nga Admin

29 Janar, 2012

Fatos Kongoli (foto)

Intervistoi: Anisa Ymeri

Fatos Kongoli (foto)Vepra e tij ka ditur të ndjellë lexues, dhe jo vetëm në shqip. Por këtë herë, një roman i rëndësishëm i krijimtarisë së tij, “Lëkura e qenit” botohet në një gjuhë të veçantë, në gjuhën esperanto. Shkrimtari Fatos Kongoli rrëfen se pikërisht për veçantësinë e kësaj gjuhe, ndjen më shumë kënaqësi që romani i flet një komuniteti i cili është i shtrirë në të gjithë botën. Romanet e Kongolit kanë folur përherë me një gjuhë pakëz ndryshe, jo vetëm për nga stili unik i shkrimtarit, por edhe për nga brendia, për nga filli erotik i veprës së tij. “Lëkura e qenit” nuk mund të bëjë përjashtim, e përpos këtyre është ndër romanet më të suksesshme të tij. Po raporti i shkrimtarit me lexuesin shqiptar cili është?! Kongoli rrëfen se lexuesi i tij, jo rrallherë është i frikshëm! Të jetë i ndryshëm në çdo roman që shkruan është qëllim i shkrimtarit…sidomos tani që ka mbyllur një kapitull të rëndësishëm të krijimtarisë së tij. Romani “Lëkura e qenit” u përkthye nga esperantisti polak Tomasz Chmielik në bashkëpunim me esperantistin shqiptar Bardhyl Mezini. Në muajin prill, një grup esperantistësh, mes të cilëve do të jetë edhe Claude Naumont, nënkryetare e organizatës botërore të Esperantos, do të vijnë në Shqipëri, kohë kur do të mbahet edhe promovimi i romanit “Lëkura e qenit” të Kongolit në gjuhën esperanto. I botuar për herë të parë në shqip në vitin 2003, romani “Lëkura e qenit” është përkthyer në gjuhët më të rëndësishme të botës. Po ky roman, i dha shkrimtarit Fatos Kongoli çmimin “Penda e Argjendtë” në vitin 2003 ndërsa në qershor të vitit 2006 botimi në gjuhën gjermane i romanit “Lëkura e qenit” u përzgjodh si “Libri i muajit” nga librarët e Gjermanisë.

Z. Kongoli, botoheni në një gjuhë që nuk është e madhe, megjithatë është e folur nga një komunitet jo i pakonsiderueshën në të gjithë botën…për ju si shkrimtar, çdo të thotë përkthimi në esperanto i këtij romani?

Lekura e qenit, Fatos Kongoli (kopertina)Gjuha esperanto është një gjuhë eksperimentale e cila dikur u mendua se do të ishte gjuhë e parë, por ai eksperiment dështoi për shumë arsye. Megjithatë, botimi i romanit tim në gjuhën esperanto është një kënaqësi e veçantë, pikërisht për faktin që eperantoja është një gjuhë që është mbajtur gjallë nga esperntistët të cilët nuk janë pak nëpër botë ndonëse në Shqipëri ky nuk është një komunitet i madh. Mund t’ju them me siguri që janë shumë ata që e njohin këtë gjuhë dhe ata mblidhen, janë tepër të organizuar, botojnë shumë në këtë gjuhë, ndër të tjera edhe letërsi artistike çka është diçka për t’u përshëndetur më së shumti. Kur mu propozua që të më përkthenin në gjuhën esperanto ndjeva një kënaqësi shumë të madhe pikërisht për faktin se është diçka e rrallë dhe jo kujto shkrimtari i qëllon të përkthehet në këtë gjuhë dhe t’i flasë këtij komuniteti. Për këtë arsye ndjej më shumë kënaqësi, dhe jo sepse është një gjuhë me të cilën mund të ketë edhe kopercializëm, absolutisht jo!

Po fakti që ishte pikërisht romani “Lëkura e qenit” që përzgjodh për r’u përkthyer në këtë gjuhë, çdo të thotë për ju?

Mua as që më shkonte në mendje që ndonjë prej librave të mij mund të botohej në esperanto. Kjo qe zgjedhje e një esperantisti polak i cili e kishte lexuar romanin tim në gjuhën polake dhe kishte lidhje me një eperantist shqiptar, Bardhyl Mezini, një shok i vjetër imi që në kohën e studimeve në Fakultetin e Matematikës. Aa që e dija që ishte sperantist por kur më propozoi atë çka i kishte propozuar përkthyesi i librit tim më pas në esperanto, ishte një kënaqësi të cilën nuk mund të fsheh. Ai e kishte lexuar në polonisht, me variantin shqip krahasimet i ka bërë Bardhyl Mezini dhe tani libri është i botuar në eperanto dhe unë jam shumë i kënaqur. Nga ana tjetër më pëlqen shumë që ky roman ka pasur rrugën e tij shumë të mirë. “Lëkura e qenit” ka disa vite që është botuar dhe për nga sasia e bootimeve e ribotimeve në gjuhën shqipe dhe për botimet në gjuhë të huaja, arrin një lloj rekordi. Jam i kënaqur të them që “Lëkura e qenit” tani flet në 8 gjuhë të tjera përveç shqipes, është ndër më të suksesshmit. Disa mendojnë që është romani im më i mirë, nuk e di, nuk mund ta them unë këtë. Megjithatë është një libër i cili ka pasur sukses, kjo është e vetmja gjë e sigurtë.

Z. Kongoli, cili është raporti juaj me lexuesin shqiptar?

Lexuesi shqiptar është ai që më nxit të punoj, të shkruaj… ! Është një raport shumë interesant. Unë kam një vlerësim shumë të madh për lexuesit dhe në veçanti për lexuesin shquiptar sepse unë kur shkruaj, këtë lexues kam parasysh…nuk kam parasysh lexues tjetër edhe pse ndodh që romanet pastaj përkthehen në gjuhë të tjera. Por lexuesi im i parë, më i rëndësishëm dhe kryesor jeni ju.

Por ama nga lexuesi im kam edhe pak druajtje për të mos thënë frikë sepse qoftë për temperament, qoftë për mundësi zgjedhjeje që tani janë të jashtëzakonshme, duke shtuar këtu edhe faktin që lexuesi yt është përherë pak nevrik, mund të ta prishë punën shumë kollaj. Unë kam kujdes që të mos e mërzis këtë lexuesin tim që ka qenë kaq bujar me mua deri tani e që e ka bërë këtë marrëdhënien tonë shumë të mirë. Lexuesit e mij nuk më kanë zhgënjyer sepse edhe unë jam përpjekur që t’i respektoj.

Së fundmi keni pohuar dhe keni treguar me veprën tuaj që keni kthyer një tjetër faqe të krijimtarisë suaj…

S’kam ç’të bëj ndryshe! Thelbi dhe mënyra se si unë e konceptoj procesin e të krijuarit, dhe ajo që nuk dua të bëj asnjëherë, është të përsëris veten! Nga ana tjetër, kjo është thikë me dy presa, megjithatë kam zgjedhur të rrezikoj në këtë drejtim, në emër të veprës sime dhe të lexuesit tim.

Me romanin “Bolero në vilën e pleqve” unë mbylla një cikël të krijimtarisë sime. Shkrova më pas “Iluzione në sirtar” që mund ta konsideroj si romanin që më shërbeu si kapërcyell për një etapë të re e cila erdhi me romanin “Si-do-re-la”, një roman i ndryshëm nga të tjerët që kam shkruar më parë. Kështu kam dashur të jetë, dhe këtë ma kanë thënë, ata, lexuesit e mij besnikë. E meqe ata mendojnë njësoj si unë, që ky roman është i ndryshëm nga të tjerët, dhe nuk mund të mos jem shumë i kënaqur.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>