së kaluarës si Noli dhe Konica janë gati po aq banalë, në mos më shumë, në dyluftimin e tyre publik, sa edhe krerët e politikës së sotme shqiptare.

Vetë e kam vështirë të them se cilën nga këto dy mbresa duhet të zgjedh. Se nga një anë dua të lehtësohem kur vë re se nuk është problemi te karakteri personal i krerëve të sotëm, sesa është te një kulturë e trashëguar përplasjesh të ashpra e me synime ndërasgjësuese të figurave publike; ndërsa nga ana tjetër më kaplon tmerri kur mendoj se jeta publike shqiptare mund t’i ketë kaq thellë të ngulitura në ADN-në e saj karakteristikat më të shëmtuara që shfaq politika sot (Debati për këtë meriton një shkrim më vete, në mos një libër më vete: ciniku brenda meje ka dëshirë të shkruajë se tema meriton “një bibliotekë më vete”…)

Në kohën e sotme shihet si e udhës që të sulmohet karakteri, prejardhja dhe familja e kundërshtarit politik, në vend që të kritikohet mesazhi i tij politik apo të kundërshtohen pikëpamjet e tij. Kjo lloj retorike është parë shpesh si trashëgimi e komunizmit (një analizë e shkëlqyer në këtë drejtim jep libri “Shqipja totalitare” e autorit Ardian Vehbiu). Mirëpo, shembujt domethënës që sjell në këtë libër Ilir Ikonomi, dëshmojnë për rrënjë më të thella që mund të jenë forcuar dhe përligjur gjatë komunizmit, por që nuk mund t’i faturohen vetëm atij (Në fund të fundit, ka një arsye se pse komunizmi ngadhënjeu në vendet ku mungonte një e kaluar e mjaftueshme dhe e mirëfilltë pluralizmi politik – e në veçanti ishte më i egër aty ku kjo traditë ishte më e paktë.)
Është e pamundur të mos të të vinë ndër mend ditët tona, kur lexon shkëmbimet e sulmeve tërësisht personale mes Nolit dhe Konicës, të banalizuara sidomos nga tifozët e tyre në të dy krahët. “Republika” që mbështeste Nolin dhe “Dielli” që mbështeste Konicën janë dy paralele të gazetave të sotme shqiptare që nga e majta në të djathtë merren me diskreditimin moral të udhëheqësve kundërshtarë. Në atë kohë, “Republika” e quante Faikun dhe vëllanë e tij, Mehmetin, “këlyshë, zagarë, langonj që i vijnë rrotull kasaphanës zogolliane”.

Një tjetër dukuri interesante që ndodh edhe në ditët tona, është loja me ndryshimin e pozicioneve. Ashtu si “Gazeta 55” që riboton sot shkrimet e Mero Bazes, ku ofendohej Edi Rama, apo si “Shekulli” që boton sot fjalimet e Sali Berishës ku akuzohet rëndë Fatos Nano, edhe “Republika” e asaj kohe kënaqej duke ribotuar artikujt e Faik Konicës, ku fyhej Mbreti Zog, tashmë që Konica e kishte kthyer fletën dhe ishte bërë ambasador i tij në Amerikë.

Nga ana e tij, “Dielli” hakmerrej duke sulmuar figurën më të shquar të historisë shqiptaro-amerikane, Fan Nolin, me epitete që sot tingëllojnë të pabesueshme si “edepsëz i edepsëzëve” dhe “karagjoz i karnavaleve, që s’beson as në fe e as në atdhe”.

Një tjetër kujtesë e ditëve tona është që kundërshtarëve politikë u mohohet edhe kombësia shqiptare (për shembull: Paskal Milo e Fatos Nano janë përshkruar shpesh si grekë, Pandeli Majko si sllav apo Sali Berisha, kur akuzohet se e ka gruan serbe, apo një pjesë e mirë e krerëve socialistë tregohen si vllahë, duke i nënkuptuar një konotacion negativ me këtë grupim etj.), “Dielli” e përshkruante Fan Nolin si “një turk, i cili sot nuk ka as njerëz e as shtëpi në Shqipëri”. Problemi me shqiptarët si atëherë edhe sot, është dëshira për asgjësim total të kundërshtarit. Fjala vjen për Edi Ramën- sot Sali Berisha nuk është vetëm një Kryeministër i keq, po edhe një vrasës, një hajdut etj.

Noli është në fakt, më i rafinuar edhe në ditën më të keqe: “Faik Beu kur godet, s’ka turp as nga shpifja më e poshtër, ndërsa kur përkëdhel, nuk ka turp as nga lëvdata më groteske”.

Në një plan tjetër, “Dielli” paralajmëron shqiptaro-amerikanët që bëhen me Nolin se mund t’u prishin punë të afërmve të tyre në Shqipëri. Ky kërcënim pa doreza është një tjetër turp i kohës, që më solli në mend një mesazh nga një autor i njohur në komunitet, i cili para disa muajsh më shkroi se të afërmit e tij në Shqipëri e kanë akuzuar se po humbasin vendet e punës për shkak të shkrimeve të tij kundër Kryeministrit Berisha!! A është kjo një ankesë reale apo thjesht paranojë e familjarëve të tij? Nëse është reale, nuk do të ishte pa precedent. Kjo është për t’u shqyrtuar ndoshta si një temë më vete e që shtrihet në vite. Kam parasysh histori të ndryshme që kam dëgjuar për kujdesin e një  numri mërgimtarësh këtu në komunitet për të mos folur kundër komunizmit gjatë Luftës së Ftohtë, nga frika se nga fjalët e tyre mund ta pësonin të afërmit e tyre në Shqipëri. Për gjërat negative, largësia më duket se nuk ka qenë asnjëherë shumë e madhe nga atdheu përtej Oqeanit. Urrejtja e hakmarrja kanë udhëtuar shpesh shumë më shpejt se mirënjohja dhe shpërblimi.

Janë gjithashtu po aq tipike raportet e Konicës kundër Nolit pranë Departamentit të Shtetit, ku kërkonte që Noli të mos lejohej të kthehej në SHBA, apo të deportohej nëse kishte hyrë. A nuk është denoncimi te miqtë e huaj një nga “virtytet” e politikës së sotme shqiptare? Edhe ky tipar duket se është përkryer nga komunizmi, por nuk ka lindur me të.

Unë nuk besoj te librat dhe autorët e përkryer dhe sigurisht “Faik Konica” i Ilir Ikonomit nuk bën përjashtim, mirëpo autori e ofron punimin e tij me një modesti dhe vetëpërmbajtje çarmatosëse. Ato që mund të shiheshin si të meta të librit, nuk janë në fakt mungesa në punën e autorit, sesa zgjedhje mbase të ndërgjegjshme të tij. Sigurisht që jeta dhe veprimet e Konicës në Washington do të kuptoheshin më mirë nëse gjurmohej më shumë në të kaluarën paraamerikane të Konicës. Gjithashtu Konica nuk do të mund të qëndronte kaq gjatë në Washington, nëse ai nuk do të ofronte bashkë me punën e tij diplomatike edhe përkrahjen për Mbretin Zog në komunitetin shqiptaro-amerikan. Mirëpo kjo lyp kuriozitetin për të kuptuar se pse dhe si arriti Konica së pari të fitonte, pastaj të ruante pushtet mes shqiptarëve në Boston e rrethina. Cilat ishin forcat vepruese aty? Si dhe pse u anuan në mënyrë të atillë mes Konicës dhe Nolit?

Sigurisht, historianët do të kërkonin edhe më shumë kontekst historik për të kuptuar më mira disa ngjarje e veprime, si dhe hipotezat se si mund të ishte vepruar ndryshe nga ndonjë tjetër diplomat ndoshta më shumë teknik, qoftë edhe më pak intelektual se Konica.

Po nëse do të kënaqeshin të gjitha këto kërkesa, libri do të humbte mbase finesën e tij dhe vepra që do të kishim në dorë do të ishte shumë më e ndryshme se kjo që kemi. Ikonomi duket se e ka shmangur qëllimisht thellimin në tema që do ta transformonin librin e tij. Mbi të gjitha “mëkati i ndërgjegjshëm” ka të bëjë vetëm me planin shpjegues të jetës së Faikut dhe jo me atë përshkrues. Libri mbetet gjurmuesi më i mirë i bërë deri tani i jetës së Faikut si diplomat dhe mund të mos kapërcehet dot ndonjëherë nga ndonjë libër tjetër.

Zgjedhjet e Ikonomit për librin shpjegohen edhe me atë që janë zgjedhje klasike të gazetarit. Ndryshe nga historianët, politologët e sociologët, gazetari shkruan për të gjithë. Një ndreqje pra e mungesave të mësipërme rrezikon në radhë të parë ta bëjë librin më pak të lexueshëm, duke e zhvendosur më afër bibliotekës akademike sesa rafteve të librarive. Dhe në fakt, libri është i lexueshëm dhe interesant për këdo. Madje edhe lexuesit e tabloideve do të gjenin në të shumë tema kurioze. Imagjinoj disa tituj që do të bënin bujë në shtypin e Tiranës: “Kur motrat e Zogut mund të bëheshin yje në Hollivud”, “Orgjia e mohuar në banesën e ambasadorit Konica në Washington”, “Romanca e ambasadorit Konica me yllin e kabareve të Washington-it” etj.

Për mua, surpriza më e këndshme ishte që Konica kishte fituar “Kapelën e Humorit” nga e përmuajshmja e shquar e kohës “The Judge” (Gjykatësi). Letra e Konicës që i paraprin fitimit të çmimit, ku ai reciton me disa ndryshime të goditura vargjet e Shekspirit, është një lexim brilant.

Që një ambasador i një vendi aq të vogël është përmendur aq shpesh në gazetat më të mëdha të kohës, dëshmon shumë për Konicën. Ai mund të konkurrojë denjësisht në këtë drejtim edhe me ambasadorët më të shquar të vendeve më të mëdha, në të gjitha kohërat, jo vetëm në vitet ‘30.

Një nga pjesët më zbavitëse në libër është kur Noli tregon dekada më vonë një bisedë me Faikun (ata u pajtuan përsëri pas “dekadës së sherreve”), në të cilin e qorton për veprat që i nis, por nuk i mbaron. “Ja e shkrova, po kush do ta këndonjë?”, i thotë Faiku duke reflektuar edhe një herë pakënaqësinë e tij për prapambetjen intelektuale në botën shqiptare.

Druajtja se kush dhe si do ta lexojnë veprën e tij, është shqetësim i çdo autori. Shqetësimi im në këtë shkrim është se disa krerë të sotëm të komunitetit që shumicën e kohës e kalojnë duke përgojuar njëri-tjetrin sesa duke bërë ndonjë gjë me vlerë për kauzat e tyre, do të gjejnë justifikim dhe përligjje nga rasti i përplasjes mes Nolit dhe Konicës. Por kur të mërzit banaliteti i përplasjes së dy figurave të ndritura, imagjino çfarë mërzie e pështirosjeje ndien njeriu nga përplasja banale e figurave banale.

Për fat të mirë, Ilir Ikonomi nuk duket se vuan nga shqetësime të tilla. Merita e tij kryesore është se ai e ofron këtë libër pa asnjë pozë, pa asnjë përpjekje për të na bindur për ndonjë gjë. Ikonomi ka treguar një vetëpërmbajtje që është e rrallë sot mes autorëve shqiptarë, të cilët çdo libër e kanë për veten e tyre. Ti e merr librin në dorë dhe mendon se po lexon për personin në fjalë apo për temën në diskutim, në fakt zbulon se po lexon për autorin. Aftësia për të lënë veten jashtë, për të lënë pikëpamjet e tij jashtë, për të ofruar Konicën pa u përpjekur për ta zbukuruar apo për ta shëmtuar, për ta patriotizuar apo për ta ideologjizuar, është edhe virtyti kryesor i Ikonomit si autor. Kjo ndoshta vjen nga besimi i Ikonomit se jeta e Konicës “flet vetë”, sigurisht e gërshetuar me pjekurinë dhe seriozitetin e tij si gazetar.

Burimi: Gazeta Panorama