5 Shtator, 2023

“Jam i dobët nga gjakrrjedhja e brendshme,” shtoi ai. “Jam sjellë mirë, jam përpjekur të pushoj.”

Në foto: Ernest Hemingway dhe bashkëshortja e tij Mary, foto e viteve 1960.

Një letër katër faqe që Ernest hemingway i shkroi avokatit të tij pasi ai i mbijetoi dy aksidenteve ajrore njëri pas tjetrit në Afrikën Lindore në vitin 1954 u shit në ankand për 237,055 dollarë, sipas Nate Sanders Auctions.

Ankandi filloi me çmimin 19,250 USD por 12 ofertat që u hodhën para shitjes, e rritën shifrën në mbi 237 mijë. Blerësi është i panjohur për publikun.

Hemingway ishte 55 vjeç në kohën kur po udhëtonte në Kongo, Kenia dhe Ruanda, me bashkëshorten e tij të katërt, gazetaren amerikane Mary Welsh Hemingway. Ai ishte atje në një safari gjuetie. Përgjatë rrjedhës së pak ditëve, çifti u përfshi në dy aksidente ajrore, ku i dyti ishte shumë më i dhunshëm se sa i pari dhe la shenjë te ai për aq sa ishte gjallë.

Në aksidentin e parë, aeroplani u përplas pas një linje telegrafi dhe ra në brigjet e Nilit, të cilat gëlonin nga krokodilët. Hemingway shkroi për këtë udhëtim në Afrikë në revistën Look më 1954. Sipas një lajmi të Associated Press, “një avion me qira ku gjendej shkrimtari dhe bashkëshortja u rrëzua pranë Ujëvarave Murchison por ata shpëtuan shëndoshë e mirë dhe u morën nga një varkë që po dërgonte turistë te ujëvarat.” Por pasi hipën në një avion që u dërgua për t’i marrë ata nga atje, një aksident i dytë ndodhi. Avioni u rrëzua dhe u dogj gjatë ngritjes. Pasagjerët arritën të largohen të gjithë, por jo pa pasoja. Ndërsa piloti shpërtheu derën me shkelm, Hemingway, i cili kishte shpatullën të dëmtuar nga aksidenti i parë, vendosi të godasë derën për ta hapur me kokë. E goditi aq fort sa pësoi një frakturë në kafkë.

Dr. Andreë Farah, i cili më vonë botoi një libër mbi Hemingway, beson se lëndimi e përndoqi shkrimtarin deri sa vdiq. Që nga ajo kohë ai pati memorie të dobët dhe dhimbje të vazhdueshme koke.

Dr. Farah ka ngritur teorinë se Hemingway vuajti nga një encefalopati kronike traumatike, sëmundje që më vonë u identifikua si shkaktare e vetëvrasjeve mes rradhëve të lojtarëve të futbollit amerikan, të cilët pësojnë shpesh lëndime nga përplasjet e vazhdueshme në fushë. Hemingway vrau veten më 1961.

Objektet përkujtimore nga Hemingway, të tilla si letrat me firmat e tij origjinale apo botimet e para të librave të tij shpesh dalin në ankand dhe shiten për shuma të majme. Në shkurt në Filadelfia, një kopje e botimit të parë të librit In our time (Në kohën tonë), u shit për 277 mijë dollarë. Ky libër me tregime u botua fillimisht më 1924. Një letër tjetër e Hemingway u shit muajin e kaluar për vetëm 6875 USD, pasi tërhoqi vetëm një blerës.

Në letrën mbi aksidentin, shkruar më 17 prill 1954, Hemingway ritregoi ngjarjen dhe pasojat që i la atij. Ai i tha avokatit Alfred Rice se kishte nevojë për para. Ai shprehu gjithashtu pakënaqësinë ndaj kompanisë Abercrombie & Fitch, një markë që sot njihet për kozmetikë, por që në atë kohë shiste pajime për natyrë, të tilla si armë.

“Ata më dërguan dy pushkë kalibër .22 të cilat nuk i pata porositur dhe disa qindra fishekë të një lloji tjetër nga çfarë kisha porositur,” shkrimtari shkroi, duke shtuar se atij “m’u desh të qëlloja luanin tim të parë me një pushtë Mannlicher .256 të marrë hua, e cila ishte aq e vjetër sa mund të ndahej copash në duart e mija dhe mbahej bashkë me ngjitëse Scotch. Pakujdesi i tyre në paketim vuri në rrezik jetën dhe sigurinë time.”

Letra u shkrua me dorë nga Venecia dhe përshkruan në detaje lëndimet e tij.

“Telashi është brenda, ku veshka e djathtë është lënduar bashkë me mëlçinë dhe shpretkën,” shkroi ai. “Do t’i kontrollojmë në një spital ku kanë gjërat më të mira për këtë punë që gjenden në Evropë.”

“Jam i dobët nga gjakrrjedhja e brendshme,” shtoi ai. “Jam sjellë mirë, jam përpjekur të pushoj.”

Edhe bashkëshortja e tij nuk shpëtoi pa lëndime. Ajo pati dy brinjë të krisura dhe një këmbë të lënduar. Hemingway ishte gjithashtu i shqetësuar për gjendjen e saj mendore. “Mary është tronditur shumë dhe do t’i duhet ca kohë që të qetësohet,” shkroi ai.

Megjithatë, Hemingway, i cili njihet si një aventurier i jashtëzakonshëm, nuk e lë veten të mërzitet nga kjo ngjarje. Ai e mbyll letrën duke shkruar: “Këtu çdo gjë është mirë.”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>